Përfituan katër milionë euro, dhe nuk hoqën dorë nga mashtrimi!

Politika

Përfituan katër milionë euro, dhe nuk hoqën dorë nga mashtrimi!

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 24 prill 2022 Në ora: 08:29

Ditë më parë ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se Dogana ka gjetur parregullsi dhe shmangie të akcizës të katër subjekteve ekonomike që merren me përpunimin e produkteve të naftës dhe parregullsi të tjera.

“Në kuadër të kompetencave të veta, Dogana e Kosovës ka kryer analiza dhe kontrolle te katër subjekte që merren me përpunimin e produkteve të naftës dhe ka gjetur parregullsi të shumta që pengojnë mbikëqyrjen, rrezikojnë cilësinë e produkteve dhe mund t’i sjellin dëm buxhetit të shtetit”.

Kompanitë manipuluese, 10 fish më shumë sulfur se ‘doza’ e lejuar

Si pasojë e këtyre rezultateve, ajo ka njoftuar se ministria kishte marrë vendim për pezullimin e licencave të këtyre kompanive të naftës.

“Dogana ka pezulluar autorizimet, përkatësisht nuk iu ka vazhduar autorizimet katër subjekteve. Theksojmë se disa nga subjektet iu kanë shitur produktet e naftës kompanive të palicensuara, nuk kanë përdorur mjete matëse të verifikuara, si dhe kanë shmangur akcizën duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit. Këto veprime dhe mosveprime përbëjnë shkelje të ligjit, prandaj duke u mbështetur në faktet që ka konstatuar Dogana ne si Ministri e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ua kemi revokuar dhe pezulluar katër subjekteve lejet për importin e lëndës së parë, deponimin e lëndës së parë dhe produktit final, si dhe shitjen me shumicë të produktit final – që është vaji i rëndë ose mazut”, ka thënë ajo.

Kompanitë të cilave iu është revokuar licenca janë: “Kosova Refinery”, “Kulla Exim”, “In OIL”, “Petrol Company”, ka njoftuar ministrja Hajdari në një konferencë për medie.

Ndërsa, së fundmi zëvendësministri Getoar Mjeku shkroi në tviter: "Një kompani naftëtare i ka shitë ushtrisë së Kosovës dizel me 77,4 ppm squfur. Maksimumi i lejuar është 10 ppm. E njëjta kompani ka përfituar mbi 4 milionë euro lirim nga akciza gjatë viteve 2018–2020 për gjoja përpunimin e naftës".

Organizohet krimi nga Serbia?!

Lidhur me atë se a duhet të hetohet kompania e naftës, e cila ka përfituar rrejshëm rreth 4 milionë euro, ndërsa ka shitur naftë me nivele sulfuri tetë herë më shume se ai i lejuari, si dhe a duhet të arrestohen pronarët apo menaxherë te saj Juristi Muhamet Kelmendi, ka potencuar se po tolerohen shumë vepra të dyshimta, përfshirë kontrabandat serbe, me ç’rast organizohen nga Serbia ndërsa akuzohet Kosova.

“Krimi është dukuri e rrezikshme për shtetin ligjor lufta kundër krimit dhe korrupsionit, kundër kontrabandës dhe të dukurive të tjera të ndaluara është një nga sfidat më të rënda të pushtetit në Kosovë. Ka shumë kohë që shumë vepra të dyshimta po tolerohen nën presionet e ndryshme. Sidomos është toleruar krimi dhe kontrabanda serbe, e organizuar nga shteti serb, në veri të vendit dhe nëpër komunat serbe. Këtë e tregojnë veprimet e bëra nga prokuroria në në Ferizaj për krimet në Shtërpcë. Organizohet krimi nga Serbia dhe pastaj akuzohet Kosova se është shtet kriminal. Në anën tjetër, krimi më i organizuar dhe shumë i përgatitur është nga sektori privat. Këtu bënë pjesë sektori i naftës dhe i derivateve të saja”, thotë ai.

Kelmendi tutje i ka përmendur disa nga format kriminale, siç janë sipas tij, manipulimet me çmime, pastaj edhe veprimtaria me naftë.

“Këto forma të punës kriminale kanë krijuar përfitime të mëdha. Format e tilla të krimit vijnë nga manipulimet me çmime dhe me afatet e skadimit të mallit. Blihen mallra të lira me afate të skaduara. U shtohen tiketat e reja dhe shiten me dy a tri herë më shtrenjtë. Formë tjetër e krimit është veprimtaria me naftë dhe me derivatet e saj. Sa kontrollohen nuk di. Mirëpo, në çdo pikë të karburantit nuk hasë askush në karburante të pastërta. Përqindja e ujit është për dy a tri herë më e lartë. Përfitimi më i madh është bërë nga shitja e naftës me sulfur shumëherë më të mëdha se sa norma e lejuar”, shtoi Kelmendi.

Sipas tij, arsyeja që nuk kapen kriminelë është se janë të organizuar mirë, madje janë edhe me ndikim në shoqëri, gjë e cila ndikon edhe në tolerim nga shteti.

“Këtu hyjnë edhe përfitimet e bëra gjatë viteve 2018-2020 me lirim nga akciza gjoja për përpunim të naftës. Flitet se janë mbi 4 milionë euro. Fjala e urtë popullore thotë: “nuk hahet kashta, por paratë e sigurojnë fitimin”. Me këtë populli ka thënë se dënimet dhe ndjekjet janë shumë më të rënda për të pasurit se sa për të varfëritë. Tek të varfëritë ke kashtë, ndërsa te keqpërdoruesit dhe kriminelët ka para. Aty është interesi. Nuk ka ndonjë fakt tjetër pse nuk kapen këta keqbërës. Ata janë mirë të organizuar dhe kanë ndikim në shoqëri. Shteti i toleron”, përfundon Kelmendi.

E patolerueshme

Ndërsa, ekonomisti Mustafë Kadriaj, thotë se duhet të dalin para drejtësisë të gjithë ata që mashtrojnë, pra duke filluar nga abuzuesi e deri tek bizneset.

Image
Mustafë Kadriaj

“Vlerësoj që nuk ka vend për hamendje, nëse është dëmtuar konsumatori i mbetet organeve kompetente që të veprojnë sipas ligjeve në fuqi për të marr dënimin kapital, jo vetëm kompania në fjalë, por kushdo që e mashtron konsumatorin, në cilit do nivel të shërbimit, duhet të del para drejtësisë dhe ta merrë dënimin e merituar, ku një dënim kapital ka dy anë të medaljes. Së pari abuzuesi duhet të marr dënimin e merituar, së dyti do të ishte leksion për bizneset tjera që mos të mashtrojnë konsumatorin duke ua kujtuar që do të përballen me ligjin”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat