Paralajmëron analisti: Rreziku për ndarje të Ballkanit real, ja si duhet vepruar

Politika

Paralajmëron analisti: Rreziku për ndarje të Ballkanit real, ja si duhet vepruar

Nga: G.B Më: 25 janar 2022 Në ora: 16:53
Harta e Ballkanit, foto ilustruese

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, mendon se rreziku për ndarje të Ballkanit është real.

Kështu ka vlerësuar ai për gazetën “Bota sot”, derisa ka komentuar deklaratën e analistit dhe profesorit amerikan, Daniel Serwer, se Ballkani do të ndahet.

Ky i fundit ka thënë se mbetet vetëm të vendosen vijat.

Ndërsa, Qarri duke komentuar këtë temë, thotë se rrezikun për ndarje të Ballkanit e vërteton edhe fakti se BE-ja e ka braktisur interesimin për integrimin e tyre.

“Duket se të paktën siç shprehet edhe vet analisti i mirënjohur amerikan z. Daniel Server, Ballkani sërish do të kthehet në një problem madhor për gjithë rajonin, madje sipas tij, ai edhe do të ndahet ngase kështu dëshiron Moska e Beogradi, dhe vetëm mbetet të shihet se si do të ravijëzohen vijat e reja. Se Ballkani rrezikohet nga ndarja, këtë sikur e vërteton edhe braktisja e tërësishme që BE-ja u ka bërë vendeve të Ballkanit Perëndimor, akt që po kthehet në kërcënim serioz për stabilitetin e gjithë rajonit”, thotë ai.

Image
Gani Qarri

Sipas Qarrit, rrezik për këtë është edhe armatimi i pareshtur i Serbisë nga Rusia dhe Kina, që është plan për gllabërim të tokave.

“Për aq më tepër, në këtë drejtim, çon edhe armatimi i pareshtur i Serbisë nga Rusia dhe Kina, akt që nuk mund të ketë asnjë arsye tjetër, përveç planeve për gllabërimin me forcë të territoreve të Bosnje e Hercegovinës, tentimit për pushtimin me ushtri edhe të veriut të Kosovës, siç po paralajmëron shefi i ushtrisë së Serbisë, pastaj të Malit të Zi etj, nëse një gjë të tillë e lejon bashkësia ndërkombëtare, gjë që nuk mund të kalojë pa gjakderdhje të reja masive. Madje rritja e pranisë së personelit ushtarak rus dhe agjenturave të saj të fshehta në Serbi, po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme për stabilitetin politik në mbarë Ballkanin Perëndimor”, është shprehur ai.

Analisti vlerëson se siç ka thënë Server, rreziku për ndarjen e Ballkanit po bëhet real dhe për këtë tregon arsyet.

“Ndaj ashtu siç shprehet z.Daniel Server, me rritjen e ndikimit të Rusisë e cila është edhe aleate e Serbisë, sidomos sa i takon shkaktimit të destabilitetit dhe trazirave në këtë pjesë të Evropës, si dhe nxitja prej agjentëve të saj, e Millorad Dodikut për ndarjen e të ashtuquajturës "Republika serbe", rreziku për ndarjen e Ballkanit, po bëhet gjithnjë e më real. Kjo për vet faktin se shpërthimi i konfliktit në një vend multi-etnik si Bosnja, nënkupton shuarjen e saj si shtet dhe nxitjen në mënyrë zinxhirore të luftërave për territore dhe korrigjime kufijsh, në emër të krijimit të shteteve etnike, në krejt pjesën e trazuar të vendeve të vogla ballkanike, në shumicën prej të cilave, jetojnë disa kombësi, të pakënaqura me statusin e tyre të pakicave, nën dominimin e popujve të konsideruar shumicë”, potencon Qarri.

Por, sipas tij analisti amerikan kësaj here ka dalur me qëndrime të kundërta, karahasuar me të kaluarën.

“Megjithëse eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, z. Server, vërtet është një analist i shquar, ndonjëherë habit me parashikimet e tij, paksa kontraverse, i cili para 1-2 vitesh deklaronte se nëse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kjo do ta vendosë atë në pozitë të vështirë dhe kthehet në pengesë për anëtarësimin e saj në BE, ndërsa tani, për ndryshim nga atëherë, ndoshta ka informacione konkrete, se aktualisht kanë ndryshuar rrethanat politike, ai deklaron se do të ndahet Ballkani, pasi që, këtë e dëshiron Serbia dhe Rusia?!”, vlerëson analisti.

Mirëpo, sipas Qarrit, duhet pasur parasysh se në Ballkan janë pesë-gjashtë shtete me shqiptarë të ndarë pa dëshirën e tyre dhe se ndarja e kufijve nuk mund të bëhet pa shqiptarët.

“Por, sido që të vije puna, një gjë dihet dhe duhet kuptuar mirë nga të gjithë, se në Ballkan nuk jetojnë vetëm serbët, por edhe shqiptarët, të ndarë në pesë-gjashtë shtete pa dëshirën e tyre, ndaj vizatimi i kufijve të rinj, nuk mund të bëhet më pa shqiptarët, të cilët pas më tepër se një shekulli ndarjeje e copëtimi, kanë nevojë jetike, që përfundimisht të bashkohen në një shtet të vetin natyror, i cili do tu garantonte mbijetesën si popull autokton evropian dhe ofronte sigurinë e vazhdimësisë kombëtare në tokat e veta etnike”, thotë Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat