Aleksandër Vuçiq dorëzohet përballë Albin Kurtit/ Serbia drejt njohjes së Kosovës

Politika

Aleksandër Vuçiq dorëzohet përballë Albin Kurtit/ Serbia drejt njohjes së Kosovës

Nga: P.R Më: 24 mars 2022 Në ora: 09:07
Aleksandër Vuçiq dhe Albin Kurti

Zgjedhjet serbe të 3 prillit, kanë nxitur edhe njëherë përplasjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti ka vendosur që mos të lejojë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve brenda territorit të Kosovës, derisa i ka bërë ftesë qeverisë serbe që t’i dërgojë kërkesë qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe, gjë të cilën e ka refuzuar kategorikisht presidenti serb, Aleksandër Vuçiqi, sipas të cilit, kjo do të nënkuptonte njohje të Kosovës.

"Serbia nuk mund ta pranonte këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë këtë”, tha Vuçiq.

E kryeministri Kurti, deklaroi se me kërkesën që Qeveria serbe t’i drejtohet asaj të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, nuk ka synuar që të sjellë njohjen e pavarësisë nga Serbia.

“Unë kurrë nuk kam synuar që nëpërmes këtij letërkëmbimi ta sjell njohjen e Serbisë. Unë e kam ditur që kjo nuk bëhet, mirëpo nuk mund të kërkojë askush prej meje që unë të mos e njoh Republikën e Kosovës, pavarësinë e vendit tonë”, u shpreh Kurti.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Për të folur lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve serbe dhe vendimin e Albin Kurtit, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, pavarësisht intervenimit të vendeve të Quintit, kryeministri Kurti nuk ka lëshuar pe sa i përket lejimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Pasi kryeministri Kurti refuzoi që serbët e Kosovës të votonin në referendumin e Serbisë në Kosovë, tani po afrohet 3 prilli, kur do të votohet për parlamentin dhe presidentin serb. Prej javësh është bërë një diskutim gati i përditshëm nëse serbët e Kosovës do të lejohen të votojnë brenda territorit të vendit për këto zgjedhje ose jo. Aktorët ndërkombëtarë, sidomos pesë vendet e Quintit (SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, Francë e Itali) intervenuan te zoti Kurti, me qëllim që ai ta tolerojë këtë akt të dëshmisë së sovranitetit të Serbisë në Kosovë”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, Vuçiq e pranoi dështimin për të ndërhyrë në Kosovë dhe Mal të Zi.

“Këto dy ditët e fundit ka patur zhvillime interesante rreth këtij problemi. Kryeministri i Kosovës u shpreh para disa ditësh dakord për votimin e qytetarëve të Kosovës me shtetësi serbe, por kërkoi që për këtë do të duhej që presidenti ose qeveria e Beogradit të dërgojnë një kërkesë për qeverinë e Kosovës e më pas të lejohet ky proces në territorin e vendit. Presidenti i Serbisë e refuzoi një kërkesë të tillë. Ai tha se “po na kërkojnë që përmes kësaj kërkese të shprehemi se ne e njohim shtetin e Kosovës”. Pardje kishte zhvillime të tjera. Zëdhënësi i zotit Borrell tha se Kurti nuk e pranoi kërkesën vendeve të Quintit për të lejuar votimin e serbëve më 3 prill. Ndërkaq në Beograd pati zhvillime të tjera. Presidenti Vuçiq e pranoi dështimin e tij në këto përpjekje për të ndërhyrë dhe bërë diversion në Podgoricë dhe Prishtinë”, u shpreh profesor Bytyçi për “Bota sot”.

“Vuçiq mblodhi këshillin e sigurisë kombëtare në Beograd dhe po takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Pranoi realitetin kur lajmëroi se “Serbët në Kosovë me shtetësi të Serbisë do të votojnë në qendrat e votimit në Serbinë Qendrore”! D.m.th pranoi dështimin e përpjekjeve të tij për të shtrirë sovranitetin real politik të tij në Kosovë. Ai nuk e pranoi kërkesën e përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës që këta të lëshojnë të gjitha institucionet e Kosovës, madje edhe pjesëmarrjen në polici e forcën e sigurisë. Madje bëri pyetjen: “Mirë po ikim sot prej këtyre institucioneve. Po nesër çfarë do të ndodhë”?”, shpjegon më tej Bytyçi.

Ai thotë se tashmë është e çartë se Beogradi po shkon drejt pranimit të Kosovës si realitet dhe subjekt shtetëror ndërkombëtar.

“Derisa presidenti i Serbisë ka frikë nga konflikti, kjo është shenjë e mirë për stabilitet, por është gjithashtu shenjë se me ngadalësi po shkohet drejt pranimit të Kosovës. Kjo varet nga orientimi që do të ketë Serbia pas 3 prillit, me Bashkimin Evropian apo me Rusinë. Nëse vendos të bëhet me Rusinë, atëherë nuk do të ketë bisedime midis dy palëve. Nëse ndahet nga Moska dhe vijon rrugën e integrimeve, atëherë bisedimet do të përfundojnë ndoshta brenda këtij viti me njohjen e Kosovës nga Serbia”, thekson profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se Albin Kurti e ndryshoi praktiken e paraardhësve të tij, për çka meriton lëvdata.

“Por këtij përfundimi i shërben edhe qëndrimin i vendosur i Albin Kurtit për të ndaluar një praktikë, sipas së cilës Serbia ishte lejuar të ishte prezent politikisht në Kosovë. Ai e ndërpreu këtë praktikë. Ai ka bërë në një vit qeverisje që t’i bëjë me dije opinionit publik në Kosovë e Serbi, si dhe ndërkombëtarëve se Beogradi nuk mund të jetë i pranishëm në jetën politike e institucionale të Kosovës. Këtë gjë nuk e kanë bërë ata që sot ngrihen dhe ia rrahin këmbët në parlament kryeministrit të Kosovës”, deklaron Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thekson se opozita në Kosovë, duhet ta mbështesë politikën e Albin Kurtit përballë Serbisë.

“Unë nuk marr përsipër të them se qeveria dhe kryeministri Kurti kanë arritur suksese spektakolare gjatë një viti qeverisjeje. Por di të them se qëndrimi i tyre ndaj Serbisë është krejt ndryshe nga ai i paraardhësve të tyre. Di të them se të ardhurat në buxhet kanë shënuar në një vit krize e pandemie rekordin e tyre! Është lehtë të bësh opozitarizëm, por nëse e drejta tejkalohet, atëherë ajo kthehet në të kundërtën e vet. Unë e këshilloj opozitën që në qëndrimin ndaj Beogradit ta mbështesë politikën e Albin Kurtit! Opozita nuk duhet të kompleksohet nga dështimet e atyre që ishin më parë në krye të këtyre partive, PDK e LDK. Edhe njëherë dua të them se ka shumë rëndësi që opozita të bëhet bashkë me mazhorancën kur është fjala në sjelljet dhe raportet e Kosovës me Serbinë, si në dialog edhe në qasjen për forcimin e pavarësisë dhe evitimin e pranisë serbe në Kosovë!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat