“Kosova kërcënohet nga Vuҫiqi, opozita kërkon të mos ndihmohet armatimi i saj”

Politika

“Kosova kërcënohet nga Vuҫiqi, opozita kërkon të mos ndihmohet armatimi i saj”

Hava Xhukolli Nga Hava Xhukolli Më 20 prill 2022 Në ora: 18:11
Vuçiq

Mbi dy dekada pas luftës dhe gjenocidit serb, Serbia sërish kërcënon Kosovën me luftë dhe këtë e bën shumë shpesh. Sidomos në një situatë në të cilën ndodhet Evropa aktualisht, kur Rusia për rreth dy muaj po e sulmon Ukrainën. Serbia është ndër të vetmet vende që po del krahë Rusisë, derisa e gjithë bota po i del në mbrojtje Ukrainës.

Serbia në këtë rast duke u rreshtuar me Rusinë, po e sulmon dhe kërcënon Kosovën. Duke mos i mjaftuar kërcënimet nga liderët serbë, pak ditë më parë, Policia e Kosovës është sulmuar në veri të Kosovës.

Duke qenë në një situatë të tillë, a është Kosova mjaftueshëm e armatosur për t’u mbrojtur nga shteti serb? A duhet investuar më tepër në armatim?

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj pak ditë më parë ka deklaruar se Kosova është e armatosur dhe po vazhdon të armatoset dhe se është e sigurt.

“Kosova i ka institucionet e veta të sigurisë, ne i përcjellim ngjarjet jo vetëm në rajon, por edhe jashtë rajonit, gjeopolitikisht situata ka ndryshuar në shumë vende. Ne nuk biem pre e fjalëve, kërcënimeve, shantazheve të rreme siç ka bërë Serbia në tërë këto vite, ne e mbajmë atë gjakftohtësinë, Kosova është e sigurt, i ka institucionet e sigurisë, ne kemi bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in, kështu siç thoshte një plak, merru me atë që e dimë, e njerëzit të flasin çka të dojnë”, ka theksuar Mehaj.

Megjithatë, pak kohë më parë është themeluar edhe Fondi i Sigurisë, që Kosova mirëpret investimet në këtë fond për ҫështje të sigurisë.

Lidhur me çështjen e armatosjes së Kosovës, flet për ‘Bota sot’, deputeti Mefail Bajqinovci nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, thotë se Qeveria ka dyfishuar buxhetin për ushtri dhe do të investohet edhe më tutje.

Bajqinovci: Po punohet sa më shumë rreth armatosjes

“Qeveria e Kosovës e ka dyfishuar buxhetin për ushtri si dhe do të investohet edhe më tutje në modernizimin e FSK-së. Armatosja e FSK-së është duke u bërë dhe po punohet sa më shumë rreth armatosjes”, thekson deputeti i Vetëvendosjes.

Image
Mefail Bajqinovci

Sa i përket Fondit të Sigurisë, ai thotë se duhet të ndihmohet nga të gjithë dhe të mos dëgjohen zërat nga opozita që të mos ndihmohet ky fond, pasi i quan si ‘zëra të njëjtë me Vuҫiqin’.

“Fondi i sigurisë duhet të ndihmohet nga të gjithë edhe pse ka përpjekje nga opozita, zëra që ky fond mos të ndihmohet. Këta zëra janë të njëjtë sikurse me Vuҫiqin, pra ky Fond duhet të ndihmohet sa më shumë”, thotë deputeti Bajqinovci.

Gazeta ka kërkuar qëndrime edhe nga deputetë të opozitës, mirëpo të njëjtit nuk e kanë komentuar këtë ҫështje.

Tërnava: Kosova gjithnjë duhet të llogaritë dhe t’i del në mbrojtje territorit të vetë

Ndërsa, eksperti i sigurisë dhe ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava në një prononcim për “Bota sot” thotë se, Kosova me territorin e saj që e ka, dhe fqinjët me të cilët gjendet për rreth, e sidomos me Serbinë që ende është në konflikt të mëtutjeshëm, që pas luftës e deri më tani, gjithnjë duhet të llogaritë dhe t’i del në mbrojtje territorit të vetë si me njerëz ushtarak, si me armatim të kohës që këto teknika gjithnjë avancohen. 

Image
Hajrullah Tërnava

Prandaj, nëse përcillen teknikat e armatimit më të avancuara të kohërave, ato e kanë efektin e rëndësishëm te kundërshtarët tonë, sepse nënkuptohet që ai shtet që iu jep përparësi armatimit të fortë dhe furnizohet me atë armatim modern, më të avancuar si dhe të teknikave të mbrojtjes së territorit të atij shteti të tyre, edhe shtetet e tjera që janë në konflikt, hezitojnë që të kenë ndonjë konflikt me atë shtet, i cili është i armatosur me armatimin modern, por të mos harrojmë se shtetin e Kosovës e ka ndihmuar me u çliruar dhe me u pavarësu shteti ynë mik Amerika me NATO-n, që Kosova duhet të bëjë ҫmos t’ju rrijë afër dhe të jetë pjesë përbërëse në ҫdo aspekt, e Amerikës dhe aleatëve të tjerë në NATO”, thekson Tërnava.

Andaj sipas tij, ‘vetë qëndrimi pranë shtetit tonë, i shtetit mik Amerikës, e ka efektin e vet, që shtetet tjera, që kanë pretendime agresive ndaj shtetit tonë, nuk do të guxojnë që të ndërmarrin hapa agresivë ndaj nesh, sepse e dinë ata forcën dhe seriozitetin e Amerikës, se sa ka harxhuar për shtetin e Kosovës, për pavarësimin e saj, kur dihet nga e tërë bota se ne jemi si produkt i ekzistimit si shtet nga Amerika dhe aleanca e saj NATO-ja, dhe shtetet tjera që i përkasin kësaj aleance’.

“Armatimi i një ushtrie është gjithnjë një forcë dhe siguri e atij shteti që është me këto teknika të avancuara, me një siguri për një të ardhme më të sigurt e sidomos nëse është në këto aleancat e forta botërore sikur që është NATO-ja. Krahasuar me armatimin e mëparshëm tani Kosova mund të llogaritet se është e armatosur mirë, por gjithnjë duhet të jetë e gatshme të armatoset në hap me kohën dhe të përcillen avancimet e armatimeve në tërë botën, e sidomos armatimin që e bëjnë shtetet që janë në konflikt me shtetin tonë, sikur që është Serbia, prandaj duhet që të jemi koherent me atë shtet nga i cili, na kanoset konflikti i armatosur-lufta, prandaj armatimet më moderne që arrin me i pas për ushtrinë tonë, duhet të bëhet ҫmos për një qëllim të tillë”, thekson ai.

Eksperti i sigurisë: Kosova në situatën në të cilën gjendet tani gjithsesi se duhet të bëjë çmos që të sigurojë fonde për armatimin

Sipas ekspertit të sigurisë, Kosova në situatën në të cilën gjendet tani gjithsesi se duhet të bëjë ҫmos që të siguroj fonde për armatimin që i duhet ushtrisë së saj, qoftë nga fondet e Kosovës si shtet që është tani, apo edhe nga diaspora e saj që gjendet e shpërndarë në tërë botën, e që iu gjend edhe në të kaluarën me fondet e saj si 3% dhe “Vendlindja thërret”.

“Edhe pse diaspora si e nënçmuar që po kritikohet nga shumë njerëz, edhe eminent brenda Kosovës, dhe kritikat që po i ndodhin që pas luftës e këndej, edhe pse e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha kohërat pandërprerë, me aq sa ka pasur mundësi, diaspora është e zhgënjyer në shtetin e Kosovës, sepse edhe ato fonde që dikur ishin dhe i ndihmuan shumë Kosovës, ka fakte e argumente se janë në shumicë të keqpërdorura nga ata që i kanë mbikëqyrur-kontrolluar ato fonde. Andaj ende ka kërkesa të tilla që të zbardhen ato keqpërdorime, sepse diaspora ndihmat që i bënë për ushtrinë, megjithatë do ta dijë për mjetet e harxhuara dhe që s’është mirë që të ofendohet edhe nga njerëz të politikës së Kosovës, sikur që ndodhi nga deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, e cila këto ditë në një shtet të BE-së bënte apel që mos të ndihmohet fondi i ushtrisë sikur që ka kërkuar kjo Qeveria në pushtet, apo qortime publike që iu bëhen diasporës përmes TV programeve”, thotë ai.

Tërnava thotë se prandaj kur politikat e Kosovës nuk janë të koordinuara mes veti dhe i kontribuojnë dëmtimit për iniciativën që është ndërmarrë nga Qeveria Kurti, që ka kërkuar nga diaspora për ndihmën e mundshme për fondin e ushtrisë së Kosovës.

“Prandaj ta kemi në konsideratë se edhe pjesa e diasporës është pjesë përbërëse e popullit të Kosovës, dhe sikur që dihet mjaft e ka ndihmuar Kosovën, si para, si gjatë dhe pas luftës, dhe jo vetëm me ndihma financiare, por edhe me angazhime të drejta për të rinjtë, që i kanë lënë familjet e tyre dhe kanë ardhur dhe kanë luftuar për çlirimin e vendit, që një numër i madh nga ta janë edhe dëshmorë si dhe veteranë të luftës”, thotë Tërnava për “Bota sot”.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat