Simboli ‘Z’ mbulon Mitrovicën, eksperti i sigurisë tregon çka qëndron prapa dhe lëshon paralajmërimin për ASK-në

Politika

Simboli ‘Z’ mbulon Mitrovicën, eksperti i sigurisë tregon çka qëndron prapa dhe lëshon paralajmërimin për ASK-në

Nga: A.ZH Më: 7 prill 2022 Në ora: 21:47
Simboli “Z” i vizatuar në murin e një ndërtese në Mitrovicë; foto: REL

Veriu i Kosovës është mbuluar me simbolin “Z”. Edhe në javët e kaluara është parë simboli “Z” i vizatuar në muret e ndërtesave në Mitrovicë.

Simboli “Z” është parë i vendosur edhe në makinat e qytetarëve serbë, më 3 prill, të cilët festuan fitoren e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit.

Përdorimi i simbolit ‘Z’, konsiderohet si mbështetje për luftën e Rusisë në Ukrainë. Veprime konkrete hetimore për personat që grafikojnë shkronjën “Z” me motive të luftës, në Kosovë, po kërkon eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Duke folur për gazetën “Bota sot”, Shala ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të reagojnë në lidhje me këtë çështje, pasi kjo definohet në kodin penal të Kosovës, ku flitet për “Nxitjen e përçarjes dhe mos durimit".

“Në lidhje me sanksionimin e përdorimit të shkronjës "Z", mund të themi që kodi penal i Kosovës e ka të definuar mirë pjesën ku flitet për "Nxitjen e përçarjes dhe mos durimit" dhe bazuar në këtë pjesë të kodit penal mund të themi që nga ana e institucioneve, duhet vetëm të reagojnë dhe personat apo grupet që grafikojnë shkronjën “Z” me motive të luftës duhet që të përballen me veprime konkrete hetimore penale”, ka thënë eksperti i sigurisë.

Si shkak për “ngritjen e emocioneve” të qytetarëve serbë, Shala e sheh pozicionimin e Kosovës kundër “vëllait” të Serbisë, Rusisë, në raport me konfliktin ushtarak në Ukrainë.

Image
Simboli 'Z' shihet në muret e disa ndërtesave në Mitrovicë të Veriut më 6 prill 2022. Foto: REL

“Kosova është pozicionuar në raport me konfliktin ushtarak në Ukrainë, duke ju bashkuar edhe ndërmarrjes së masave të sanksioneve të ndryshme kundër Rusisë dhe kjo në vetvete ka ngritur emocione të një pjese ultra-nacionalistëve serbe, të cilët nuk pajtohen që Kosova të ndërmarr veprime të tilla kundër interesave të Serbisë, që kjo e fundit ka një harmonizim vëllazëror me Rusinë”, është shprehur më tej ai.

Sipas tij, simbolet e luftës që po hasen edhe në Kosovë, tregojnë për ndikimin rus në Kosovë. Shala ka theksuar se organet e sigurisë po monitorojnë veprimet e tilla.

“Simbolet e luftës të forcave ruse, që i kemi hasur në territorin e Kosovës, tregojnë që influenca e luftës hibride të Rusisë, tani veç se është për shfaqur edhe te ne. Organet e sigurisë bazuar edhe në mandatin e tyre, janë duke i monitoruar veprimet e tilla, duke ruajtur sigurinë nacionale të vendit nga grupe të tilla, të cilat mund të cenojnë rendin kushtetues të vendit”, ka thënë më tej Drizan Shala për “Bota sot”.

Ndërsa, i pyetur për çështjen e sigurisë në vend, Shala ka vlerësuar se deri më tani nuk ka gjendje “alarmante” për Kosovën, megjithëse ka paralajmëruar tentime politike serbe, përmes çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

“Siguria në Kosovë është duke u monitoruar nga ana e institucioneve të sigurisë së vendit, por edhe atyre ndërkombëtare KFOR/EULEX, por fatmirësisht deri më tani nuk mund të quhet për ndonjë situatë alarmante për Kosovën. Ndërsa, Serbia do të tentojë që në çdo formë të përfitojë në aspektin politik, por edhe në atë territorial përmes Asociacionit”, ka theksuar Drizan Shala.

Simboli “Z” fillimisht është përdorur në tanket ruse që kanë hyrë në Ukrainë, shkronja ‘Z’ besohet se ka kuptimin "za pobedu" (për fitore) – dhe ky simbol shumë shpejt nisi të përdorej nga rusët si shenjë mbështetjeje për pushtimin e Ukrainës./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat