Opozita ia kërkoi ‘shkopin magjik’ Albin Kurtit/ Vjen kundërpërgjigja për LDK-në, PDK-në dhe AAK-në

Politika

Opozita ia kërkoi ‘shkopin magjik’ Albin Kurtit/ Vjen kundërpërgjigja për LDK-në, PDK-në dhe AAK-në

Nga: A.M. Më: 24 janar 2022 Në ora: 23:42
Kryeministri Albin Kurti

Sot, në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seanca e jashtëzakonshme me debat parlamentar për shtrenjtimin e energjisë elektrike. 

Mbajtja e kësaj seance erdhi si një përpjekje tjetër e opozitës për të kundërshtuar ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike dhe rritjen e çmimit të rrymës.  

Gjatë kësaj seance kishte përplasje të mëdha mes pozitës dhe opozitës, ku partitë opozitare nuk i kursyen kritikat dhe akuzat ndaj kryeministrit Kurti dhe kabinetit të tij qeverisës.

Profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar qasjen kritike të partive opozitare ndaj qeverisë Kurti. 

Ai u shpreh se kritikat e opozitës për rritje të çmimit të energjisë elektrike janë të pa baza dhe të pa arsyeshme, kjo për faktin se PDK, LDK dhe AAK për 20 vite kanë qenë në pushtet dhe e kanë shkatërruar KEK-un. 

Image
Profesori Sulejman Mehazi

“Mocioni i partive opozitare kundër qeverisë së Kurtit për shkak shtrenjtimit të energjisë elektrike është i kot dhe pa bazë argumentuese, janë të pa arsyeshme kritikat e partive opozitare ndaj kryeministrit Albin Kurtit e qeverisë së tij. Kjo për arsye se LDK, PDK e AAK njëzet vjet radhazi kanë qenë në pushtet, për fat të keq jo që nuk bënë kurrgjë për qytetarët e Kosovës në lidhje me energjinë elektrike, por edhe shkatërruan e dëmtuan keq KEK-un”, deklaroi profesori. 

Sipas Mehazit, opozita me kritikat e tyre ndaj qeverisë Kurti po i vënë në pah mos aftësitë e qeverisjes së tyre shumëvjeçare. 

“Partitë opozitare kritikojnë qeverinë e Albin Kurtit me argumentet kundër vetes e jo kundër Kurtit, ata në emër të qeverisë së tanishme kritikojnë mos aftësitë e qeverisjes së tyre shumëvjeçare. 

Atë që nuk kanë mundur ta bëjnë partitë opozitare gjatë qeverisjes së tyre njëzetvjeçare kërkojnë ta bëjë qeveria dhjetëmuajshe e Albin Kurtit”, theksoi ai. 

Më tej, profesori udhëheqësit e opozitës i cilësoi sit ë palogjikshëm në kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Kurti. 

“Kriza energjetike ka kapluar tërë botën e këta të opozitës kërkojnë nga Albin Kurti të përdor shkopin magjik për të përmbysur këtë krizë globale energjetike. 

Fuqitë e mëdha botërore nuk mund të shpëtojnë nga pasojat e energjisë elektrike e nuk e dinë se si të shpëtojnë nga kjo murtajë energjetike, kurse të palogjikshmit e partive opozitare kërkojnë dorëheqjen e qeverisë së Kurtit pa bërë e mbushur dymbëdhjetë muaj qeverisje”, nënvizoi Mehazi. 

Në fund, ai potencoi se punët e mëdha shtetërore nuk bëhen për dhjetë muaj, por nevojiten mandate qeverisëse. 

“Pas koronës shëndetësore botën e ka kapluar një koronë tjetër energjetike, kurse  të opozitës kërkojnë nga kryeministri Albin Kurti t'a shpëtojë Kosovën nga kjo krizë energjetike botërore. 

Punët e mëdha shtetërore nuk bëhen për dhjetë muaj, por duhet kaluar mandate e mandate qeverisëse”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat