“Kriminelët në veri nuk ishin vetëm!”/ Ja kush i ndihmoi ata

Politika

“Kriminelët në veri nuk ishin vetëm!”/ Ja kush i ndihmoi ata

Nga: A.M. Më: 10 janar 2022 Në ora: 22:18
Foto ilustrim "Bota sot"

Para disa ditësh, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën organizoi aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të pajisjeve për prodhim të kriptovalutave.    

Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj pajisjesh dhe është arrestuar një person.  

Së fundmi, aksione të këtilla në veri të vendit, nga ana e qeverisë Kurti kanë filluar të jenë më të shpeshta.     

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se pas 22 vite anarki në veri të Kosovës, po rivendoset rendi dhe ligji. 

Sipas tij, kësaj i hapi rrugë lista e zezë e Amerikës, në të cilën u përfshinë disa serbë.  

“Arrestimi i politikanëve të inkriminuar shqiptar, si dhe vendimi i 8 dhjetorit të vitit të kaluar i Departamentit të Thesarit të SHBA-ve, për vendosjen në listën e sanksioneve të udhëheqësve të krimit në veri, Zvonko Veselinoviqit, Milan Radoiçiqit, bashkë me më se 10 serbë të tjerë të inkriminuar, ka hapur të gjitha dyert dhe rrugët, për  rivendosjen e rendit dhe të ligjit edhe në këtë pjesë të trazuar të vendit tonë, pas mbi 22 vitesh anarki, nga grupet kriminale, të lejuar nga udhëheqësit tanë të shantazhuar dhe të inkorporuar nga Serbia, në Veri të Kosovës”, deklaroi ai.   

Gjithashtu, Qarri vlerësoi se këto raste të krimeve dhe korrupsionit e vërtetojnë domosdoshmërinë e aksioneve të Policisë së Kosovës.   

Madje, ai tha se në të kaluarën veprimi i policisë ishte i pamundur, shkaku i ndërhyrjes së udhëheqësve të partive të inkriminuara shqiptare.  

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

“Kjo vërteton edhe një herë më tepër domosdoshmërinë e veprimeve më të shpeshta ligjore të Policisë së Republikës së Kosovës, në disa nga komunat e Kosovës veriore, të cilat për më tepër se dy dekada me radhë, ishin kthyer në "Eldorado" të krimit të organizuar, serbo-shqiptar, ku kriminelët për çdo krim gjenin gjuhë të përbashkët.   

Madje përkundër përpjekjeve të organeve të rendit, për rivendosjen e ligjit edhe në këtë pjesë të territorit tonë shtetëror, suksesi i policisë, pothuajse bëhej i pamundur, nga vet udhëheqësit e partive të inkriminuara shqiptare, për shkak të ndërhyrjeve të hapura dhe kritikave të pareshtura, të cilat nga frika e zbardhjes së lidhjeve të tyre, me grupet e kriminelëve të sanksionuar së fundmi edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, kanë kundërshtuar gjithmonë aksionet e policisë për vendosjen e rendit dhe të ligjit edhe në këtë pjesë të vendit tone”, nënvizoi analisti.  

Në vazhdim, Qarri u shpreh se një nga arsyet se pse janë shpeshtuar aksionet në veri është edhe arrestimi i ish-presidentit Thaçi.  

“Kështu që, vetëm pas arrestimit të kuislingut Hashim Thaçi & Co nga Gjykata Speciale në Hagë, si dhe vendosja e kriminelëve serb dhe grupeve të tyre të organizuara korruptive e kundërligjore në veri të Kosovës, mundësoi, që operacionet e policisë së vendit tonë, të zhvillohen pa pengesa në gjithë pjesën veriore të Kosovës, siç ndodhi këto ditë edhe në komunën e Leposaviqit, ku u përmbyll me sukses edhe një aksion kundër kriptovalutave dhe u arrestua një serb i inkriminuar”, potencoi ai.    

Më tej, analisti deklaroi se këto aksione dëshmojnë që kriminelët në veri, nuk ishin vetëm, por kishin edhe përkrahjen e pafund të politikanëve të inkriminuar të vendit.    

“Për aq më tepër, në krahasim me të kaluarën, përveç Brezovicës, ku u zbulua një inkriminim i tmerrshëm, në veprime të kundërligjshme, të ish udhëheqësve më të lartë partiak e shtetëror, kohëve të fundit janë shpeshtuar aksionet policore edhe në pjesën veriore të Kosovës, gjë që po dëshmon, se kriminelët në veri, nuk ishin vetëm, por gjatë gjithë kësaj kohe, ata kishin edhe përkrahjen e pafund të politikanëve dhe udhëheqësve më të lart të inkriminuar të vendit”, tha ndër të tjera Qarri.  

Krejt në fund, ai u shpreh se çdo ditë e më shumë po rivendoset shteti i të drejtës edhe në veri të Kosovës, ku dihet se që nga paslufta, ajo pjesë ishte kthyer në "Eldorado" të krimit të organizuar.    

“Ndaj vetëm pas burgosjes së një pjese prej tyre, nga Gjykata në Hagë, rrëzimit me votën e qytetarëve, të partive të inkriminuara nga pushteti, si dhe sanksionimit të grupeve kriminale në veri, nga SHBA, ngadalë por sigurt, po shtrihet çdo ditë e më shumë sovraniteti dhe rivendoset shteti i të drejtës edhe në veri të Kosovës, ku dihet se që nga paslufta, ajo pjesë ishte kthyer në "Eldorado" të krimit të organizuar dhe pjesë që me lejen e politikanëve të shantazhuar shqipfolës si Thaçi & Co, që nga paslufta e deri më tani, për mbi dy dekada, praktikisht administrohej nga Serbia dhe Aleksandër Vuçiqi”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat