Pas mesazheve kërcënuese ndaj Gërvallës/ Vjen thirrja e ekspertit të sigurisë: Të sigurohet jeta e këtyre politikanëve!

Politika

Pas mesazheve kërcënuese ndaj Gërvallës/ Vjen thirrja e ekspertit të sigurisë: Të sigurohet jeta e këtyre politikanëve!

Nga: A.M. Më: 11 shkurt 2022 Në ora: 23:05
Donika Gërvalla

Para disa ditësh, ish-shefi i shërbimit të inteligjencës së Jugosllavisë UDB-së, Bozhidar Spasiç ka marrë përgjegjësinë personale dhe ka dëshmuar se shërbimi që ai e udhëhiqte UDB-ja, e ka kryer ekzekutimin e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës, tre heronjve të Kosovës.

Ndaj këtyre deklarimeve ka reaguar edhe këshilltari i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, prof.Dr.Rexhep Gjergji.

Ai ka thënë se këto janë mesazhe kërcënuese për vazhdim të atentateve ndaj patriotëve shqiptarë.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi këto deklarata kërcënuese të ish-shefit të inteligjencës serbe, Bozhidar Spasiçit.

Fillimisht, ai u shpreh se duke pas parasysh se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, në këtë kohë shtetet armike të vendit, sidomos Serbia po zhvillojnë luftë speciale ndaj shtetit tonë.

Image
Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava

“Shteti i Kosovës si shtet i pavarur që është, duhet t’i ketë edhe politikat e tij shtetërore që i zhvillon si në Kosovë dhe jashtë, prandaj edhe në këto rrethana të tilla që ende ndërkombëtarët po ndërmjetësojnë për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, duhet ta kemi të qartë se shtetet armike të orientuara ndaj Kosovës, zhvillojnë luftëra speciale ndaj shtetit tonë dhe popullatës shqiptare”, deklaroi eksperti.

Tërnava thotë se tani botërisht dihet se vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka u vranë nga shërbimi sekret serb.

Madje, ai potencoi se mesazhi i ish kreut të UDB-së, Spasiq ishte jo vetëm kërcënues, por edhe i ashpër e armiqësor.

“Vrasjet e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës tani edhe botërisht dihet që janë të vrarë nga shërbimi sekret i Serbisë, i asaj kohe të vitit 1982, që thirrej Shërbimi i Sigurimit Shtetëror (SHSSH, në serbisht UDB) kurse në gjuhën serbe SDB, e që në popull të asaj kohe të Rankoviqit famëkeq, ky shërbim thirrej, UDB e që në kujtesat e popullit tonë ende na ka mbetur në mendjet tona si UDB, nga ato të këqija që ua kanë bërë popullit tonë me vrasjet e shumta e me qindra mijëra njerëz të dëbuar për në Turqi e që tani ata shqiptarë që jetojnë atje janë në shumë miliona. Prandaj, këto krime të atëhershme ndaj shqiptarëve ishin të qëllimshme, sepse shqiptarët sot do të ishin popullata më e madhe në Ballkan. Mesazhi i ish kreut të UDB-së, Spasiç është jo vetëm kërcënues, por edhe i ashpër dhe armiqësor edhe që kjo vrasje dihet qysh nga atëherë që e kishte kryee ky shërbim sekret i Serbisë”, theksoi ai.

Në vazhdim, eksperti i sigurisë nuk u shpreh i befasuar me luftën speciale të shtetit serb ndaj Kosovës.

Mirëpo, bazuar në deklaratën e Spasiçit, ai hodhi dyshime se në këto vrasje kanë qenë të involvuar edhe individët shqiptarë.

“Në këto kohëra tani zhvillohen edhe luftëra speciale e sidomos nuk duhet të jetë befasi për shtetin tonë sepse gjithherë i dimë qëndrimet e Serbisë ndaj vendit tonë, sikur që po ky person Spasiç edhe për vrasjet në fjalë, në disa raste tjera e pranon se ekzekutimin e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës e kanë krye serbët, por na jep të nënkuptojmë se ka pasur edhe individ shqiptarë të involvuar në këto vrasje. Ai si ish-drejtues i atij shërbimi, do me fut dyshime në mesin e popullatës tonë që të përfolën në mënyra të ndryshme shqiptarët e asaj kohe, dhe me këtë të arrihet armiqësia mes shqiptarëve”, shpjegoi Tërnava.

Shteti i Kosovës dhe populli shqiptar e kanë të qartë se çfarë qëllime ka populli serb!

Më tej, ai përmendi shkatërrimin e Jugosllavisë dhe politikat që Serbia po i përdorë për destabilizimin e Kosovës.

“Shërbim i atyre kohërave të ish Jugosllavisë ishte shërbim sekret i vlerësuar si i suksesshëm, por me ndërhyrjen e politikave nacionaliste serbe të atij shteti pas vdekjes të Titos në vitin 1980, atëherë fillon të luhaten politikat e atij shteti të Jugosllavisë gjë që definitivisht edhe përfundimi i këtij shteti ishte si pasojë e politikave nacionaliste të Serbisë që definitivisht vjen deri te shkatërrimi i Jugosllavisë në vitin 1990. Tani sikur e shpjegova qëllimi i Serbisë me politikat e saj speciale bënë çmos për t’i destabilizuar politikat e Kosovës që ta bind faktorin ndërkombëtar që mos të angazhohen për pavarësinë e Kosovës dhe Kosova t’i kthehet si pjesë përbërëse Serbisë”, nënvizoi eksperti i sigurisë për “Bota sot”. 

Në fund, Tërnava thotë se duke u bazuar në deklaratën kërcënuese të Spasiçit, mund të kuptohet se populli serb ka qëllime të vrasë jo vetëm ministren Gërvalla, por edhe shume udhëheqës të tjerë të Kosovës.

Ai kërkoi nga organet e sigurisë që t’i ofrojnë siguri të mjaftueshme Gërvallës dhe të gjithë udhëheqësve të institucioneve të vendit.

“Marrë në tërësi e thëna e Spasiçit se ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla është vajza e Jusuf Gërvallës lë të nënkuptohet si kërcënim ndaj institucioneve të Kosovës e që këtë e kishte vlerësuar si kërcënim edhe këshilltari i ministres. Edhe pa u drejtuar fare ky kërcënim i Spasiçit, shteti i Kosovës dhe populli shqiptar e kanë të qartë se çfarë qëllime ka populli serb. Me pas mundësi jo që e kishin vra ministren Gërvalla, por edhe shumë të tjerë, madje të gjithë i kishin likuiduar, por ne duhet të bëjmë çmos për sigurimin e personave zyrtar që t’iu ofrojmë siguri të gjithë strukturave të Qeverisë, si ministrave, Kryeministrit dhe të gjithë atyre që përfshihen në udhëheqje të shtetit.

Kjo sepse siguria e tyre duhet të jetë në rend të parë e suksesshme, sepse në bazë të sigurisë së tyre vlerësohet aftësia e një shtetit, e sidomos kur në përgjithësi dihen shtetet armike të drejtuara ndaj shtetit tonë, dhe gjithsesi kërkohet që trupat e sigurisë të luajnë rolet e tyre aktive në mbrojtje të udhëheqësve të shtetit, duke sakrifikuar edhe jetët e tyre nëse këtë e kërkon situata”, përfundoi Hajrullah Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat