Plani për vrasjen e Dick Martyt nga serbët, deklarohet Kurti, ka një thirrje për Quint-in në Serbi dhe BE-në

Politika

Plani për vrasjen e Dick Martyt nga serbët, deklarohet Kurti, ka një thirrje për Quint-in në Serbi dhe BE-në

Nga: G.B Më: 12 prill 2022 Në ora: 09:59
Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar për kërcënimin që ka marrë senatori Dick Marty, ku shërbimi sekret serb ka dashur ta vras atë dhe ta fajësojë Kosovën.

Gjatë një konference për media, ai bëri thirrje që Quint-i në Serbi dhe Bashkimi Evropian ta ngrisin këtë çështje me të gjitha organet shtetërore, shkruan Bota sot.

“Sa i përket çështjet Marty, ku kësaj radhe ai nuk është autor por protagonist mund të them që shteti dhe populli i Kosovës e kanë ditur gjithmonë se kush është Serbia, por unë shpresoj dhe besoj se Quinti në Beograd dhe Bashkimi Evropian në përgjithësi, ta ngrisin këtë çështjen me presidentin atje dhe me të gjitha organet shtetërore sepse kjo është një akuzë e jashtëzakonshme që i tejkalon çfarëdo masash individuale”, ka thënë ai.

Kurti përmendi edhe vrasjet e kryera nga shërbimi sekret serb, teksa përmendi Jusuf e Brdhosh Gërvallën e Kadri Zekën.

“Ju e dini se shërbimi sekret i Serbisë gjatë viteve të 70-ta e 80-të, jo vetëm të 90-ta, ka vrarë shumë patriotë, shumë veprimtarë, andaj këtë mënyrë të punës së tyre të mbrapshtë ata e kanë të ushtruar me dekada, ndër ata që u vranë ju e dini mirë janë edhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, prindi dhe xhaxhai i ministres sonë të jashtme dhe Kadri Zeka, e deri te Enver Hadri e shumë e shumë të tjera”, u shpreh Kurti.

Ai po ashtu përmendi rastin Panda në Pejë, si mënyrë që shërbimi sekret serb përdor prej kohësh për t’i fajësuar shqiptarët, por ai tha se është koha e fundit që kjo çështje të ngritët.

“Pra mënyra se si ka operuar në Evropën Perëndimore shërbimi sekret serb edhe ndaj shqiptarëve por edhe ndaj kroatëve është i njohur botërisht e duket se atë mënyrë e paskan planifikuar edhe ndaj Dick Martyt që të na fajësojnë neve. Në anën tjetër ne e dimë që edhe opinioni publik në Serbi është i njoftuar për rastin Panda në Pejë, ku janë vrarë të rinjtë që të fajësohet UÇK e pastaj në emër të kësaj, janë vrarë edhe civilët shqiptarë. Pra kjo është një metodë e njohur e shërbimit sekret serb e në veçanti për shtetin dhe popullin e Kosovës që e ka përjetuar këtë në përvojën e saj të hidhur, në jetën të cilën e mbajmë mend të gjithë ne të brezit që jemi sot por besoj që është koha e fundit që Qunti në Beograd dhe BE ta ngrisin këtë çështje me strukturat më të larta shtetërore në Serbi”, theksoi ai.

Kryeministri Kurti ka thënë se do të bashkëpunojnë me shtetin zviceran për të mësuar më shumë për këtë rast.

“Por gjithashtu ne jemi të interesuar që kjo të zbardhet deri në fund sepse nuk mjafton që të bëhet denoncimi dhe të shpjegohet që në 16 muajt e fundit senatori Marty paska pasur mbrojtje superspeciale për shkak të një rreziku të panjohur për neve, pra nuk mjafton vetëm ky denoncim, duhet të sqarohen shkaqet, rrethanat dhe informacioni tjetër sepse qartazi nuk ka të bëjë vetëm me z.Dick Marty por me shqiptarët dhe Kosovën”, ka deklaruar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat