Pas 20 vitesh Drejtësi të nëpërkëmbur/ Qeveria Kurti “dridh” sistemin e degraduar dhe të inkriminuarit!

Politika

Pas 20 vitesh Drejtësi të nëpërkëmbur/ Qeveria Kurti “dridh” sistemin e degraduar dhe të inkriminuarit!

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 17 prill 2022 Në ora: 17:34
Foto ilustrim

Kosova vazhdon të ketë një sistem tejet të degraduar të drejtësisë.

Shumë lëndë i ka mbuluar pluhuri nëpër sirtarët e institucioneve të drejtësisë në vendin tonë. Është thënë e stërthënë që drejtësia përbën një nga plagët më të rënda në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës, por fatkeqësisht është bërë shumë pak në ndryshimin e gjendjes.

Qytetarët e ndjejnë në lëkurën e tyre drejtësinë e dështuar, derisa organizatat e rëndësishme vendore e ndërkombëtare publikojnë në vazhdimësi raportet e tyre të detajuara, pse ky sistem është katandisur në gjendje të rëndë.

Për sistemin e dështuar të drejtësisë në Kosovë tregon më së miri rasti i votimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit, të cilin me 11 vota për e votuan anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Kjo zgjedhje u kontestua nga organizatat e ndryshme dhe Ambasadat e shteteve mike në Kosovës, me arsyetimin se KPK ka dështuar të sigurojë një proces të drejtë, të paanshëm, të pavarur dhe të bazuar në meritokraci.

Këtyre reagimeve iu bashkuar edhe Zyra e Presidentes Vjosa Osmani, zyrtarë të së cilës kanë thënë se duke e ditur rëndësinë e këtij procesi, po e shqyrtojnë dhe analizojnë dokumentacionin e pranuar për zgjedhjen e Isufajt, si dhe të gjitha faktet dhe rrethanat që lidhen me këtë proces.

“Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”.

E para e shtetit, Vjosa Osmani, ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të jetë me integritet.

“Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit. Për veprimet e mëtutjeshme, mediat dhe opinioni publik do të njoftohet me kohë”.

Deri në një vendim të Presidentes për dekretimin ose jo të Isufajt, shpresa për një sistem drejtësie të ç`kapur vazhdon të rritet.

Një shpresë tjetër se do të ndodhë një gjë e tillë, është paralajmërimi për themelimin e Byro-së Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë nga ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Sipas raportimeve, kjo Byro do të funksionojë për të ditur nëse të hyrat e pagës së një individi përkojnë me pasurinë që ai e posedon.

Pastrimi i sistemit të drejtësisë nga qarqet kriminale është domosdoshmëri.

Një dëshmi, në mesin e qindra e mijëra të tjerave është përvoja personale e analistes Luljeta Aliu.

Ajo ka treguar maltretimet e saj nëpër prokurori që nga viti 2019, për shkak të një kallëzimi penal për mashtrim dhe deklarim të rremë kundër ish-bashkëshortit të saj, i cili pronat e përbashkëta të çiftit, i kishte regjistruar në emër të babait të tij.

Ka akuzuar Policinë dhe Prokurorinë si të korruptuara duke thënë se sistemi bashkëpunon me kriminelët për t`i lënë ata të lirë.

“Pra, ky sistem lëre që nuk e kryen punën mirë, por nuk e kryen fare detyrën e tij, e mbi të gjitha ta humbë të drejtën tënde duke i lënë qëllimisht kërkesat të vjetërsohen. Qytetari në këtë rast nuk mund të bëjë asgjë, sepse sistemi bashkëpunon me kriminelat për t'i lënë të lirë ata. Nuk ke as mundësi ankimimi. Kriminelët lirohen, prokurorët pasurohen, askush nuk dënohet e as që duhet të japë dorëheqje! Qytetarit i merret e gjitha, edhe prona edhe e drejta për të kërkuar drejtësi. Çudi që ende nuk e kanë marrë guximin me me vra në shtëpi time! Edhe nëse më vrasin, policinë e kanë korruptu moti kohë, sikur që e kanë zhdukë dosjen e dhunës në familje ashtu e rregullojnë edhe këtë ngjarje të duket se ndonjë hajn e ka bërë...”, ka shkruar Aliu.

Kjo është një pasqyrë e gjendjes në sistemin e drejtësisë në Kosovë, e cila urgjentisht duhet të ndryshojë për të mirë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat