“Kapërcimi radikal” i Skender Hysenit kundër Drejtësisë për zbardhjen e vrasjeve politike, të LDK-së

Politika

“Kapërcimi radikal” i Skender Hysenit kundër Drejtësisë për zbardhjen e vrasjeve politike, të LDK-së

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 25 prill 2022 Në ora: 17:55
Vrasjet politike në Kosovës, foto ilustrim

Ishte viti 2011 kur me 166 vota pro, 8 kundër, me 9 të përmbajtura, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte miratuar Rezolutën me të cilën kërkonte hetime për trafikimin e organeve në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, siç ka akuzuar në raportin e tij ish-deputeti zviceran, Dick Marti.

Hetimet paraprake nga prokurori amerikan Uilliamson, do të hidhnin poshtë akuzat për trafikimin e organeve, që ishte pretendimi kryesor i Martit, derisa do të hapej udha për themelimin e një gjykate speciale, e cila do të merrej me hetimin e krimeve të para, gjatë dhe pasluftës të kryera në Kosovë.

Një kthim mbrapa nga figurat e LDK-së

Mes kundërshtimeve të mëdha e replikave të shumta Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015, iu dha drita e gjelbër nga Kuvendi i Kosovës, themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Por, njëri nga deputetët që kishte votuar pro-themelimit të gjykatës speciale, duket sikur është penduar për këtë veprim. Bëhet fjalë për ish-ministrin e Punëve të Jashtme Skender Hyseni, i cili ka thënë se po ta dinte që gjykata speciale do të rrëshqiste deri këtu, nuk do ta votonte për një mijë vjet.

“Gjykata Speciale është votuar për një premisë të vetme, hulumtimin dhe investigimin e raportit të Dick Martit për trafikim organesh të qenieve njerëzore. Skandali me Dick Martin dhe gjoja kërcënimet që po i bëhen atij, ka qitur në sipërfaqe diçka tjetër. Pse Kosova institucionalisht do të duhej të merrej pak më nga afër, është një arsye tjetër madhore. Gjykata Speciale është votuar në Kuvend të Kosovës me një premisë të vetme hulumtimi dhe investigimi i dyshimeve në raportin e Dick Marti për trafikim organesh me qenie njerëzore. Kjo ka qenë arsyeja bosht pse është kërkuar nga Kosova, ndërkohë që sot sipas të gjitha informacioneve, ajo gjykatë, asnjë pa përjashtim nuk merret me këtë temë fare. Ka pasur dilema të mëdha të votohet apo të mos votohet. Jam bindur që të votohet pikërisht për atë arsye. Po ta dija se do të rrëshqiste në diçka çfarë ka rrëshqitur nuk do ta votoja për 1 mijë vjet”, ka thënë ish-ministri.

Por, ai si duket ka harruar të përmend që Gjykata Speciale është formuar edhe për hetimin e vrasjeve politike, të kryera ndaj kundërshtarëve politik, nga grupi i atyre që po akuzohen në Hagë, e që ishin kryesisht veprimtarë e zyrtarë të LDK-së.

“Me gjithë këto vështirësi, unë jam i bindur se TFHS-ja ka zhvilluar hetimin më të plotë që është bërë deri sot për krimet e kryera pasi lufta përfundoi në Kosovë në qershor të vitit 1999. Si rezultat i këtij hetimi, ne besojmë se TFHS-ja do të jetë në gjendje të ngrejë një aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë të caktuar të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këta individë mbajnë përgjegjësinë për fushatën e persekutimit që është drejtuar kundër popullsive serbe, rome dhe pakicave të tjera në Kosovë si dhe kundër bashkëkombësve shqiptarë të Kosovës, të cilët i etiketuan si kolaboracionistët e serbëve ose, më shpesh, të cilët ishin thjeshtë kundërshtarë politik të udhëheqësisë së UÇK-së”, thuhet mes tjerash në raport.

Bajraj: z. Hyseni si personalitet ka ndodhur një proces "katarsisi politik"

 

Deklarata e Skender Hysenit ka ngjallur reagime të shumta për faktin se para, gjatë dhe pas luftës u vranë qindra veprimtarë të LDK-së. Dhe pritet të jetë pikërisht gjykata speciale ajo e cila do t`i zbardhë një pjesë të tyre.

Veprimtari i LDK-së, deklaratën e z. Skender Hysenit e konsideron qëndrim të skajshëm. “Oportunizëm i skajshëm i z.Skender Hyseni!”

Image
Fatmir Bajraj


“Kosova dhe shqiptarët e kanë vuajtur mungesën e drejtësisë, duke vuajtur kështu padrejtësitë historike dhe duke u shndërruar në target dhe viktimë e regjimeve shtypëse dhe robëruese nga armiqtë e egër shekullor, andaj duhet të ngremë në kauzë nacionale drejtësinë dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, z. Skender Hyseni, shquhej si një figurë e moderuar dhe e artikuluar i politikës dhe i diplomacisë së Republikës së Kosovës në mbi tri dekada veprimtarie të ngjeshur, përfshirë periudhën e Presidentit Rugova dhe pasardhësve të tij deri më tani.

Ndryshimi, i kursit të tij në raport me bashkësinë ndërkombëtare, me theks të veçantë, gjykatën speciale dhe të akuzuarit e Tribunalit në krye me Thaçin, le një shije të keqe dhe hapë shumë dilema?”, thotë Bajraj.

Ndryshimi i kursit është i papranueshëm dhe tmerrësisht i skajshëm

Ai thotë se ky kamuflim tezash, si dhe promovimi dhe përpjekja për të rehabilituar H. Thaçin & Co, duke "harruar" vrasjet politike të përfshira në raportin e Dick Martit, mos-zbardhjen e tyre nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare gjerë më tani, jep të kuptohet se z. Hyseni si personalitet ka përjetuar një proces ‘kthimi’, "katarsisi politik"”.

“Ndryshe nuk shpjegohet ky "kapërcim" radikal dhe diskurs kundër drejtësisë dhe vetë viktimave, pjesë e së cilës janë ish-bashkëpunëtoret e tij dhe të Presidentit historik Rugova!

Gjykata Speciale, dhe çdo gjykatë tjetër, e cila ndihmon zbardhjen e vrasjeve politike dhe ndëshkimin e autorëve të krimeve, është e mirëseardhur për familjet e viktimave, LDK-në dhe vetë Republikën e Kosovës, kështu ishte deri dje edhe për z. Skender Hyseni, andaj ndryshimi i kursit është i papranueshëm dhe tmerrësisht i skajshëm”, është shprehur ai.

Sipas tij, fjalia e Hysenit se po ta dinte do të rrëshqiste deri këtu, s'do ta votonte për 1 mijë vjet, derivohet nga konstatimi paraprak për gjoja premisën e votimit të gjykatës speciale në Parlamentin e Kosovës, e cila sipas saj kishte pretendimin e raportit të Dick Marty për trafikim organesh, e që në të vërtetë “Skender Hyseni për Gjykatën Speciale: “s'do ta votonte për 1 mijë vjet”!

Kjo fjali kontekstuale e z. Hyseni derivohet nga konstatimi paraprak për gjëja premisën e votimit të Gjykatës Speciale në Parlamentin e Kosovës, e cila sipas saj kishte pretendimin e raportit të Dick Marty për trafikim organesh, e që në të vërtetë, Parlamenti i Kosovës nuk e kishte këtë “premisë”, por kishte detyrimin e votimit të Gjykatës Speciale pas miratimit të Raportit të Dick Martit në Këshillin e Evropës (KE), dhe tanimë, dilema ishte "hamletiane":

Bëjeni vetë, ose e bëjmë ne!

Parlamenti i Kosovës, ishte i mbështetur për muri, dhe zgjidhja ishte ; merre ose lere, por refuzimi i të parës nuk evitonte dot formimin e Gjykatës Speciale nga ana e bashkësisë ndërkombëtare dhe për efekt, pasojat për protagonistet dhe vendin do ishin më të rënda dhe më komplekse. Z. Skender Hyseni, mos u bëni ma katolik se Papa!”, u shpreh ai.

“Z. Skender Hyseni, duhet t'i thërras mendjes”

Bajraj rikujton se vet z.Thaçi, z.Veseli, z.Krasniqi dhe të tjerët, kishin lobuar fuqishëm për kalimin e ligjit në Parlament për gjykatën speciale, meqë ishin të vetëdijshëm për pasojat e refuzimit eventual, andaj kundërshtimi i saj do të ishte absurd dhe i pa sens.

“Zaten, "trafikimi i organeve", ishte levë e Raportit të Dick Martit në KE dhe jo premisë e Parlamentit të Kosovës!

Krimet, përjashto "trafikimin e organeve" si farsë kishin ndodhur në periudhën përfshirëse të Raportit të senatorit Dick Marty, dhe të njëjtat nuk ishin gjykuar nga drejtësia vendore, dhe për pasojë, kriminelët ishin të lirë dhe vrasjet mbetën enigmatike dhe misterioze, fakt ky që zgjoi reagimin ndërkombëtar dhe kryesisht Rusinë dhe Serbinë si ko-autore të Raportit të Dick Martit.

Përkundër dëmit politik që i solli Kosovës formimi i Gjykatës Speciale, megjithatë, formimi i saj ishte imediat, së paku për zbardhjen e vrasjeve politike dhe ndëshkimin e autorëve të atyre krimeve, krerët e të cilëve gjenden në Hagë, dhe të cilët duhet të japin llogari për bëmat e tyre kundër shqiptarëve dhe atdheut të tyre. Z. Skender Hyseni, duhet t'i thërras mendjes, dhe të kthehet në binarët e moçëm të qasjes dhe rezonimit politik, euro-perëndimor, në "lokomotivën" e Presidentit Rugova e cila kulmoi & kurorëzoi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe jo duke promovuar të kundërtën e atyre vlerave, përkatësisht duke rehabilituar të akuzuarit për krimet e lartpërmendura kundër oponentëve politik, kryesisht bashkëpunëtorë të Presidentit Rugova”, ka përfunduar Bajraj.

Haziri: Drejtësia për këto raste nuk është ”rrëshqitje”

Image
Nexhat Haziri

 

Deklarata e Hysenit ka nxitur reagimin e publicistit Nexhat Haziri, i cili e ka pyetur ish-ministrin se pse qenka “rrëshqitje” hetimi i vrasjes së Enver Malokut, kolonel Ahmet Krasniqit, Xhamail Mustafes, Ismet Raci, Tahir Zemajt etj.

“Një hipokrit si Skenda! Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha se po ta dinte që gjykata speciale do të rrëshqiste deri këtu, nuk do ta votonte për një mijë vjet.

-Pse çfarë paske menduar Skendo, se bëhet dasmë atje, jo Skendo jo.

Kjo “rrëshqitje” sipas teje po u bëka pse kjo gjykatë po merret me rastet e vrasjeve të aktivistëve të LDK-së gjatë luftës dhe pas, krime këto me të cilat për një mijë vjet nuk do të ishte marrë drejtësia vendore.

Skendo pse na qenka rrëshqitje hetimi i vrasjes së Enver Malokut, kolonel Ahmet Krasniqit, Ismajl Berbatovcit, Ismet Rrahmanit, Ramiz Hoxhes dhe Selman Binishit, Haki Imerit, Shefki Popoves, Xhamail Mustafes, Shaban Manajt, Ismet Racaj, Bekim Kastrati e Besim Dajakut, Smajl Hajdarajt, Tahir Zemaj, e shumë e shumë të tjerë”, ka thënë ai.

Tutje, Haziri thotë se Hyseni dhe tjerët si ai dhe miqtë e tij në LDK, janë kujtuar t`i përmendin të vrarët për motive politike vetëm gjatë fushatave zgjedhore.

“Drejtësia për këto raste nuk është “rrëshqitje” o Skendo, por obligim human e kombëtar, gjë të cilën ti dhe dostat e tu i përmendshi vetëm në fushata zgjedhore për të mbledhur vota, por kur vinit në pushtet, as një hap nuk e bënit për t’i zbardhe këto krime dhe që kriminelët të viheshin para drejtësisë”.

“Nuk e bëtë, pasi edhe nuk mund ta bënit, sepse vrasësit, apo urdhërdhënësit i bënit miq e bashkëpunëtorë në pushtet e biznes”, thotë Haziri.

Madje, ai e çon më tej këtë ide për Hysenin, duke besuar se ai mund të jetë një dëshmitar mbrojtës i Thaçit me të tjerë.

“Skendo, hiq nuk habitem më nëse të shoh si dëshmitar i mbrojtjes të ndonjë të akuzuari në Gjykaten Speciale për rastet e vrasjeve politike.

Zaten, në mendjen tënde “inteligjente” është gravuar thellë ajo thënia “I vdekuri me të vdekurit, e i gjalli me të gjallët”. Punë e madhe pse është vrarë kolonel Ahmet Krasniqi apo Xhemajl Mustafa, apo jo Skendo!”, ka përfunduar Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat