Dialogu Kosovë-Serbi/ Këto janë mesazhet që Lajçak dhe Escobar po bëjnë gati për Aleksandër Vuçiqin

Politika

Dialogu Kosovë-Serbi/ Këto janë mesazhet që Lajçak dhe Escobar po bëjnë gati për Aleksandër Vuçiqin

Nga: A.M. Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 12:02
Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar

I dërguari Special i BE-së për dialog, Miroslav Lajcak, së bashku me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë qëndruar në vizitë në Kosovë dhe janë takuar me udhëheqësit më të lartë shtetërore. 

Temë kryesore e këtyre takimeve ka qenë dialogu Kosovë-Serbi dhe synimi për zgjidhjen përfundimtare të këtyre bisedimeve. 

Madje, sipas këshilltarit të presidentes, Blerim Vela u riafirmua qëndrimi se çdo zgjidhje përfundimtare duhet të ketë për bazë njohjen reciproke dhe ruajtja e sovranitetit territorial të Kosovës. Ai thotë se qëndrimet e Escobar dhe të Presidentes janë “pothuajse 100% të njëjta”.

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se deklaratat e Lajçak dhe Escobar  ua hoqën dilemat qytetarëve se po përgatitet ndonjë lloj kompromisi në emër të shtetësisë së Kosovës. 

Image
Gurakuç Kuçi

Në konferencën për media përfaqësuesit e SHBA-së dhe BE-së ishin në një linjë duke e siguruar që nuk do të ketë cenim të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës. Pra, deklaratat e tyre ishin që të ua heqin dilemat qytetarëve se po përgatitet ndonjë lloj kompromisi në emër të shtetësisë së Kosovës. Ata siguruan që nuk do të preket 17 shkurti 2008 dhe ka negociata për normalizim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ai. 

Më pas, Kuçi tha se po mendohet që janë duke përgatitur një draft për marrëveshjen finale në mes Kosovës dhe Serbisë. 

Me këto deklarata ata dhanë edhe mesazhin se janë duke përgatitur dhe koordinuar një draft i cili mund të negociohet mes Kosovës dhe Serbisë për të arritur marrëveshjen finale, e cila është synim të arrihet para përfundimit të mandatit të parë të Presidentit Biden”, theksoi doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare. 

Në fund, ai potencoi se Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar po bëjnë gati edhe mesazhe për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në kohën e zgjedhjeve në Serbi. 

Po ashtu, e vlerësoi shumë që deklaratat e presidentes me dy diplomatët ndërkombëtar qëndrojnë në një linjë. 

Potencialisht z. Escobar dhe z. Lajçak me koordinimin e tyre po ia bëjnë gati edhe mesazhin me të cilin mund të paraqitet në zgjedhjet e prillit, Aleksandër Vuçiq. Nëse Vuçiqi në fushatë zgjedhore del me idenë se rizgjedhja e tij nënkupton edhe zgjidhje të problemit të Kosovës, atëherë mund të flasim se ka një draft pikash ku palët do të negociojnë dhe zgjidhja e këtij problemi është afër. 

Sa i përket palës së Kosovës, ka një momentum të përgjithshëm që ky proces të shtyhet përpara, flamurtar i gjithë procesit mbetet Qeveria pasi edhe me Kushtetutë i takon ndërsa deklaratat e presidentes mbesin në linjën me të cilën edhe janë zgjedhur nga populli”, përfundoi Gurakuç Kuçi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat