Vuçiqi afër ‘dorëzimit’ – rruga alternative i ka përfunduar/ Paralajmërim i rëndësishëm për dialogun Kosovë-Serbi

Politika

Vuçiqi afër ‘dorëzimit’ – rruga alternative i ka përfunduar/ Paralajmërim i rëndësishëm për dialogun Kosovë-Serbi

Nga: A.M Më: 25 prill 2022 Në ora: 23:31
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq, foto ilustrim nga "Bota sot"

Ndihmës sekretarja amerikane për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, u shpreh se është urgjente që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në dialog.    

Sipas saj, ky dialog është më se i nevojshëm që të sjell marrëveshjen me njohje të ndërsjellë mes pales serbe dhe kosovare, meqë kjo është mënyra e vetme që t’i përgjigjen Kremlinit për tendencat për destabilizim të rajonit.    

“Mënyra më e mirë për t’ju kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit, për ta destabilizuar rajonin, janë të thjeshta. Kosova dhe Serbia duhet të bëhen bashkë dhe në mënyrë urgjente të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, mbështetur fuqishëm nga SHBA-ja”.  

Analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se në 15 vitet e fundit është rikthyer fuqishëm ndikim rus në Ballkan.  

Sipas tij, ekzistojnë disa shkaqe që sollën këtë ndikim, e një nga to është edhe ardhja e Putinit në pushtet.  

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

“Nëse i analizojmë zhvillimet ndërkombëtare në dy dekadat e fundit, pas çlirimit të Kosovës, përkatësisht pas ardhjes së Putin-it në krye të shtetit rus.   

Nëse i bëjmë analizë aktivitetit, qasjes dhe qëndrimeve të një varg shtetesh e politikanësh evropian në raport me Kosovën.  

Nëse shohim zhvillimet pas opinionit të GJND-së.  

Atëherë mund të konkludojmë se sidomos në 15 vjeçarin e fundit, kemi pasur rikthim të madh të ndikimit rus në Europë, e për Ballkan as mos të flasim. Pra kemi parti politike si SPD e Gjermanisë që kanë qenë komplet në agjendën ruse, e bashkë me të me gjasë edhe politika zyrtare e Kancelarës Merkel në kuadër të koalicionit”, deklaroi analisti.    

Po ashtu, Duhanaj kërkoi që dialogu të jetë funksional dhe të mos i jepet hapësirë qarqeve rus për zhvillimin e planeve të tyre për destabilizim të rajonit.   

 

“Pastaj edhe parti tjera si kjo e znj. Le Pen në Francë e gjithandej nëpër Evropë e besa edhe në trojet shqiptare, të cilat janë financuar dhe mbështetur nga Rusia.  

Pra, ajo çfarë po ndodhë paralel me luftën në Ukrainë, është ç'kapja e Botës së lirë nga kthetrat e Rusisë.  

Plani rus për pushtimin e Ukrainës, sipas asaj që po shihet e ka përfshirë edhe destabilizimin e Ballkanit, gjë që akoma ka rrezik të ndodhë. Në këtë kontekst, është me rëndësi që procesi i dialogut të jetë funksional dhe të mos u lejohet hapësirë çarqeve destruktive për ndonjë zhvillim si alibi për planet ruse”, theksoi ai.  

Tutje, analisti konsideroi se vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë kanë rëndësi të madhe. Ai tha se Kosova nuk duhet të deklarohet assesi kundër zhvillimit të bisedimeve me Serbinë.    

“Vizitat e larta amerikane, për mendimin tim janë me rëndësi të veçantë, sidomos në raport me Kryeministrin Kurti i cili në këtë kontekst në të kaluarën nuk ka dhënë shenja konstruktive.  

Pra është me rëndësi që z. Kurti ta kuptojë rëndësinë e situatës dhe të mos mbajë qëndrime konfuze në raport me dialogun.  

Kosova është projekt amerikan dhe si e tillë do vazhdojë.  Ajo çfarë kërkohet nga ne është angazhim i sinqertë dhe konstruktiv. Kosova nuk bën të deklarohet kundër dialogut, e aq më pak të marrë rol destruktiv në proces”, vlerësoi Duhanaj.  

Në fund, ai potencoi se shteti serb tani e ka kuptuar se rruga e saj ka përfunduar dhe do të detyrohen ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.    

“Në anën tjetër, Serbia tanimë e ka kuptuar se rruga e saj alternative ka marrë fund.  Ata do të detyrohen ta njohin realitetin kosovarë sipas planeve ndërkombëtare. Ndikimi rus në Ballkan, bashkë me atë panislamik të cilat janë në koordinim të plotë, do të filloj të zbehet.  

Se a do ta kuptojnë shqiptarët me kohë ketë ndryshim, apo do t'u ndodhë si në të kaluarën që të vrapojnë me shekuj pas proceseve  do varet shumë nga ne. Pra SHBA, prapë do ta ketë primatin e superfuqisë së vetme, ndërsa a do jemi ne partnerët e besueshëm të saj apo jo, varet nga vetë ne. Serbia ketë e ka kuptuar dhe do të bëj të pamundurën që të ri pozicionohet”, përfundoi Leon Duhanaj për “Bota sot”.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat