Kërkohet urgjentisht një operacion anti-ruso-serb në Kosovë! / Interesat shtetërore dhe territoriale të kërcënuara

Politika

Kërkohet urgjentisht një operacion anti-ruso-serb në Kosovë! / Interesat shtetërore dhe territoriale të kërcënuara

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 27 prill 2022 Në ora: 12:49
Ushtarë serbë në Rudnicë

Ditë më parë, organizata prestigjioze “FreedomHouse“, ka publikuar raportin vjetor për demokraci për vendet në Tranzicion ku në aspektin e demokracisë, Kosova është vlerësuar me 3.14 pikë nga shkalla e vlerësimit.

Të gjeturat tjera në raportin e kësaj organizate flasin për ndikimin e Qeverive ruse, kineze dhe turke në proceset qeveritare gjatë viteve të fundit.

“Serbia ende ruan ndikimin në veri të Kosovës, ku institucionet kosovare nuk kanë prezencë të fortë. Qeveritë ruse, kineze dhe turke kanë ushtruar gjithashtu ndikim mbi proceset qeveritare në Kosovë gjatë viteve të fundit”,thuhet mes tjerash në raport.

Të gjeturat nga ky raport sikur po injorohen nga institucionet e Republikës së Kosovës, ndonëse hapësira për të hetuar është mjaftë e gjerë. Ka disa ditë që gazeta “Bota sot” i ka dërguar pyetje institucioneve të Kosovës lidhur me të gjeturat sa i përket ndikimit të qeverive turke, kineze e ruse në qeveritë e Kosovës, por nuk ka marrë përgjigje. As Qeveria dhe as Presidenca nuk e kanë komentuar raportin. Po ashtu, nuk janë përgjigjur as shumica e anëtarëve të Komisionit Parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së.

Ndikimi dhe prezenca ruse në Ballkan, kërcënim për interesat edhe territorin e Kosovës

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi duke komentuar raportin në fjalë, thotë për gazetën “Bota sot” se FreedomHouse si asnjëherë tjetër paralajmëroi se në qeveritë e Kosovës (por dhe të Shqipërisë) kanë ndikuar qeveritë e Rusisë, Kinës dhe Turqisë.

Image
Enver Bytyçi

Të njëjtin informacion e dëgjuam në raportin e shefit të shërbimit sekret të Shqipërisë disa ditë më parë, ku vinte në dukje se prezenca dhe provokimet e shërbimeve të huaja janë shtuar në Shqipëri.

Në fakt këto të dhëna ne i shohim çdo ditë. I shohim në qëndrimet dhe deklaratat e politikanëve, në shkrimet dhe editorialet e gazetave dhe televizioneve, në mediat sociale e kudo. Në kohët e sotme shqiptarët janë më shumë se në çdo kohë tjetër të ndikuar nga rryma, interesa, politika dhe strategji të huaja. Amerikanët vetë, si dhe evropianët kanë tashmë ndikim të padiskutueshëm te qeveritë e Kosovës e në Shqipëri.

Por unë nuk shoh ndonjë problem për sigurinë kombëtare, kur amerikanët e europianët ndërhyjnë në jetën politike dhe politikat qeverisëse të vendeve tona. Për mua ka vetëm një shqetësim në rastin e prezencës së aksit SHBA – Europë në Kosovë. Ky shqetësim lidhet me faktin se jo gjithnjë janë të njëjta interesat amerikane dhe ato evropiane. Nga ana tjetër jo gjithnjë janë të njëjta e në ekuilibër interesat e shteteve të mëdha evropiane. Shihni si kanë ardhur zhvillimet: Katër vende të Perëndimit, SHBA, BE, Gjermania dhe Britania e Madhe, secili kanë caktuar një përfaqësues për Ballkanin Perëndimor. Pse? Sepse interesat e këtyre nuk janë identike, duhen harmonizuar! Kush e vuan mosekuilibrin e këtyre interesave? Kosova dhe Shqipëria si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, vlerëson profesori.

Sipas tij, për të ardhur te ndikimet ruse, kineze dhe turke në qeveritë e Kosovës së pari duhet bërë dallimi midis ndikimit rus dhe ndikimit turk e kinez.

Madje edhe midis këtyre dy të fundit. Ndikimi dhe prezenca ruse në Ballkan historikisht është dëshmuar si kërcënim për interesat edhe territoriale të Kosovës. Sa i përket Turqisë dhe Kinës, së paku deri më sot, në historinë e shtetit shqiptar nuk ka patur shenja të kërcënimit territorial. Megjithatë, shqiptarët janë të orientuar në integrimet euro-atlantike dhe qëndrimet gjeostrategjike edhe ndaj Ankarasë dhe Pekinitm duhen harmonizuar me vendet e BE-së dhe të NATO-s!”, ka potencuar ai

Por, sipas tij ndikimi rus është tjetër gjë.

“Nëse Rusia është prezente në qeveritë e Kosovës, atëherë edhe Serbia është aty. Të dyja vendet kanë një harmoni të jashtëzakonshme në ndërhyrjet që bëjnë në Kosovë. Madje shërbimi sekret serb është lidhja e ndërmjetme me shërbimin sekret rus. Së paku në Kosovë kjo është më e përhapur. Ndërsa në Shqipëri ende ka nostalgjikë që verbërisht ose spiunisht i shërbejnë Rusisë e madje shprehin simpati për presidentin rus, Putin!”, shton ai.

Nga takimi Thaçi-Putin deri në Qeverisjen e sotme

Bytyçi ka rikujtuar disa “lidhje publike” të ish Presidentit Hashim Thaçi me VladimirPutinin.

“Kemi parë se si ai lumturohej kur ia jepte dorën hitlerit të shekullit të XXI! Si e ndiqte nga mbrapa! Imagjino se çfarë premtimesh do t’i ketë bërë shefit të Kremlinit ish-presidenti i Kosovës në ato çaste ekstaze para presidentit rus! Për mua lidhja e parë dhe kryesore me Rusinë, Francën, por dhe me Turqinë është Hashim Thaçi. Ndryshe nuk shpjegohen qëndrimet e përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për ta tjetërsuar territorin e Kosovës në favor të Serbisë! E turpshme ishte kjo përpjekje dhe në një vend normal, presidenti i vendit duhej shkarkuar dhe dërguar për ndjekje penale”, potencon ai.

Por, profesori thekson se në qeveritë e Kosovës ka pasur dhe besoj se edhe në administratën e sotme të zotit Kurti ka një kontigjent politikanësh e administratorësh që punojnë për interesat e Serbisë dhe të Rusisë.

“Kjo është shoqëruar gjithmonë me skandale të nxjerrjes së sekretit sitë aksioneve policore edhe të aksioneve të FSK-së. Beogradi dhe Moska dinë gjithçka që ndodh dhe bëhet në Kosovë. Aleksandër Vuçiq shpesh herë I deklaron disa kohë më parë se çfarë do të bëjë qeveria e Kosovës. Ata dinë më parë se cilat do të jenë qëndrimet e palës së Kosovës në bisedimet e radhës. Kanë në defterët e tyre me dhjetëra dhe qindra spiunë, të cilët i kanë promovuar e për të cilët kanë lobuar që të vendosen në pozicione kyçe të drejtimit të shtetit e të politikës”, nënvizon ai.

Madje, profesori thotë se Beogradi dhe Moska i kanë shtrirë tentakulat e tyre edhe në qeverisjen vendore.

“Jo rastësisht në komunat shqiptare në kufi me Serbinë shpeshherë shohim një sjellje dhe qëndrim “tolerant” në emër të “kompromisit” me Beogradin! Ndërkaq jo rastësisht ka ndodhur në qeveritë e kaluara që të inkuadrohen në pozicione kyçe biznesmenë të fuqishëm të Kosovës, të cilët kanë mbështetjen e Serbisë, të Rusisë ose aleatëve të tyre kudo në botë.

Një operacion anti-ruso-serb është i domosdoshëm

Tashmë ne kemi parë se si lobet serbe dhe ruse në Europë e në SHBA përkrahin fuqishëm politikanët që ndjekin linjat e interesave serbe në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Të gjithë këta janë forcuar në dhjetë vitet e fundit nën patronazhin e Edi Ramës. Ndërkaq midis eksponentëve të qeverisë së Kosovës dhe Beogradit e Moskës shpeshherë dyshohet se është i angazhuar si ndërmjetës edhe Baton Haxhiu!”, shton ai.

Sipas Bytyçit, Kosova, për shkak të së kaluarës së përbashkët me Serbinë, ka një rrjet më të madh bashkëpunëtorësh të shërbimeve serbe e ruse.

“Kjo është një tragjedi e vërtetë. Sepse ata gjenden në pozicione kyçe të qeverisjes. Qeveria e zotit Kurti ende nuk ka mundur të shkëputet nga ky ndikim. Ndoshta është shumë e vështirë, por një operacion anti-ruso-serb e më tej, me kujdes të veçantë për të parandaluar ndikimet e dëmshme turke e kineze, është i domosdoshëm. E përsëris! Nuk është Turqia, e madje as Kina kërcënim për Kosovën. Turqia është vend mik i shqiptarëve. Por, orientimi euro-atlantik është përcaktues në qëndrimet dhe veprimet e shtetit të Kosovës!”, ka përfunduar profesori.

Përgjegjësia tek qeveritë e drejtuara nga Thaçi

Kurse, avokati Gazmend Halilaj, thotë për gazetën “Bota sot” se të gjitha raportet e passhpalljes së pavarësisë bëjnë përgjegjës ish qeverisjen e ish kryeministrit Thaçi, i cili ishte për 14 vite në pushtet.

Image
Gazmend Halilaj

“Të gjitha raportet për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë e tutje që janë publikuar për çështje të sundimit të rendit, ligjit dhe sigurisë bëjnë përgjegjës ata, të cilët e quanin vetën si prijatar të luftës dhe prijatarë të shtetbërjes. Eksponenti kryesor dhe më i fuqishëm i kësaj nomenklature të forcave politike që qeverisën për gati 14 vite ishte ish-presidenti dhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi.

Pavarësisht që qeveritë ndërronin emrin e kryeministrit prapë ky njeri ka qenë lojtari i të gjitha betejave dhe jo assesi edhe pa bashkëpunimin ndërkombëtar”, thekson Halilaj.

Nga ana tjetër ai thotë se Rusia nuk e ka ndaluar asnjëherë ndikimin e saj në Kosovë, gjë të cilën e ka bërë nëpërmjet Rusisë.

Strategjikisht Rusia përmes Serbisë dhe enklavave serbe nuk është ndalur asnjëherë në ndikimin e saj, të cilës qeveria Thaçi nuk i ka rezistuar asnjëherë, sikurse Turqia, lidhjet miqësore përmes ne shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri. Ndërsa, sa i përket Kinës ajo më tepër në aspektin ekonomik, por pa ndonjë ndikim në atë politik, apo të sigurisë”, përfundoi Halilaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat