Kush qëndron prapa dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve nga shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës?

Politika

Kush qëndron prapa dëbimit të mbi 12 mijë shqiptarëve nga shtëpitë e tyre në veri të Mitrovicës?

Nga: A.SH Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 12:21
Foto ilustrim

Më 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës janë bërë 22 vjet nga masakrat, ku ‘Rojat e urës’ vranë 10 shqiptarë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra e pleq, plagosën shumë të tjerë.

U dëbuan rreth 12 mijë shqiptarë, të cilët u detyruan të kalojnë në jug të qytetit, duke lënë prapa shtëpitë e tyre në flakë.

Eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot” thotë se duhet të bëhen hetime për ato kohëra se si erdhi deri te dëbimi i 12 mijë shqiptarëve nga ato pjesë.

“Kur është fjala për dëbimin e një popullate të tërë sikur që është fjala për shqiptarët që ishin banorë të asaj pjese të veriut dhe që në të kaluarën gjithherë kanë jetuar nëpër ato pjesë të Mitrovicës, Zveçanit, fshatrave të Leposaviqit dhe të Zubin Potokut, duhet të bëhen hetime për ato kohëra, se si erdhi deri te dëbimi i 12 mijë shqiptarëve nga ato pjesë, dhe ishin 10 viktima, të vrarë, dhe nëse është ky dëbim si rezultat i forcave serbe. Nuk duhej të ndodhte, që të përsëritej historia e shqiptarëve pas luftës”, thotë Tërnava.

Ai beson se ajo ngjarje është përsëritje e ngjarjeve të luftës, kur Serbia e invadoi në tërësi territorin e Kosovës, prandaj edhe OKB-ja, miratoi Rezolutën 1244 për shkak të nevojës për zgjidhje të situatës humanitare, kur populli shqiptarë ishte i rrezikuar të zhdukej nga gjenocidi dhe spastrimi etnik nga territori i tij autokton.

Sipas tij, Kosova e ka ndihmuar miqtë në çlirimin e saj, por që eksperti shprehu habinë duke thënë se si pas bombardimeve të NATO-së që kjo popullatë e 12 mijë shqiptarëve të dëbohet nga veriu dhe ku s’paku 10 persona ishin të vrarë.

Image
Hajrullah Tërnava

 

“Nëse analizohet në tërësi lufta, në të cilën ngadhënjeu Kosova, është për t’u habitur dhe dyshuar se si ndodhi që mbas bombardimeve të NATO-s, popullata shqiptare, 12 mijë veta të dëbohen nga veriu dhe ku s’paku 10 persona u vranë. Ato troje janë banuar nga shqiptarët që nga parahistoria, janë territor i Kosovës. Sikur është e njohur nuk ka shtet në botë etnikisht të banuar vetëm nga një komb, por pse të mos rikthehen shqiptarët atje”, shpjegon Tërnava.

Eksperti në fund sqaron dyshimet se pse nuk pati reagime nga krerët e atëhershëm, të asaj kohe, ku përfaqësuesit e UÇK-së, ishin Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, dhe kishin rol.

“Të gjitha dyshimet janë se përfaqësuesit e UÇK-së në atë kohë që posa kishin hyrë forcat e NATO-së, që ishin francezët të përfaqësuar në ato, pjesë dhe në bisedime me përfaqësuesit e UÇK e në krye me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, a mos ishin marrë vesh për dëbimin e një popullate shqiptare meqë nuk pati reagime të ushtrisë franceze si forca të NATO-s, e as të përfaqësuesve të UÇK-së që e kishin rolin e mbikëqyrjes të atij territorit. Prandaj, është për t’u habitur se si një shtet mik si Franca anëtare e NATO-s, ta lejonte atë spastrim të territorit në ato kohëra që duhet të kenë qenë në favorin e Serbisë, gjë që lë për të dyshuar se udhëheqësit e UÇK-së në ato pjesë të veriut a mos kishin bërë ndonjë marrëveshje për këtë dëbim-shpërngulje me përfaqësuesit e ushtrisë franceze. Prandaj, një verifikim, hetim është i duhur për atë situatë, që të bëhen hulumtimet dhe të zbardhet e vërteta, rreth kësaj situate e që po na përcjell qysh nga atëherë e deri më tani. Edhe në bisedimet e tanishme mes Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve si kusht i njohjes mes veti, Serbia e kërkon veriun e Kosovës. Ishte mjaft e aktualizuar kjo çështje edhe mes dy kryetarëve të shteteve atij të Serbisë Vuçiqit dhe të Kosovës Hashim Thaçit”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat