Paralajmërimi për ndarjen e Ballkanit/Publicisti tregon a mund të ndodhë, përmend SHBA-të dhe NATO-n

Politika

Paralajmërimi për ndarjen e Ballkanit/Publicisti tregon a mund të ndodhë, përmend SHBA-të dhe NATO-n

Nga: G.B Më: 22 janar 2022 Në ora: 12:04
Trupat amerikane në Bondsteel

Profesori dhe analisti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer ka bërë një paralajmërim për Ballkanin.

Ai ka thënë se Ballkani do të ndahet, pasi kështu duan Moska dhe Beogradi.

Sipas tij, pyetja është se ku do të jenë vijat.

“Më pëlqen ideja për të punuar shumë për njohjen nga jo-njohësit e BE-së, veçanërisht të katër që janë anëtarë të NATO-s. Aleanca duhet të përgatitet për pranimin e Kosovës jo më vonë se përfundimi i ushtrisë së saj, i planifikuar për në vitin 2027. Por nocioni se njohja ose anëtarësimi në NATO do të zhbëjë disi zhvendosjen e brendshme dhe ndërkombëtare të Serbisë në drejtime të gabuara, është imagjinar. Evropa “e tërë dhe e lirë” është një shkronjë e vdekur për momentin. Kështu është edhe Ballkani “i plotë dhe i lirë”. Ballkani do të ndahet sepse kështu e duan Moska dhe Beogradi. Pyetja e vetme është se ku do të vizatohen linjat”, ka deklaruar Serwer në një shkrim autorial.

Lidhur me këtë deklaratë dhe sa ekziston mundësia që të ndodhë një gjë e tillë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori Enver Bytyçi.

Ai flet për shkrimin kritik për raportin e Joseph për Ballkanin, derisa Serwer tregon se çka do të ndodhë aty.

“Daniel Serwer ka bërë një deklarim kritik të frymës së mirë rreth një raporti, të cilin e ka njoftuar studiuesi dhe profesori amerikan Edëard Joseph rreth Kosovës dhe Ballkanit. Të dy këta e njohin rajonin dhe zhvillimet te ne. Por ndonëse Joseph në raportin e tij jep versionin se si duhet vepruar për të përcjellë paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan, Serwer në përgjigjen e tij flet për atë se çfarë do të ndodhë në fund me Ballkanin. Edëard Joseph ka mendimin se SHBA dhe Evropa kanë mundësi dhe shanse t’i detyrojnë katër vende të NATO-s ose pesë vende të BE-së që ta njohin Kosovën dhe kjo njohje do të çojë automatikisht në anëtarësimin e saj në NATO e BE. Sipas tij ky zhvillim do ta detyrojë Beogradin që ta njohë shtetin e Kosovës, duke evituar ndarjen e saj dhe ndërtimin e saj me institucione funksionale. Kjo është e vërteta! Po a janë të gatshme SHBA dhe BE, më saktë Britania, Gjermania, Franca, etj., të angazhohen në një presion diplomatik ndaj Athinës, Madridit, Bukureshtit, Bratislavës dhe Nikozias për t’i detyruar ta njohin shtetin e Kosovës?!” ka thënë profesori.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Ai përmend qëndrimet e shteteve për mundësinë e pranimit të Kosovës në NATO dhe BE, derisa thotë se Serwer mendon ndryshe nga Joseph.

“Deri tani kemi vënë re se qëndrimi i Greqisë dhe Spanjës ka ndryshuar shumë. Politika e tyre anti-Kosovë ka marrë trajtën e një lloj asnjanësie ndaj pavarësisë së saj. Ndërsa Rumania e Sllovakia që në fillim nuk kanë qenë në pozicione armiqësore me Kosovën. Të katër këto vende, sipas mendimit tim, ka mundësi të shkojnë deri te njohja, ose së paku te mospërdorimi i vetos për pranimin e Kosovës në NATO e në integrimet drejt BE-së. Por Daniel Serwer mendon ndryshe. Sipas tij, këtë opsion që parashtron Joseph, nuk do ta pranojnë Serbia dhe Rusia. Në pjesën kur flet për Rusinë, unë e besoj atë plotësisht kur thotë se Moska dëshiron të përfitojë në Ukrainë, Gjeorgji e Moldavi duke përdorur si presion Kosovën. Kjo është e vërtetë. Rusia nuk e kundërshton pavarësinë e Kosovës për shkak të miqësisë me Serbinë, sa e kundërshton se prej saj dëshiron të përfitojë në rajone të tjera nga pikëpamja gjeopolitike”, është shprehur Bytyçi.

Sipas tij, në Serbi çdo parti dëshiron që ta formojë Serbinë e Madhe por që vlerëson se nuk i kanë kapacitetet që ta bëjnë këtë dhe ta ndajnë Kosovën.

“Ndërsa Serbia e mbron pozicionin e saj kundër Kosovës, sepse ajo është një shoqëri dhe një qeverisje autoritare nacionaliste. Asnjë parti në Serbi nuk dëshiron të heqë dorë nga nacionalizmi. Kjo do të thotë se politikanët aty synojnë çdo moment të krijojnë Serbinë e Madhe. Po a e kanë komoditetin e duhur serbët të përdorin nacionalizmin si instrument të ndryshimit të kufijve dhe krijimit të Serbisë së Madhe duke ndarë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën? Unë mendoj se nuk i kanë kapacitetet e duhura. Edhe pse Beogradi armatoset nga Rusia, pavarësisht se nuk rrezikohet nga askush, përsëri nuk mendoj se ajo mund të përdorë forcën kundër shteteve që pretendon t’i detsabilizojë dhe t’i copëtojë”, ka theksuar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Profesori shton se Serbia është e rrethuar me vende anëtare të NATO-s dhe BE-së dhe nuk mund ta shpërthejë këtë rrethim.

“Serbia nuk ka kufij tokësorë as detarë me Rusinë. Ajo është e rrethuar me vende anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Nuk ka asnjë shans që ta shpërthejë këtë rrethim me anën e forcës, edhe pse bazohet te nacionalizmi. Në fund të fundit duhet llogaritur rrethanat në të cilat gjendet një vend që ka aspirata të zgjerimit të territorit të tij. Serbia nuk e ka këtë mundësi. Madje rrezikon Vojvodinën e veriut të banuar me hungarezë dhe Sanxhakun e banuar me myslimanë e shqiptarë! Në rast të konfliktit do të ketë probleme edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në kushte paqeje këto duken të pamundura, por një konflikt i hapur i mobilizon të gjitha kombet në përpjekjet për të mbrojtur të drejtën e vet”, ka potencuar ai.

Andaj, Bytyçi thotë se e sheh të pamundshëm ndryshimin e kufijve, siç thotë Serëer, për çka thotë se kjo ide mund të vihet në tavolinë por që nuk do të ndodhë.

“Për këtë arsye nuk e shoh të mundshme ndryshimin e kufijve me forcë, siç thotë zoti Serwer. A mundet të vihet në tavolinën e zgjidhjes ndonjë dokument për të cilin të bien dakord liderët e rajonit?! Edhe mundet. Por a do të bien dakord këta liderë për një ndryshim të kufijve?! Nuk e besoj. Atëherë nëse kufijtë nuk ndryshojnë përmes marrëveshjeve paqësore, atëherë mendoj se profesori Daniel Serwer beson dhe mitizon qëndrimet serbo-ruse, pa marrë parasysh aktorët dhe faktorët e tjerë në rajon, në Evropë e SHBA. Në fund të fundit, nëse ndryshojnë kufijtë, atëherë pse SHBA dhe NATO, së bashku me BE-në investuan kaq shumë për konfigurimin e një harte të re në Ballkan? Pse u desh të bëhej luftë me Serbinë e Milosheviçit?! Nëse do të pranohej kjo që thotë Serwer, Milosheviçi ishte i gatshëm të hiqte dorë nga dhuna e ta pranonte zgjidhjen! Rikthimi te opsioni i Milosheviçit nuk besoj se është opsion për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, ka deklaruar Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat