Dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë – Skenari për të përshkallëzuar sigurinë

Politika

Dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë – Skenari për të përshkallëzuar sigurinë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 prill 2022 Në ora: 12:01
Foto ilustrim

Më 26 prill, në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar me armë zjarri Polica kufitare e Kosovës, në Zupçe të Zubin Potokut, pas pesë ditë sulmesh thuaja në vazhdimësi të bëra nga strukturat kriminale serbe.

Sulmi është kryer me armë zjarri. E, sipas policisë, përveç dëmeve materiale në një automjet, nuk ka pasur zyrtarë të lënduar.

Por, kjo nuk është hera e parë sepse policia e Kosovës është sulmuar edhe herë të tjera nga grupe të cilat ministri i Brendshëm i Kosovës, XhelalSveçla i ka quajtur grupe terroriste.

Por, kësaj here Lista serbe ka bërë thirrje për padëgjueshmëri qytetare, dhe duke kërcënuar se do të përdorin të gjitha mjetet demokratike, për të parandaluar arrestimet e kriminelëve serb, përfshirë ata që e kanë sulmuar policinë.

Shala: Beogradi zyrtar ka zgjedhur rrugën e konfrontimit, jo të dialogut

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot” thotë se kjo është thirrje për revoltë qytetare nga Lista Serbe, përcaktim për rrugën e konfrontimit e jo të dialogut.

Sipas tij, sulmi i fundit dhe të tjerat para këtij japin indikacione se Serbia do të jetë pjesë e ndonjë skenari eventual për të përshkallëzuar sigurinë.

“Thirrja e subjektit politik Lista Serbe për revoltë qytetare, kjo po jep rrugën të cilën e ka zgjedhur Beogradi zyrtar përmes konfrontimit e jo përmes dialogut. Sulmet që nga 13 prilli po jep indikacion që çdo gjë po tenton Serbia që marrëveshjet e arritura, por edhe afatit për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë në vitin 2022 jep hapësire që të riaktivizohen këto grupe dhe mund të jetë pjesë e ndonjë skenari eventual për të përshkallëzuar sigurinë”, deklaron ai.

Qarri: Kosova të përgatitet për pengimin e akteve të reja kriminale

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri, deklaron se Kosova duhet të ndalojë veprimin e kriminelëve në veri dhe duhet të sqarojë opinionin vendor, e atë të jashtëm, nëse kanë arrit të identifikonin qoftë edhe ndonjërin, nga kriminelët e dyshuar, sepse që nga viti i kaluar po ndodhin këto akte të tilla në veri.

“Autoritetet shtetërore të Kosovës, që nga vjeshta e vitit të kaluar, kur dhe erdhi deri te bllokada e rrugëve dhe djegia e objekteve qeveritare më 25 shtator të vitit të kaluar me Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe Zveçan, megjithëse nga vet kryeministri Kurti dhe ministri i brendshëm Sveçla atëbotë u deklarua se zjarrvënia dhe aktet kriminale me elemente terroriste të shkaktuara nga kriminelët që veprojnë në veri, nuk do të tolerohen, nga ajo kohë e deri më tani, asnjëherë nuk kanë sqaruar për opinionin vendor, as atë të jashtëm, nëse kanë arritur të identifikonin qoftë edhe ndonjërin, nga kriminelët e dyshuar. Për aq më tepër, në këtë pjesë të vendit, tanimë kanë filluar edhe sulmet e njëpasnjëshme të armatosura dhe vetëm brenda 4 ditësh, nga 13 deri më 16 prill ndodhën mbi 5 sulme të armatosura, për tu pasuar me sulmin e 6-shtë, të 26 prillit, që u krye në brendësi të thellë të territorit të Kosovës si fshati Zupçe që është fare afër Mitrovicës, kundër Policisë së Kosovës”, shpjegon ai.

Ai këto i quan dështime të shtetit të Kosovës, i cili nuk po merret në mënyrë adekuate me bandat kriminale serbe dhe udhëheqësit e tyre në veri.

Sipas tij, dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë dhe shkopi magjik i Aleksandër Vuçiqit për ngritjen tensioneve në veri, Lista serbe, bashkë me të ashtuquajturën zyre "për Kosovën" në Serbi, me qëllim të nxjerrjes së situatës jashtë kontrollit, kanë kërcënuar njëzëri për "mosbindje civile".

“Ndaj duke parë dështimet e vazhdueshme të shtetit të Kosovës, për tu marrë ligjërisht, në mënyrë adekuate me bandat kriminale serbe dhe udhëheqësit e tyre në veri, avazi i Listës Serbe apo dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, jo vetëm që nuk ka ndryshuar, por edhe vazhdon me kërcënime të reja ndaj Qeverisë dhe organeve të sigurisë së shtetit tonë. Dhe sikur mos të mjaftonte fakti se që nga shtatori i vitit të kaluar, përkundër të gjithave sa kanë ndodhur në veri, policia e Kosovës nuk ishte në gjendje ta arrestonte asnjë të dyshuar, dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë dhe shkopi magjik i Aleksandër Vuçiqit për ngritjen dhe zbritjen automatike të tensioneve në veri, Lista Serbe, bashkë me të ashtuquajturën zyre "për Kosovën" në Serbi, me qëllim të nxjerrjes së situatës jashtë kontrollit, kanë kërcënuar njëzëri për "mosbindje civile", nëse tani ndodhë arrestimi i kriminelëve serb në veri të Kosovës. E në kuadër të kësaj aventure të të ashtuquajturës "Listë serbe", ishte edhe deklarata e djeshme paralajmëruese e saj, për mosbindje qytetare, nëse shteti provon të veprojë për kapjen e kriminelëve, të cilët dyshohen se organizojnë, porositin dhe kryejnë edhe sulmetë armatosura aktuale ndaj policisë së Kosovës në veri”, ka thënë ai.

Nuk është arrestuar asnjë kriminel që sulmoi policinë

Qarri shton se shteti jonë duhet të përgatitet për pengimin e akteve të reja kriminale, përndryshe kërcënimet e Listës serbe, jo vetëm që po vijojnë, por ato tanimë janë kthyer edhe në rutinë të zakonshme në Kosovë.

“Kështu që Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe vet policia e shtetit tonë të brishtë, duhet përfundimisht ta kuptojnë se vërtetë po bëhen tejet qesharake, duke dalë me shifra për 70 arrestime, përderisa tash e gati 7 muaj, apo që nga shtatori i vitit të kaluar, nuk kanë qenë në gjendje, ta arrestojnë asnjë kriminel të vetëm në veri. Prandaj përderisa të martën e 26 prillit, brenda një harku kaq të ngushtë kohor, u shënua edhe sulmi i gjashtë me radhë, sulme të cilat pa asnjë pengesë, përsëriten e përditësohen, në intervalet që porositen nga Aleksandër Vuçiqi dhe Beogradi zyrtar, për të krijuar tensione dhe prishur qetësinë në Kosovë, duke qenë se shteti ynë, ende nuk po arrin ta shtrijë ligjin në atë pjesë të vendit, është mirë të mos dal me shifra teorike, në vend të arrestimeve praktike. Dhe përfundimisht të përgatitet si duhet, për pengimin e akteve të reja kriminale, përndryshe kërcënimet e Listës serbe, jo vetëm që po vijojnë, por ato tanimë janë kthyer edhe në rutinë të zakonshme në Kosovë, të cilat bashkë me sulmin më të ri, që është vazhdim i sulmeve të mëparme provokuese, po dëshmojnë publikisht se nuk e kanë për qëllim të ndalen vetëm me sulme sporadike, por janë në përgatitje e sipër, për ta çuar vërtetë, veriun e vendit tonë, drejt një konflikti të hapur, me qëllim të shkëputjes së tij edhe me forcë, nëse Qeveria dhe shteti i Kosovës vazhdojnë të merren me shifra në vend të veprimit praktik në terren”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri brenda katër ditësh

Sulmi më 13 prill- Bllokohet rruga me 46 iriqë metalikë.

Sulmi më 13 prill- Sulmohet me gurë njësia e policisë kufitare.

Sulmi më 14 prill- Dëgjohen të shtëna rreth 300 metra afër patrullës së policisë.

Sulmi më 15 prill- Patrullat e policisë kufitare janë sulmuar me granatë dore dhe armë zjarri.

Sulmi më 16 prill- Kanë ndodhur dy shpërthime afër veturës së policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat