“Serbia ka marrë urdhër nga Rusia”/ Paralajmërohet front i ri nga boshti Rusi-Serbi

Politika

“Serbia ka marrë urdhër nga Rusia”/ Paralajmërohet front i ri nga boshti Rusi-Serbi

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 mars 2022 Në ora: 07:57
Putin/ Vucic

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka nxitur hipoteza, deklarata dhe parashikime se një gjë të tillë mund ta bëjë edhe Serbia në Kosovë.

E gjithë kjo besohet se mund të ndodhë pas raporteve tejet të ngushta mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

Thuhet se presidenti rus do të synojë nxitjen e konflikteve në vende të tjera, me të vetmin qëllim, shpërqendrimin dhe largimin e vëmendjes nga Ukraina.

E një gjë të tillë e pohoi edhe kryeministri ynë, Albin Kurti.

Kurti deklaroi se Kosova duhet të jetë e kujdesshme pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Ai vlerësoi se perëndimi u tregua i pavëmendshëm dhe ia ‘lehtësoi’ pushtimin Rusisë.

Madje, kryeministri Kurti potencoi se nuk duhet të themi për luftën “jo, s’na ndodh neve”, pasi asgjë nuk është e parashikueshme.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm, vigjilentë, të mos frikësohemi, por nuk duhet të jemi të pavëmendshëm dhe të themi: “s’na ndodh neve”. Sepse kjo në fakt i jep fuqi kundërshtarit në masën e të cilit ne jemi të relaksuar, në masën në të cilën ne mendojmë se s’do të na ndodh gjë kjo neve, na rrezikon që të na ndodh diçka”, theksoi Kurti.

E lidhur me këtë çështje, mundësinë e fillimit të një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë për gazetën “Bota sot” folën njohësit e çështjeve politike, SulejmanMehazi dhe Muhamet Kelmendi.

Mehazi: Rusia dhe aleati i saj Serbia shumë lehtë mund ta përhapin luftën në Ballkan, destinacioni i parë e më i mundshëm është Kosova

Image
Sulejman Mehazi

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” thotë se mesazhet e kryeministrit Albin Kurti duhet të merren shumë seriozisht.

Sipas tij Kosova duhet të jetë gati edhe për më të keqen e saj nga ana Serbisë.

“Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me rastin e luftës së Rusisë në Ukrainë, se : "S’duhet të themi “jo, s’na ndodh neve”, këtë gabim bënë perëndimorët me Rusinë", është shumë e arsyeshme se kjo luftë mund të jetë me përmasa shpërndarëse edhe në Kosovë me anë të Serbisë proruse, prandaj thëniet e kryeministrit Kurtit janë mesazhe serioze, se, Kosova duhet të jetë gati edhe për më të keqen e saj nga ana Serbisë, se kësaj të keqes serbe duhet prerë kokën e ndejtur përballë sa nuk ka hyrë brenda në shtëpinë e Kosovës se për ndryshe do të jetë vonë”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mehazi u shpreh se kërcënimet e Vuçiqit dhe Vulinit, e obligojnë kryeministrin Kurti, presidenten Osmani dhe ministrin Mehaj që të jenë të kujdesshëm ndaj sulmeve të armatosura serbe në Kosovë.

“Kërcënimet e presidentit të Serbisë, AleksandarVuçiq, dhe kërcënimi i ministrit të mbrojtjes së Serbisë, Vulin, me mos lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë nga qeveria e Kosovës detyrimisht obligojnë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, ArmendMehaj, që të jenë të kujdesshëm ndaj rrezikut për sulme të armatosura serbe në Kosovë.

Lufta e Rusisë në Ukrainë rrezikon shtetet evropiane dhe botën njerëzore e jo më Kosovën e cila pas Ukrainës mund të jetë më e rrezikuar nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, theksoi profesori.

Më tej, ai vlerësoi se Serbia bashkë me Rusinë lehtësisht mund të përhapin luftë në rajonin e Ballkanit.

Dhe sipas tij, destinacioni i parë është Kosova.

“Rusia dhe aleati i saj Serbia shumë lehtë mund ta përhapin luftën në Ballkan, destinacioni i parë e më i mundshëm i përhapjes së luftës ruse në shtetet ballkanike është pikërisht Kosova, themi kështu për shkak se lufta e Serbisë në Kosovë do tëjetë me dy arsyetime diplomatike: arsyetimi i parë serb i luftës në Kosovë do të jetë para SHBA-së e BE-së se Serbia mbron sovranitetin territorial dhe kushtetutën me Kosovën brenda Serbisë, sikurse Ukraina që mbron sovranitetin kushtetues e territorial të saj. Kurse, arsyetimi i dytë i Serbisë do jetë i asaj ruse për njohjen e Republikës Serbe brenda Kosovës, i njëjtë sikurse njohja e dy shteteve ruse brenda territorit të Ukrainës”, nënvizoi Mehazi.

Ndër të tjera, profesori konsideron që këto janë vetëm deklarata kërcënuese, pasi nuk mund të bëjë aventurë luftarake në Kosovë me ndihmën e Rusisë së Putinit të izoluar nga e gjithë bota demokratike

“Megjithatë deklaratat kërcënuese të elitës politike serbe ndaj Kosovës më shumë janë të zbrazura, revoltuese e teorike sesa vepruese, praktike e luftarake, nuk mundet Serbia ta bëjë këtë aventurë luftarake në Kosovë me ndihmën e Rusisë së Putinit të izoluar nga e gjithë bota progresive e demokratike. Nëse Serbia me anë të Rusisë hynë në luftë në Kosovë, atëherë nga fuqitë e mëdha SHBA, BE, NATO, G7, do mbetet e izoluar dhe e anashkaluar së bashku me Rusinë. Popujt që sot përkrahin Putinin e kanë kuptimin e përkrahjes fashiste të Hitlerit. Putinin lirisht mund ta krahasojmë me Hitlerin e izoluar nga të gjitha shtetet në botë. Por, Kosova si e qysh duhet të përgatitet edhe për më të keqen, luftë me Serbinë”, përfundoi SulejmanMehazi për “Bota sot”.

Kelmendi: Me 25 mars, filloi provokimi serb për agresion ushtarak ndaj Kosovës nga Serbia.

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori tjetër, Muhamet Kelmendi në prononcimin e tij për “Bota sot” raportet Kosovë-Serbi, i cilësoi si shumë të rënda.

Ai beson se shteti serb ka marrë urdhër nga Moska për të provokuar front të ri lufte në Evropë.

“Raportet midis Kosovës dhe Serbisë janë shumë të rënda. Ato për shkakun serb kurrë nuk u stabilizuan. Edhe sot njihet Kosova nga Serbi si "stara Serbi". Serbia ka marrë urdhër nga Moska për të provokuar front të ri lufte në Evropë. Është zgjedhur Kosova si vend për agresion të ri dhe Serbia ka marrë të gjitha masat përgatitore për të bërë agresion. Deklarata e kriminelit Vulin se “po pret një incident dhe të intervenojë ushtarakisht Serbia" është mjaftë e qartë për agresion ndaj shtetit të Kosovës. Dhe, kjo u bë me 24 mars 2022, në takimin me Vuçqin në Beograd, nga krerët nacional-shovinistë serbë”, deklaroi profesori.

Gjithashtu, Kelmendi përmendi edhe protestat në veri të Kosovës, e që sipas tij veprime të tilla provokuese nga Serbia do të shpeshtohen edhe më shumë në ditët në vijim.

“Racistët serbë të Beogradit të udhëhequr nga nacional-fashisti, Vuçiq, hynë në demonstrata në Kosovë. Këto veprime pritet të thellohen, brenda kohës së shkurt priten edhe veprime kriminale të serbëve në veri që e detyrojnë Kosovën për të intervenuar si shtet. Kjo, do t’i shërbejë shtetit kriminal serb si shkak, që sipas skenarit të Ukrainës, të fillojë agresionin ushtarak në Kosovë. E tërë kjo është e përgatitur nga shteti serb së bashku me Rusinë dhe Serbia do të shkojë në luftë të armatosur. Kështu krijohet fronti i ri i luftës në Evropë”, potencoi ai.

Në vazhdim, profesori paralajmëroi aksione kriminale dhe provokime të rënda nga Serbia.

Krahas kësaj, ai mbështeti vendimin e kryeministrit Kurti për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Demonstratat janë fillimi i veprimeve provokative serbe në Kosovë. Ato do të vazhdojnë dhe priten edhe aksione kriminale dhe provokime të rënda.

E tërë kjo për të shkuar te agresion ushtarak mbi Kosovën nga Serbia.

Kosova ka vepruar si shtet për zgjedhjet serbe, ato nuk u ndaluan. Serbët që kanë shtetësi serbe mund dhe duhet të votojnë. Format e votimit janë të qarta, bëhet votimi me postë ose shkohet për votim në Serbi. Shteti nuk organizon zgjedhje për asnjë shtet tjetër”, nënvizoi Kelmendi.

Në fund, ai kërkoi nga BE-ja dhe SHBA-ja që ta ndalojnë qeverinë kriminale në Beograd nga veprimet agresive luftarake ndaj Kosovës.

“Megjithatë, nga Kosova u kërkua bashkëveprim midis dy shteteve për të organizuar zgjedhjet serbe në Kosovë. Serbia e refuzoi bashkëveprimin, këtë e bëri për të shkuar në provokime me aksione të minoritetit serb, si formë dhe skenar për të intervenuar ushtarakisht.

Këto skenare dihen. Kërkohet që BE-ja dhe SHBA-ja të veprojnë dhe të ndalojnë qeverinë kriminale në Beograd nga veprimet agresive luftarake ndaj Kosovës.

Shqiptarët do të mbrohen. Nuk kanë ku të shkojnë, është vendi ku jetojnë. Për Republikën e Kosovës do të vdesin”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat