Mashtrimi kinez, po na përgjon me urdhër nga Serbia / Ministria e Brendshme heshtë!

Politika

Mashtrimi kinez, po na përgjon me urdhër nga Serbia / Ministria e Brendshme heshtë!

Hava Xhukolli Nga Hava Xhukolli Më 19 janar 2022 Në ora: 21:13
Foto ilustrim

Kosova po rrezikon të përgjohet falë disa pajisjeve kineze të gjurmimit të vendosura në shumë vende, nëpërmjet Serbisë. Beogradi fshehtas po financon përpjekjet për të instaluar kamera mbikëqyrëse dhe të jashtëligjshme kineze në Kosovë.

Madje thuhet se kjo është bërë në një mënyrë të fshehtë përmes një tjetër projekti që kishte gëzuar fortë qytetarët e Kosovës. Kështu, në gusht të vitit 2020 monitorët e parë digjitalë u vendosën në stacionet e autobusëve të Prishtinës, por aty nuk shfaqej orari i transportit urban.

Kompania kineze, që kishte prodhuar këto monitorë, kishte vendosur të reklamojë veten derisa të instalohej itinerari i autobusëve apo të vijnë reklamat vendase. Në këto ekrane të mëdha me sfond të zi shfaqej vetëm brendi MIPS dhe disa shkronja në gjuhën kineze. Nuk është çështja thjesht se ata janë monitor kinez.

Këta monitorë kanë të instaluara edhe kamera. Në faqen ku jepet përshkrimi i këtij lloji të aparatit, ndër specifikimet mund të hetohet fakti se kjo kamerë kineze nga MIPS-i ka aftësinë të zbulojë dhe të njohë fytyrat.

Shërbimi ballkanik i Radios Evropa e Lirë (REL) ditë më parë raportoi se edhe Kosova rrezikohet nga teknologjia kineze e survejimit, e cila po instalohet me financim nga Beogradi në disa rajone jashtë kontrollit të Qeverisë së Kosovës. Sipas REL-it, një autoritet i përkohshëm me shumicë serbe në Kosovën juglindore ka nënshkruar një marrëveshje muajin e kaluar për blerjen e kamerave të vogla të vëzhgimit, të regjistruesve digjitalë dhe të pajisjeve të tjera në vlerë prej dhjetëra mijëra eurosh nga kompania Zhejiang Dahua Technologies.

Kjo kompani gjendet në listën e zezë të SHBA-së për shkak të monitorimeve jolegale.

Ministria e Punëve të Brendshme po hesht, përgjimet po vazhdojnë

Për një rrezik të tillë që i kanoset Kosovës, gazeta ‘Bota sot’ ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Brendshme, mirëpo ata nuk e kanë komentuar fare këtë çështje.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat