Heshtja e opozitës karshi skandaleve të tyre në bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën!

Politika

Heshtja e opozitës karshi skandaleve të tyre në bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 prill 2022 Në ora: 08:01
Kuvendi i Kosovës

Në fillim të muajit prill, avionët transportues të forcave ajrore kineze fluturuan mbi Serbi.

Ky fluturim ngjalli kureshtje të madhe nga gjithë opinioni publik, ani pse Serbia ka miqësi të ngushtë me Rusinë dhe Kinën, përcjell “Bota sot”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian ka thënë në një njoftim për media se Kina “ka dërguar së voni furnizime të rregullta ushtarake” në Serbi.

Ai tha se dërgesa ka qëllim “zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kinës dhe Serbisë”.

Lijan nuk dha shumë detaje, por theksoi se projekti nuk synon asnjë palë të tretë.

Mirëpo, të heshtur karshi këtij veprimi e pa asnjë deklarim për media, ishte vet Serbia.

Por të heshtur në këtë situatë nuk mbeti vetëm Serbia, por edhe opozita jonë e cila në këto raste do të duhej ta ngrit zërin për të mirën e vendit, po e njëjta zgjodhi heshtjen.

Kjo heshtje sikur iu është bërë “mike”, pasi të njëjtit për çdo skandal që lidhen me ata nuk po flasin, derisa për qeverinë po vazhdojnë kritikat.

Më i zëshmi tashmë nga opozita po mbetet Abelard Tahiri, i cili së fundmi është deklaruar edhe për blerjen e shurdhueseve të armëve nga kabineti i atëhershëm i Thaçit.

Sipas Tahirit, kërkesa për tu pajisur me armë me shurdhues kishte ardhur nga njësia e sigurimit të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi.

Kërkesa ka ardhur nga njësia e sigurimit për nevojat e tyre. Janë marrë nga ata, janë kthy kur e kanë përfunduar mandatin edhe kaq”, ishte shprehur ai.

Padyshim ajo që tashmë po merr vëmendjen është heshtja e opozitës për të fshehur të bëmat e tyre dhe bashkëpunimet me shtetet armike të Kosovës.

Në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, kanë folur analistët politikë, duke u shprehur se një gjë e tillë është tashmë e pritshme nga opozita.

Mehazi: PDK-së po i zbulohen skandalet dita-ditës

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Ai u shpreh se PDK sa më shumë që kritikon qeverinë Kurti po zbulohen skandalet e tyre korruptive dhe lidhjet e tyre me Serbinë e Rusinë.

Partia opozitare e PDK-së sa më shumë që mundohet të kritikojë qeverinë e Kurtit me rastin e krizës energjetike aq më shumë skandalet korruptive ju zbulohen si këpurdhat pas shiut, se klani i PRONTO-s do jetë aq i rrezikshëm për Kosovën nuk ia ka kap mendja askujt, se për interesat e tyre korruptive ujin politik do ta çojnë në dëm të Kosovës e në dobi të Serbisë e Rusinë nuk ua kap rradakja edhe armiqve më të mëdhenj të Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, profesori shton që ka dyshime në deklaratën që deputeti Tahiri ka dhënë për shurdhuesit, duke kërkuar nga qeveria hetim të kësaj ngjarje.

Se oligarkët e PDK-së do lidhen aq fuqishëm me oligarkët të energjisë serbe askush nuk e ka menduar. Më e keqja e gjithë kësaj është blerja e armëve (silenciatori) shurdhuese me paratë e marra nga buxheti i Kosovës. E pyesim deputetin e PDK-së, Abelard Tahirin, se pse janë blerë këto armë shurdhuese e të pazëshme, kundër kujt janë blerë? Mos kundër qytetarëve e politikanëve që do kritikojnë oligarkët e PRONTO-s e për t'i vrarë shurdhshëm e heshturazi. E pyesim deputetin më të zëshëm të PDK-së, Abelard Tahirin, se blerja e këtyre armëve shurdhmemece a e kanë qëllimin e një super diktature të rrezikshme kundër atyre që janë të papërshtatshëm ndaj PDK-së, e për t'i eliminuar heshturazi? Qeveria si e qysh me zbulimin e këtyre armëve shurdhmemece duhet të padisë udhëheqësin kryesor të blerjeve të këtyre armëve të rrezikshme, e ai është vetë, Abelard Tahiri”, theksoi profesori.

Skandal të madhë për profesorin mbetet blerja e shurdhuesve nga kabineti i Thaçit.

Blerja e këtyre armëve shurdhuese është skandali numër një në botë kundër qytetarëve të Kosovës, kurrsesi ndryshe, skandal shtetëror që mund të hyjë në librin e ginisit”, foli Mehazi për “Bota sot”.

Ahmeti: Çdo përpjekje tendencioze e opozitës nuk mund t’i amnistojë keqqeverisjet e mbas luftës

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që opozita duhet të jetë konstruktive në mënyrë që të përfaqësoj qytetarët.

Image
Hidajet Ahmeti

Opozita duhet të jetë konstruktive, vetëm në këtë mënyrë mund të përfaqësoj interesat dhe problemet e qytetarëve. Por, në kontekstin e Kosovës, opozita e cila ka qeverisur nga mbas lufta e ka problemë ta kthej besimin në popull, pasi është katandisur nga qeverisjet e tyre”, thotë ai.

Analisti tutje shton që opozita duhet të zgjohet nga gjumi dogmatik dhe t'i kthehet opozitarizmit konstruktiv.

Çdo përpjekje tendencioze e opozitës nuk mund t’i amnistojë keqqeverisjet e mbas luftës, pasi populli di të vlerësoj më së miri. Mendoj se opozita duhet të zgjohet nga gjumi dogmatik dhe t'i kthehet opozitarizmit konstruktiv, e cila mënyrë do t'i ndihmonte edhe qeverisë”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat