Eksperti i sigurisë i përgjigjet gjeneralit serb: Ja pse Serbia po trazohet dhe kërcënon Kosovën

Politika

Eksperti i sigurisë i përgjigjet gjeneralit serb: Ja pse Serbia po trazohet dhe kërcënon Kosovën

Nga: G.B Më: 22 janar 2022 Në ora: 17:12
Fotografi ilustruese

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, duke folur për këtë temë për gazetën “Bota sot”, tregon se pse Serbia trazohet dhe kërcënon.

Ai ka folur rreth kërcënimeve të gjeneralit serb, Milan Mojsiloviq, i cili ka thënë se Srbia do të ndërhyrjë ushtarakisht në Kosovë.

“Edhe një kërcënim nga Serbia, edhe atë nga shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe. Është e dukshme dhe e qartë që sa herë ka ndonjë zhvillim në Kosovë, pra edhe takime të rutinës, siç ishe takimi i para disa ditëve i dy Ministrave tanë, të Mbrojtjes dhe Punëve të Brendshme, aparati shtetëror në Serbi trazohet. Ata duket që janë shumë paranojak, por jo veç kaq”, thotë ai.

Sipas Shalës, me këto kërcënime Serbia ka dy qëllime.

“Konsideroj që kërcënimet e vazhdueshme periodike në situata të caktuara nga Serbia mund të kenë dy qëllime. E para: Përmes kërcënimeve për ndërhyrje ushtarako policore në Kosovë, e në veçanti në veri të arrijë dy të goditura: t’i bëjë presion Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar në Kosovë, që në fushën politike në negociata të arrijë më shumë dhe e dyta: Që në një të ardhme, realisht të realizojë një agresion real në veri të Kosovës dhe që më pastaj politikisht të krijojë mbrojtje duke thënë, se ne ju kemi paralajmëruar që moti dhe për këtë ne duhet të jemi të përgatitur”, vlerëson eksperti.

Image
Drizan Shala

Por, ai mendon se këto kërcënime duhet trajtuar seriozisht nga NATO-ja dhe SHBA-të dhe shton se Serbia mund t’i realizojë këto kërcënime.

“Këto kërcënime, e sidomos ky i fundit nga shefi i Shtabit të Ushtrisë serbe, mendoj se faktori NATO në Bruksel e sidomos US Army, duhet seriozisht t’i trajtojë dhe të japin një sinjal të fuqishëm, të ngjashëm me dislokimin e batalionit rezervë të KFOR-it që u realizua kohë më parë. Ata po kërcënojnë, por edhe mund ta realizojnë me skenarët që veç ata dinë t’i bëjnë, në emër të mbrojtjes së popullatës civile serbe në veri dhe gjithë Kosovën, duke përdorur në aspektin ligjor edhe rezolutën 1244 si dhe gjendjen politike në të cilën gjendet Kosova në arritjen e njohjes me Serbinë, si dy shtete të pavarura”, është shprehur Shala.

Më tej, ai potencon se institucionet e Kosovës duhet të kenë kujdes e po ashtu populli i Kosovës.

“Nga kjo del detyrë imediate e institucioneve të Kosovës, që të kenë kujdes dhe popullata shumicë të jetë shumë vigjilente për të mos rënë pre e ndonjë provokimit të montuar të shtetit serb. Popullata duhet të jetë shumë bashkëpunuese me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in për të informuar me kohë çdo skenar ogurzi që shohin në terren, aty ku jetojnë. Duket qartë se Serbia është trimëruar, e edhe më qartë duket faktori rus në Ballkan pas Serbisë dhe bandave tjera paramilitare siç janë WAGNER”, thekson ai.

Ai e ndërlidh këtë edhe me zhvillimet në Ukrainë, teksa përmend Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe situatën që është në këto vende.

“Pra, zhvillimet në Ukrainë de facto e japin një determinim edhe mbi gjendjen e sigurisë në rajon duke parë që në:

1. Mal të Zi kemi acarim të situatës politike ku Beogradi është i interesuar që të ndërhyjë sa më parë aty duke i lejuar vetes një dalje në Detin Adriatik.

2. Bosnje dhe Hercegovina duke defunksionalizuar sistemin politik dhe juridik në atë pjesë ku Republika Serbe do të kërkojë shkëputjen e saj nga kjo konturë shtetërore.

3. Maqedoni e Veriut, ku dihet se nuk kemi stabilitet politik të jashtëm me Bullgarinë, e cila është duke përdorur këtë si shantazh për interesat e saj në fushën ndërkombëtare ndërsa në anën tjetër po bën që t’ju mundësohet një terren për të ndikuar Serbia përmes fraksioneve të saja brenda sistemit politik atje”, ka deklaruar Drizan Shala për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat