Pavarësisht konfliktit në Ukrainë, Kosova mbetet e pa trazuar në rezerva të miellit

Politika

Pavarësisht konfliktit në Ukrainë, Kosova mbetet e pa trazuar në rezerva të miellit

Valdrin Nuredini Nga Valdrin Nuredini Më 30 prill 2022 Në ora: 08:29
Ilustrim

Për shumë muaj në Kosovë ka qarkulluar lajmi në lidhje me mungesën e sasisë së miellit në Kosovë. Frikë, panikë dhe shumëçka tjetër, në mesin e qytetarëve të Kosovës, të cilët përveç problemeve të përditshmërisë, u përballën edhe me mundësinë e mungesës së bukës.

Konflikti në Ukrainë, sikur i dha shtytje kësaj teme, e që në shumë vende të botës, edhe e ka arritur efektin duke bërë që shumë shtete të Evropës të marrin masa për sa i përket kultivimit të grurit.

Por, në një prej konferencave për shtyp, të kryeministrit Kurti, ky i fundit është deklaruar se Kosova ka rezerva të mjaftueshme në raport me numrin e banorëve dhe se nuk është e nevojshme të ngjallet frika dhe panika në mesin e qytetarëve të vendit.

“Ka rezerva dhe nuk ka nevojë për panik. Ftoj qytetarët e Kosovës që të ndjehen të sigurt. Përfaqësuesit e mullisëve më siguruan që edhe për dy muaj ka grurë, dhe nuk ende nuk është bluar, tani ka grurë edhe për së paku edhe për tre muaj”, ishte shprehur Kurti.

Madje ai kishte ironizuar edhe me ata, të cilët kishin blerë sasi më të madhe, anipse nuk e kishin të nevojshme, duke i këshilluar ta kthenin aty ku e kanë blerë.

“Të gjithë qytetarët që kanë blerë miell më shumë se sa duhet, atë ta dërgoj në furra, sepse nuk ka vend për panik. Situata është më e mirë sesa disa shqetësime apo brenga të stisura”, kishte shtuar ai.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, thotë se konflikti në Ukrainë ka krijuar një mini-efekt edhe në Kosovë, por se qeveria po punon pa ndaluar që kjo të mos vërehet shumë në Kosovë.

Image
Imri Demelezi


“Ndikimi veçse është vërejtur në ngritjen e çmimeve të disa produkteve. Mirëpo, ne si qeveri, me kapacitetet tona jemi duke iu përgjigjur kësaj krize, e cila ka kapluar gjithë botën. Po ashtu jemi të përkushtuar që në vazhdimësi të jemi afër qytetarit dhe t’i ofrojmë zgjidhje sfidave me të cilët po përballemi të gjithë si pasojë e konfliktit në Ukrainë”, tha Demelezi.

Sipas tij Kosova qëndron mirë në aspektin e mbjelljeve këtë vit, por se bujqit duhet të kenë më shumë kujdes në luftimin e insekteve dhe barishteve, të cilat pengojnë zhvillimin e frytshëm të grurit.

“Sa i përket grurit në Kosovë, për vite me radhë mesatarisht mbillen prej 65,000 deri 80,000 hektarësh me grurë. Bazuar te të dhënat nga tereni, gjendja e sipërfaqeve të kultivuara me grurë është e kënaqshme e sidomos pas riplehërimit të grurit dhe reshjeve të shiut që ishin para disa ditësh. Megjithatë, për të pasur gjendje të mirë të sipërfaqeve të mbjellura me grurë, tani nga ana e kultivuesve duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë luftimit të barojave të këqija si dhe luftimit të sëmundjeve dhe dëmtuesve të grurit”, shprehet Demelezi.

Ndërsa, Bashkim Zejnullahu, nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës, është shprehur se pavarësisht konfliktit në Ukrainë dhe ndikimit global që mund të ketë, Kosova nuk ka hapësirë për panik.

Image
Bashkim Zejnullahu


“Nuk ka vend për panik sepse Kosova ka rezerva të mjaftueshme mielli për të paktën 3 muajt e ardhshëm dhe se pavarësisht ndryshimit të çmimit të miellit nëpër botë, ne po mundohemi që ti mbajmë çmimet tona të pandryshuara”, tha Zejnullahu.

Por sipas tij, çmimi do të mbetet i njëjtë, deri në ndryshimet tjera dhe se do ta ndjekin bursën ndërkombëtare.

Sipas statistikave vjetore rreth 40 milionë euro është importi i grurit dhe miellit brenda vitit në Kosovë, kryesisht bëhej nga Serbia dhe Rusia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat