Vjen thirrja për prokurorinë: Të hetohen disa anëtarë të PDK-së – hidhen dyshime mbi këtë çështje!

Politika

Vjen thirrja për prokurorinë: Të hetohen disa anëtarë të PDK-së – hidhen dyshime mbi këtë çështje!

Nga: A.M. Më: 22 janar 2022 Në ora: 16:04
Foto ilustrim

Me 15 janar, deputetët e Kuvendit të Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme miratuan rezolutën kundër mbajtjes së referendumit antikushtetues të Serbisë për ndryshime kushtetuese atje.

Kjo rezolutë u votua me 76 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.

Mirëpo, në këtë seancë refuzoi të marë pjesë PDK. Kjo parti e vlerësoi si të panevojshme mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për referendumin e Serbisë brenda territorit të Kosovës.

Ky vendim i PDK-së u kritikua ashpër, madje u paralajmërua se kjo gjë do t’i kushtojë shumë në vota elektorale, kësaj partie.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri e vlerësoi si vendim arbitrar mospjesëmarrjen e PDK-së në seancën e jashtëzakonshme për referendumin serb.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se ky veprim i PDK-së ishte në një linjë me Listën Serbe dhe se ky ishte një akt i rëndë i tradhtisë ndaj shtetit.

“Vendimi i papritur e arbitrar i partisë së Hashim Thaçit e Kadri Veselit, për veprimin e paprecedent të PDK-së në kooketim si në kohën e vëllazërim-bashkimit me “Listën serbe”, për mos-votimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës, kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë okupatore në territoret Republikës së pavarur e sovrane të Kosovës, për të gjithë ne, është akti më i rëndë i tradhtisë shtetërore dhe kombëtare, i pa ndodhur ndonjëherë më parë, në gjithë historinë më të re të pasçlirimit të Kosovës.

Ndaj gëzon shumë fakti se, me gjithë mospjesëmarrjen e PDK-së, dhe të simotrës së saj, "Listës serbe", në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, votimi i rezolutës së 15 janarit të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës, vërtetoi edhe njëherë më tepër, para opinionit vendor dhe atij ndërkombëtar, se me udhëheqjen e re shtetërore, Kosova ka Zot dhe shteti ynë i pavarur e sovran, më nuk mund të përdoret si “Principatë” e Aleksandër Vuçiqit, siç e pati shndërruar Kosovën dikur, Hashim Thaçi & Co”, deklaroi analisti.

Krahas kësaj, Qarri thotë se mospjesëmarrja e PDK-së i la pa fjalë të gjithë opinionin publik, ku kundërshtoi të gjitha partitë politike dhe veproi në koketim me Listën serbe.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

““Principatë” ku Vuçiqi kokë më vete organizonte zgjedhje dhe mbante referendume njëjtë si në Serbi, duke vendosur si në qeverisjen e kuislingut Hashim Thaçi & Co edhe për rregullimin e brendshëm shtetërorë të Kosovës, sa herë donte dhe kudo që dëshironte, pa pyetur askënd.

Por, ajo që së fundi la pamend gjithë opinionin e Republikës së Kosovës, ishte veprimi i paprecedent i PDK-së, e cila e vetme, u nda nga të gjitha partitë shqiptare dhe veproi në koketim me "Listën serbe", për bojkotimin e seancës së miratimit të rezolutës së kërkuar nga Qeveria e vendit, për ndalimin e referendumit të Serbisë okupatore në Kosovë”, theksoi ai.

Motivi i vetëm që PDK-ja refuzoi pjesëmarrjen në seancën e jashtëzakonshme të referendumit serb

Në vazhdim, analisti përmendi motivin që e shtyu PDK-në që të mos marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Kurti.

Sipas tij, PDK-ja edhe pas arrestimit të Thaçit po vazhdon bashkëpunimin me Listën serbe dhe Aleksandër Vuçiqin.

“Prandaj motivi i vetëm që PDK-ja refuzoi pjesëmarrjen në një seancë kaq të rëndësishme për qytetarët dhe shtetin e pavarur të Kosovës, mund të jetë vetëm vazhdimi i koketimit të PDK-së edhe pas burgosjes së kuislingut Thaçi, në tandem vëllazërim-bashkimi, me “Listën serbe” dhe Aleksandër Vuçiqin, kundër tërësisë territoriale të vendit dhe për mos shtrirjen e shtetësisë së Kosovës edhe në veriun e dominuar tash e dy dekada nga bandat kriminale në krye me Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radoiçiqin, me të cilët PDK dhe partitë e inkriminuara, po dëshmohet publikisht se kishin lidhje të shumëfishta.

Një sjellje kaq e paprecedent brengos jo vetëm qytetarin dhe punëtorin e thjeshtë, por edhe politikën dhe mbarë opinionin publik të Republikës së Kosovës, ngase me aktin e fundit, u vërtetua katërçipërisht se kryesia aktuale e PDK-së, edhe pas arrestimit të babait të saj ideor, jo vetëm që mbetet ambasadore e patundur dhe besnike e Aleksandër Vuçiqit, por se, me apo ndoshta edhe pa vetëdije, krijon bindjen tek mbarë opinioni i Kosovës, se PDK-ja edhe si segment politik, nga kryesia aktuale, mund të jetë kthyer në filiale të "Partisë Përparimtare Serbe" në Kosovë”, thotë Qarri.

Tutje, ai kërkoi nga Qeveria dhe organet e rendit që të fillojnë hetimin e disa anëtarëve të veçantë të kryesisë së PDK-së, nëse jo të gjithë kryesinë e kësaj partie, që të vërtetohet, se a janë ata me Kosovën, apo me Aleksandër Vuçiqin!

“Kështu që, edhe nëse prokuroria nuk vepron, siç nuk ka treguar vullnet as në të kaluarën të veprojë kundër tyre, është e domosdoshme që vet Qeveria e vendit dhe organet përkatëse të sigurisë shtetërore, duhet nxitur hetimin nga prokuroria e shtetit, e nëse shihet e nevojshme edhe hetimin e disa anëtarëve të veçantë të kryesisë së PDK-së, nëse jo të gjithë kryesinë e kësaj partie, që të vërtetohet, se a janë ata me Kosovën, apo me "arushën" e karpateve ruse, si Aleksandër Vuçiqi, i cili ishte ministër i informatave edhe në kohën e Millosheviqit dhe mund të ketë në dorë shumë informata për secilin anëtar të kryesisë së PDK-së, ndaj vazhdon ti shantazhoj deri në këtë shkallë, sa që edhe sot, të mos guxojnë të votojnë në Kuvendin e shtetit të vet të lirë, as edhe një rezolutë të vetme, kundër veprimeve të kundërligjshme të Serbisë në Kosovë”, nënvizoi analisti.

Krejt në fund, Qarri thotë se kundërshtimi i seancës nga ana e PDK-së rriti frikën te qytetarët e vendit, duke shtuar dyshimet se kryesia e kësaj partie vazhdon të mbetet peng i Vuçiqit dhe strukturave të SHIK-ut.

“E sqarimi i këtij argumenti qenësor është në interesin më parësor të shtetit të ri të Kosovës, sepse përveç faktit të ditur, që ky veprim i PDK-së, rrit pa masë frikën tek të gjithë shqiptarët në vend, se kryesia e kësaj partie, vazhdon të mbetet peng i Vuçiqit dhe si një strukturë e SHIK-ut, ilegal, vepron e maskuar në politikë, për interesa të Serbisë në Kosovë, nëse ky dyshim, dëshmohet edhe nga hetimet, Kuvendi i Kosovës, deputetët dhe politikbërësit e prekur nga kjo sindromë vuçiqiane, duhet ti përjashtojë urgjentisht nga pozita e deputetit dhe gjithë politika e Kosovës, në mënyrë që argatët e Serbisë, të shantazhuarit dhe hyzmeqarët e saj, të mos kenë më pozita udhëheqëse në partitë shqiptare as organet shtetërore të Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat