Bashkëluftëtari i Sali Çekajt i drejtohet publikisht Skënder Hysenit: Përgjigju në këto pyetje

Politika

Bashkëluftëtari i Sali Çekajt i drejtohet publikisht Skënder Hysenit: Përgjigju në këto pyetje

Nga: P.R Më: 21 prill 2022 Në ora: 20:53
Skënder Hyseni dhe Hashim Thaçi

Anëtari i LDK-së dhe ish Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni ka thënë se po ta dinte që Gjykata Speciale do të rrëshqiste deri këtu, atëherë ai nuk do ta votonte për 1 mijë vjet.

“Dhomat e specializuar që po quhet Gjykatë Speciale janë votuar në Kuvend të Kosovë me një premisë të vetme hulumtimi dhe investigimi i pandemave në raportin e Dick Marty për trafikim organesh me qenie njerëzore. Kjo ka qenë arsyeja bosht pse është kërkuar nga Kosova, ndërkohë që sot sipas të gjitha informacioneve, ajo Gjykatë, asnjë pa përjashtim nuk merren me këtë temë fare. Ka pas dilema të mëdhaja të votohet apo të mos votohet. Jam bind që të votohet pikërisht për atë arsye. Po ta dija se do të rrëshqiste në diçka çfarë ka rrëshqitur nuk do ta votoja për 1 mijë vjet. Besoj se pjesa dërrmuese e deputetëve të asaj kohe mendojnë kështu”, ka deklaruar Skënder Hyseni, duke i dal kështu në mbrojtje Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit e të tjerëve, të cilët nga Gjykata Speciale akuzohen edhe për vrasjen e bash partiakëve të Skënder Hysenit, anëtarëve të LDK-së.

E ndaj kësaj deklarate të Hysenit ka reaguar anëtari i LDK-së, Saim Tahiraj, njëherit edhe bashkëluftëtar i heroit, Sali Çekaj.

Image
Saim Tahiraj

“Zhvillimet e punimeve në gjykatën Speciale në Hagë, kohëve të fundit shpërfaqen shumë ngjarje interesante të cilat ju a hoqën maskat disa individëve të cilët patën pozita të rëndësishme në strukturat drejtuese të LDK-së”, thotë Tahiraj.

Sipas tij, disa anëtarë të LDK-së me dëshminë në Gjykatën Speciale, kanë treguar se ishin pjesë e atyre që kryen vrasjet e anëtarëve të LDK-së.

“Disa prej tyre me dëshmitë që dhanë pranë kësaj gjykate, treguan se jo vetëm që nuk ishin në LDK, por ishin pjesë mbështetëse e atyre individëve që po gjykohen për dyshimin e vrasjeve të mbi njëqind veprimtarëve dhe figurave drejtuese të LDK-së. Disa të tjerë me deklaratat e tyre dëshmuan po të njëjtën gjë fatkeqësisht, si p.sh. deklarata e Skënder Hysenit!”, thekson Tahiraj.

“Të deklarosh se ke votue nën presion themelimin e kësaj gjykate dhe se tani pendohesh, është treguesi më i mirë se kemi të bëjmë me karakter të dobët të individit. Një deputet me karaktere dhe bindje të forta, asnjëherë nuk guxon të voton nën presion jashtë vullnetit të tij!”, shton Tahiraj, i cili ka drejtuar disa pyetje ndaj Skënder Hysenit.

“Unë po e pyes Skënder Hysenin se cila ishte bindja e juaj e vërtet, kur e votuat, sot që jeni penduar apo nesër që prapë do e ndryshoni qëndrimin? Cili është qëndrimi dhe bindja e juaj e vërtet për aktakuzën ku përfshihen vrasjet e rreth njëqind veprimtarëve të LDK-së? Atëherë kur votuat nën presion, tani që jeni penduar apo nesër ku do ndryshoni përsëri? Pse paska rrëshqitur dhe në cilin drejtim Gjykata Speciale? Mos vallë në atë drejtim ku në një rrugicë apo kënd do ju takoj juve dhe disa të tjerëve që po e sulmoni dhe po dëshmoni rrejshëm?”, shprehet Saim Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Gjykata Speciale do t’i zbardh të gjitha vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Zhvillimet e ardhshme në këtë gjykatë do ta dëshmojnë se kush do të takohet me të, çfarë do të zbulohet në të vërtetë. Mos u ngut Skënder Hyseni me deklarata të tilla sepse ndoshta nesër prapë do i ndryshoni deklaratat tjera, vetëm ata që janë të pastër, janë stabil, të qëndrueshëm dhe me karakter të fortë. Dhashtë Zoti dhe kjo gjykatë të zbardhi të vërtetat, fajtoret të marrin dënimin e merituar dhe njëherë e përgjithmonë të lirohet Kosova dhe populli i sajë nga misteret e vrasjeve politike. Vetëm atëherë do jetë liria e plotë”, përfundon për “Bota sot” anëtari i LDK-së dhe ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat