A do t’i sanksionojë Perëndimi liderët e Serbisë, Vuçiqin, Daçiqin, Vulinin / Skenari që mund të ndodhë!

Politika

A do t’i sanksionojë Perëndimi liderët e Serbisë, Vuçiqin, Daçiqin, Vulinin / Skenari që mund të ndodhë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 prill 2022 Në ora: 08:11
Aleksander Vuçiq dhe Aleksander Vulin

Serbia, si një kopje e vogël e Rusisë në Ballkan, në vazhdimësi po e kërcënon shtetin e Kosovës, në mënyra të ndryshme. Me kërcënime lufte, me destabilizim apo edhe me mënyra të tjera të luftës speciale.

Për të dëshmuar fuqinë e saj ushtarake, së fundmi ajo bëri edhe transportin e fundit të sistemeve raketore nga Kina, të bartur për tri ditë me një flotë ushtarake kineze prej 6 aeroplanësh.

Ndërkohë, që është duke e pritur edhe realizimin e blerjes së një flote ajrore, aeroplanë lufte nga Franca.

Ndërkohë, që vazhdon të mos sanksionohet për raportet me Rusinë, mosvënien e sanksioneve, si një vend partner i Bashkimit Europian (BE).

Këto ditë e mori vëmendjen vendimi i qeverisë së Britanisë së Madhe, e cila i sanksionoi dy politikan serb të BeH-së, Milorad Dodikun dhe Zaljka Cvijanoviçin për tentim të prishjes së marrëveshjes së Daytonit dhe përpjekje për ndarjen e Bosnje dhe Hercegovinës.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, e cila akuzoi dyshen se ishte trimëruar nga agresioni i Vladimir Putinit në Ukrainë.

“Këta dy politikanë po dëmtojnë qëllimisht paqen e fituar me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë", tha sekretarja Truss në një deklaratë.

“Të inkurajuar nga Putini, sjellja e tyre e pamatur kërcënon qëndrueshmërinë dhe sigurinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, shtoi tutje ajo.

Milorad Dodik është anëtari serb presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa Zhelka Cvijanoviç është presidente e entitetit të Republikës Serbe.

Këta dy nuk janë vetëm, ata kanë mbështetje të madhe nga Serbia, në vazhdimësi, duke e mbështetur ndarjen e Republikës Serbe nga Bosnja, dhe ajo t’i bashkohet Serbisë. Po ashtu lideri i serbëve të Bosnjës, i korruptuari Dodik ka takuar disa herë Putinin, sy me sy, dhe është inkurajuar për ndarje, qoftë edhe me luftë, por që të pres sinjalin e Moskës.

Ky bashkëpunim trepalësh vazhdon të vlerësohet shumë i rrezikshëm për sigurinë në Ballkan, kur i shtohet edhe niveli i armatimit të Serbisë.

Por, a mund të ndodhë sanksionimi ndaj liderëve të Serbisë, për veprimet kërcënuese që po bëjnë në vazhdimësi ndaj Kosovës, përfshirjen në krim të organizuar, përpjekjeve për destabilitet në Ballkan dhe raporteve delikate me Rusinë dhe Putinin, i cili po kryen gjenocid në Ukrainë!?

Qarri: Vendet e Perëndimit, si duket e kanë të vështirë ta sanksionojnë Serbinë

Image
Analisti politik Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri u shpreh se bota mund të befasoj me sanksionim të liderëve që po flasin për fe dhe nuk po lejojnë ta zhvillojnë vendin si duhet, duke cekur kështu udhëheqësin çeçen Ramazan Kadirov me grupet e tij terroriste.

“Në Kosovë zëdhënësit më të zhurmshëm të politikës dhe vlerësuesit e parë të pa ftuar tipik, të ngjarjeve ndërkombëtare, janë hoxhallarët, të cilët atakojnë publikisht Ukrainën si vend i sulmuar ushtarakisht nga Rusia dhe lartësojnë Rusinë si okupatore e këtij vendi, duke e vendosur Kosovën në krah të agresorit rus, vetëm pse në okupimin e Ukrainës merr pjesë edhe udhëheqësi çeçen Ramazan Kadirov me grupet e tij terroriste, kam frikë se nuk do të jetë e largët dita, kur bota perëndimore, në vend të sanksionimit të liderëve serb, do të detyrohet ti sanksionoj shqipfolësit politik të hoxhallarëve turko-arab në Kosovë të cilët nuk po lejojnë të kuptohet, nëse vërtetë jemi shtet arab, apo vend dhe popull autokton evropian”, u shpreh ai.

Më tej, Qarri përmend ngjarjet e fundit në vend që u ndërmorën në lidhje me krimin dhe korrupsionin, duke lënë të arrestuar një numër të madhë të policëve që kanë qenë të inkriminuar nga kasta e vjetër.

“Prandaj shtetet e Perëndimit të konfrontuara me stërkeqen katastrofale të gjendjes në Kosovë, ku politikën e determinojnë hoxhallarët, korrupsionin galopant e krimi i organizuar nuk kanë të ndalur, nuk kalon javë pa u akuzuar dikush dhe brenda 2 orëve, arrestohen mbi 50 policë e doganier, ndërsa një rast si ai "Toka" zvarritet nga gjykata për më tepër se 6 vite, kurse Këshilli Prokurorial i Kosovës, përkundër të gjitha vërejtjeve publike të përfaqësuesve ndërkombëtar, votoi në mënyrë të kundërligjshme për kryeprokuror të shtetit, një ish prokuror të inkriminuar të kastës së vjetër, duke ngritur në këmbë të gjitha ambasadat e vendeve mike. Krejt këto, bëjnë që vendet e Perëndimit, përkundër solidaritetit të udhëheqjes serbe me Rusinë, vërtetë ta kenë të vështirë ta sanksionojnë Serbinë”, thotë analisti.

Ndërsa në lidhje me kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës, Qarri thotë se shpëtimtarët e tyre gjenden brenda Kosovës duke vazhduar ai përmend edhe sanksionimin e dy politikanëve serb të Bosnje Hercegovinës nga Britania e Madhe.

“Kështu që vet Kosova është bërë pengesa më e madhe dhe shkaktarja kryesore se pse Britania e Madhe, si dhe vendet tjera të Perëndimit, nuk po tregojnë vullnet të fillojnë ti sanksionojnë liderët e Serbisë, për blerjen e pareshtur të armëve nga Rusia e Kina, përkundër kërcënimeve për ndarjen me forcë të Kosovës, nga Vuçiqi, Daçiqi, Vulini etj, sepse shpëtimtarët e tyre, gjenden në Kosovë, në mesin tonë. Madje megjithëse Britania e Madhe sanksionoi dy politikanët serb të Bosnjë Hercegovinës, si Milorad Dodik e Zeljko Cvijanovic për tentim të prishjes së marrëveshjes së Daytonit dhe përpjekjeve për ndarjen e Bosnjës”, potencoi ai.

Mehmeti: Perëndimi të qëndroj prapa parimeve të veta për të sanksionuar Serbinë

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

Në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, flet analisti politik, Faton Mehmeti, i cili thotë që Perëndimi nëse vazhdon parimet e veta duhet ta sanksionoj edhe Serbinë, duke filluar nga Vuçiqi dhe shumë politikanë të Serbisë.

“Nëse Perëndimi u qëndron parimeve të veta dhe i ndjek ato, sigurisht se duhet të sanksionojë edhe Serbinë. Liderët e Serbisë duke filluar nga Vuçiqi, Daçiqi dhe të tjerët gjithnjë kanë shfaqur armiqësi ndaj Kosovës duke e kërcënuar edhe me luftë. Me këto veprime Serbia vetëm sa po e mban pulsin e BE-së dhe ShBA-së, të cilat nëse nuk reagojnë, Serbia mund të bëjë veprime të tjera”, foli ai.

Analisti ndër të tjera shton që Vuçiqi dhe Daçiqi duhet të futen në listë të zezë, ndërsa Britania duhet të vazhdoj sanksionet ndaj liderëve të Serbisë siç veproi me ata të Bosnjës.

“Reagimi duhet të jetë jo vetëm me deklarata por me veprime konkrete duke filluar nga non grata për Vuçiqin dhe Daçiqin, pse jo edhe në listë të zezë të tyre. Britania në anën tjetër mos të ndalet me sanksione ndaj liderëve të Serbisë, siç veproi me ata të Bosnjës”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat