“Shërbimet perëndimore kanë të dhëna shqetësuese e serioze për praninë e ndikimit dhe provokimit ruso-serb në Ballkan”

Politika

“Shërbimet perëndimore kanë të dhëna shqetësuese e serioze për praninë e ndikimit dhe provokimit ruso-serb në Ballkan”

Nga: M.L. Më: 4 prill 2022 Në ora: 23:49
Josep Borrell, Aleksander Vuçiq dhe Vladimir Putin

Siguria e Ballkanit Perëndimor nuk mund të merret si punë e kryer, thuhet në një dokument strategjik të Bashkimit Evropian (BE).

Javë më parë, ministrat e jashtëm dhe ata të mbrojtjes të shteteve anëtare të BE-së kanë miratuar në takimin e tyre në Bruksel dokumentin strategjik për vizionin e sigurisë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm të titulluar si “Kompasi strategjik”.

Në këtë dokument thuhet se “siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor nuk mund të nënkuptohet si punë e kryer”. Si sfida të sigurisë përmenden ndikimet e faktorëve të jashtëm, përfshirë edhe përmes fushatave të dezinformimit, por edhe mundësia që kriza në Ukrainë të bartet edhe në Ballkan dhe në pjesë të tjera të Evropës.

Image
Prof.Dr. Enver Bytyçi

Lidhur me këtë, Enver Bytyçi, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë për “Bota sot” se është e natyrshme që Bashkimi Evropian dhe SHBA-të, si edhe NATO të shqetësohen për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit e sidomos të Ballkanit Perëndimor.

Kjo pasi sipas tij, po bëhet një çerek shekulli që kur kanë mbaruar luftërat në ish-Jugosllavi dhe ende konfliktet ekzistojnë në këtë rajon.

“Tani mbas kaq kohe ka ardhur momenti që nacionalizmi serb të rigjallërohet dhe të shkaktojë tragjedi të reja te popujt e Ballkanit. Sigurisht që për Serbinë në disa pikëpamje është sot më e vështirë sesa para 23 vitesh. Por ajo ka krijuar dhe një komoditet të ri në aleancë dhe në mbështetje të Kremlinit dhe presidentit rus, Vladimir Putin”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe strukturat e institucionet e shteteve perëndimore kur flasin për pasigurinë e një rajoni të kontinentit tonë, kanë parasysh shumë rrethana.

Ai rikujtoi se Serbia po fuqizohet gjithnjë e më shumë nga pikëpamja ushtarake, gjithnjë me ndihmën e Rusisë dhe të Kinës.

“Ajo është bërë më agresive se kurrë. Madje më agresive se në periudhën e diktatorëve bolshevikë si Stalini dhe Brezhnjevi. Moska po kërcënon sigurinë evropiane dhe planetare e për pasojë pjesë e këtij kërcënimi është sidomos Ballkani, sepse në këtë hapësirë gjeopolitike Rusia ka Serbinë si shkopin e saj magjik”, ka thënë profesori.

Në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera evropiane të bien kambanat e alarmit për këtë rrezik

Ai ka shtuar edhe faktin që Beogradi nuk pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

“Është i vetmi vend evropian që e bën këtë. Aq më tepër që Serbia ka përfunduar bisedimet e integrimit me Brukselin për shumë kapituj. Rusia dhe Serbia së bashku po punojnë për të destabilizuar Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën. Edhe deklaratat e udhëheqësve serbë se në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e tre prillit dhe se kjo do të funksionojë me struktura paralele të komisionarëve, janë përpjekje për destabilizimin e Kosovës. Ndërsa në BH po mbështetet hapur Milorad Dodik e në Mal të Zi po bëhen përpjekje për të provokuar trazira me rastin e refuzimit të zgjedhjeve serbe të 3 prillit edhe në qytete ku nuk banojnë serbë”, ka thënë profesori.

Sipas tij, të gjitha këto ngjarje janë të mjaftueshme për të pasur dhe shprehur një shqetësim të tillë nga Bashkimi Evropian.

“Dhe është mirë që në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera evropiane të bien kambanat e alarmit për këtë rrezik. Por, dokumenti strategjik bazohet gjithashtu në të dhëna dhe informacione informale. Ato që përmenda më lart janë fakte që duket dhe lexohen në publik. Ka elementë të tjerë të të dhënave, të cilat publiku nuk i njeh, por që shërbimet perëndimore i posedojnë. Jam I bindur se në këto raporte e informacione të BE-së dhe SHBA-ve ka të dhëna shqetësuese e serioze për praninë e ndikimit dhe provokimit ruso-serb në rajon”, ka nënvizuar ai.

Autoritetet e Brukselit po i legjitimojnë provokimet e Beogradit

Mirëpo sipas profesorit, bazuar në këto informata autoritetet e Brukselit shpesh herë gabojnë kur u kërkojnë udhëheqësve të rajonit të përkëdhelin interesat, provokimet, qasjet destruktive dhe sedrën e Aleksandër Vuçiq.

“E përkëdhelën edhe në rastin e fundit, kur Beogradi kërkoi votime në Kosovë e Mal të Zi për parlamentin dhe presidentin e Serbisë. Madje po e kritikojnë refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për ta pranuar kërkesën e Serbisë për këto zgjedhje. Kjo qasje është e gabuar, sepse legjitimon provokimet e Beogradit dhe madje edhe atë që në Serbi e konsiderojnë si e "drejtë sovrane mbi Kosovën"! Në këtë mënyrë I jepet fuqi politike e diplomatike të gabuar autoriteteve serbe”, ka shtuar ai.

Për profesorin, janë pikërisht këto lëshime të dy dekadave të fundit e kanë bërë Serbinë destruktive dhe kërcënim për stabilitetin në Europën Juglindore.

"Mos harrojmë se kësaj sfere i përket edhe Moldavia, një pjesë e territorit të së cilës e kontrollon Kremlini. Kjo do të thotë se mund të vihet në veprim një korridor prorus për të lidh Serbinë me Rusinë. Ndërkaq në Beograd, përveç presidentit Aleksandër Vuçiq, janë thuajse të gjithë politikanët e vendit në avangardë të përpjekjeve për ta ndryshuar orientimin e Serbisë. Në fakt ky orientim do të ndryshohej, nëse Serbia do të integrohej në BE e NATO. Aleanca e saj me Rusinë është historike dhe deri më sot ka mbetur e tillë".

“Mësime historike nga agresioni rus”

Bytyçi është shprehur se, liderët politikanë të Serbisë, si Vulin, Daçiq etj janë më besnikë se Milosheviçi në shërbimet dhe lidhjet që demonstrojnë përkrah Moskës.

“Këta liderë sollën tragjedinë e dhjetëvjeçarit të fundit në ish-Jugosllavi dhe po këta sot janë protagonistë të kërcënimeve serioze ndaj sigurisë dhe paqes rajonale. Këto fakte njihen tashmë dhe lexohen drejt nga Bashkimi Europian dhe strukturat euro-atlantike. Por nuk mjafton që fakte të tilla të lexohen. BE dhe NATO besoj se do të nxjerrin disa mësime historike nga agresioni rus në Ukrainë dhe do të përcaktojnë një agjendë diplomatike imponuese për vendosjen e paqes e të sigurisë afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Deri atëherë qeveria e Kosovës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, madje dhe Bosnjë-Hercegovina duhet të bëjnë shumë kujdes!”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat