BE i doli “krah” Serbisë/Vjen thirrja për Kosovën: Të vendosen vijat e kuqe në këto tema

Politika

BE i doli “krah” Serbisë/Vjen thirrja për Kosovën: Të vendosen vijat e kuqe në këto tema

Nga: A.M. Më: 17 janar 2022 Në ora: 23:02
Flamujt e BE-së

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka ripërsëritur qëndrimin e BE-së lidhur me pamundësinë e serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në referendumin për ndryshimet kushtetuese në Serbi. 

Stano shprehi keqardhje që ky referendum nuk ndodhi, kjo për shkak se operacione të tilla janë kryer edhe në të kaluarën.  

“Qëndrimi ynë ishte shumë i qartë. Të gjithë serbëve te Kosovës me të drejtë vote, duhej t’ju ishte krijuar mundësia për të votuar përmes operacionit të mbledhjes së kutive të votimit të lehtësuar nga OSBE/ODHIR. Ne shprehim keqardhje që operacioni i mbledhjes së kutive të votimit nuk ndodhi. Këto operacione kanë ndodhur në të shkuarën dhe kjo është një praktikë që është vendosur dhe zhvilluar për një periudhë afatgjatë. Kjo ka ndodhur në 2012, 2014, 2016, 2017 dhe 2020. Ndaj, kjo është vërtet për të ardhur keq. Për ta bërë këtë operacion të mundshëm duhej aprovimi i të dy palëve”, ka deklaruar Stano.    

Analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcim për “Bota sot” komentoi presionin e BE-së ndaj Kosovës për mbajtjen e referendumit serb.  

Ai tha se e gjithë ky presion vjen si pasojë e ndikimit të madh rus në kuadër të Bashkimit Evropian.  

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

“Vet natyra organizative dhe procesi i vendimmarrjes në kuadër të Bashkimit Evropian, bazuar në parimin e vendimmarrjes me konsensus, lë shumë hapësirë për procese të stërzgjatura burokratike dhe vendimmarrje joefektive.  

Kur flasim për thirrje apo presion publik karshi Kosovës mendoj që duhet ta kemi parasysh faktin se në kuadër të BE-së fatkeqësisht ka ndikim goxha të madh rus, përmes disa partive majtiste. Shtete të ndryshme aktivizohen në kuadër të proceseve të cilat i shfrytëzojnë ato për interesa të brendshme”, deklaroi analisti.  

Krahas kësaj, Duhaj potencoi se BE po mundohet ta joshë shtetin serb duke luajtur me dy palë letra.  

Ai vlerësoi se partitë politike në Kosovë duhet të vendosin vija të kuqe dhe të jenë të unifikuar kur bëhet fjalë për çështje me rëndësi të madhe për shtetin,     

“Pos kësaj BE, duke qenë se e ka qëllim të shpallur integrimin e rajonit të Ballkanit, mundohet të gjejë rrugë për ta joshur Serbinë, e cila luan me dy palë letra. Në ketë kontekst, për fat të keq, jo rrallë pëson Kosova.  Megjithatë mendoj që ka disa gjëra ku duhet të vendosen vija të kuqe dhe duhet të kemi qëndrim unik e kolektiv, siç e kishim edhe tani për temën e referendumit. Kjo pasi që nëse shtetet perëndimore synojnë që përmes shenjave të vullnetit të mirë karshi Serbisë, ta ofrojnë atë, respektivisht ta largojnë nga Rusia, është Serbia e cila qëllimshëm shfrytëzon ketë situata dhe që lëshimin që i bëhet në tema karshi Kosovës, e shfrytëzon për ta rritur narracionin kundër shtetit të Kosovës. Prandaj, konsideroj që është me rëndësi unifikimi ynë ndërpartiak, rreth një platforme të përbashkët, posaçërisht tani kur po hymë në një fazë të rëndësishme në proces”, theksoi ai.  

Në fund, analisti tha se është shumë e rëndësishme që në kaudër të diplomacisë bileaterale, Kosova të shtojë aktivitete me shtetet me ndikim vendimtar.  

“Kosova nuk guxon të lëshojë pe në asnjë mënyrë karshi Serbisë. E vetmja mundësi me gjetë ndonjë derë për tema të tilla është kur kemi garanci të qarta nga QUINT e posaçërisht SHBA.   

Unë po ashtu mendoj se deklaratat publike në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk pasqyrojnë çdoherë edhe vullnetin politik të palëve. Prandaj është tejet e rëndësishme që në ketë kuadër të kemi aktivitet të shtuar të diplomacisë bilaterale me shtetet me ndikim vendimtar në ketë kontekst, në mënyrë që në çdo proces të kemi fokusin e forcimin e subjektivitetit  ndërkombëtarë të Kosovës”, përfundoi Leon Duhanaj për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat