Eksperti amerikan “godet” Serbinë, tregon a mund të mbajë ajo referendumin në Kosovë

Politika

Eksperti amerikan “godet” Serbinë, tregon a mund të mbajë ajo referendumin në Kosovë

Nga: A.ZH Më: 14 janar 2022 Në ora: 21:08
David Phillips

Referendumi për ndryshimin e Kushtetutës në Serbi, që do të mbahet të dielën (16 janar), ka nxitur presionin e vendeve ndërkombëtare në Kosovë.

Shtetet e QUINT-it, sot i kanë kërkuar krerëve të institucioneve të Kosovës, që të lejojnë mbajtjen e këtij referendumi në territorin e Kosovës. Por, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, përmes një komunikate të përbashkët për media, kanë konfirmuar se nukj do të lejojnë OSBE-në që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi. 

Sipas tyre, hapja e qendrave të votimit për këtë referendum, përbën shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. 
Krerët kanë theksuar se qytetarët serbë të Kosovës, me dyshtetësi, do të mund të votojnë për referendumin në Serbi sipas praktikave ndërkombëtare, që në këtë rast, sipas tyre, nënkuptojnë mundësitë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

"Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja", thuhet në deklaratën e lëshuar nga institucionet e Kosovës, pas takimit të mbajtur me zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Mbajtjen e këtij referendumi në Kosovë, e ka kundërshtuar edhe David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia. Për gazetën "Bota sot", eksperti amerikan për Ballkanin ka thënë se Serbia nuk mund të mbajë referendum në Kosovën e pavarur dhe sovrane.

"Serbia mund të mbajë një referendum me pjesëmarrjen e serbëve në Serbi, por jo në Kosovë, e cila është shtet i pavarur dhe sovran", ka thënë Phillips për "Bota sot".

Përkrahje institucioneve të Kosovës në lidhje me këtë temë, iu kanë dhënë edhe partitë opozitare. Ato sot njëzëri kanë kundërshtuar hapjen e kutive të votimeve, duke thënë një gjë e tillë përbën shkelje të Kushtetutës së Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës, me kërkesë të kryeminstrit Kurti, nesër nga ora 14:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ku pritet të miratohet një rezolutë, e cila shfaq vullnetin e deputetëve dhe Grupeve Parlamentare, në lidhje me këtë çështje./Botasot

 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat