Paralajmërohet pranvera e ‘nxehtë’ në Kosovë, kjo do të jetë goditja e radhës nga qeveria Kurti

Politika

Paralajmërohet pranvera e ‘nxehtë’ në Kosovë, kjo do të jetë goditja e radhës nga qeveria Kurti

Nga: P.R Më: 16 mars 2022 Në ora: 21:04
Albin Kurti

Gjatë ditës së hënë, aksioni i Prokurorisë Speciale dhe Inspektoratit Policor i quajtur “Pika” u përmbyll me arrestimin e 50 zyrtarëve policorë mbi dyshimet për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

E 25 prej të arrestuarve kanë dalë dje para gjykatës, të cilëve u është vendosur masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Kurse sot, Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar masën nga një muaj paraburgim nedhe 15 zyrtarëve policorë të arrestuar si pjesë e aksionit “Pika”, ndërsa nëntë të akuzuarve të tjerë iu caktua masa paraqitje në stacionin policor.

E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, ky aksion ka qenë i domosdoshëm në Kosovë, pasi sipas tij, shumë pjesëtar të Policisë së Kosovës janë pjesë e rrjetit të krimit të organizuar.

Image
Faton Mehmeti

“Aksionin e së hënës e shoh shumë të nevojshëm, të domosdoshëm dhe krejtësisht me vend. Ka kohë që dihet fakti se shumë policë janë të zhytur në bashkëpunim me serbët në Veri dhe në pikat tjera kufitare, përmes të cilave kanë siguruar të mira materiale”, thotë Mehmeti.

Sipas tij, aksioni “Pika” është alarm për peshqit e mëdhenj.

“Kështu që, aksioni i “Pika” është këmbanë alarmi edhe për peshqit e mëdhenj se ditët i kanë të numëruar me qeverinë Kurti. Kjo qeveri po mban premtimet kur thoshte hajnat në burg, dhe duket se vërtetë atje po shkojnë. Mirëpo, kjo duhet të shtrihet në të gjitha shtresat e shoqërisë, duke nisur nga politikanët, nga ata që janë maja e krimit, po flasim për ish politikanët që kanë qenë në pushtet”, thekson analisti Mehmeti.

Për fund, Mehmeti shprehet se goditja e radhës duhet të jetë ndaj politikanëve, duke paralajmëruar një pranverë të nxehtë.

“Goditja e radhës duhet të jenë politikanët, dhe pres që kjo të ndodh gjatë pranverës. Pranverë e nxehtë i pret ata që kanë vjedhur, të bëhen gati për burg, aty ku e kanë vendin”, ka deklaruar analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat