Arrestime të reja nga Gjykata Speciale në Kosovë? Deklarohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar

Politika

Arrestime të reja nga Gjykata Speciale në Kosovë? Deklarohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar

Nga: A.ZH Më: 19 prill 2022 Në ora: 16:29
Foto ilustrim

Sot në mediat e Kosovës, u raportua se Gjykata Speciale do të vazhdojë së shpejti me arrestime të reja, në Kosovë.

Arrestimet e reja, sipas mediave do të bëhen në kohën kur po ndodhë gjykimi ndaj ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Hagë.

Gazeta “Bota sot” ka kërkuar përgjigje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, lidhur me këto raportime.

Por, ata janë përgjigjur shkurt se “nuk kanë asnjë koment”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka asnjë koment”, ka thënë për gazetën “Bota sot” Christopher Bennett, zëdhënës i Prokurorisë së Specializuar.

Lajmi vjen disa javë pasi në Kosovë zbarkoi njësiti përforcues i EULEX-it prej 92 policësh.

Në një konferencë të mbajtur në Prishtinë më 7 shtator 2021, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë se mandati i kësaj Gjykate varet nga Këshilli i Evropës.

E pyetur nga mediat, ajo kishte thënë se nuk e di nëse Prokuroria e Specializuar ka në plan që të ngrejë akuza ndaj personave të tjerë në Kosovë.

Deri tash Prokuroria e Specializuar ka ngritur akuza ndaj, ish krerëve të UÇK-së, ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Image
Ish krerët e UÇK-së; foto nga "Bota sot"

Prokuroria e Specializuar ka ngritur aktakuzë edhe ndaj ish ushtarit të UÇK-së, Sali Mustafa dhe dy udhëheqësve të shoqatave të dala nga Lufta, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Këta të fundit akuzohen për publikim të dokumenteve konfidenciale të Gjykatës dhe ngarkohen me veprat penale "kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat