Pse nuk u sqarua kurrë takimi i Hashim Thaçit me Vladimir Putinin?

Politika

Pse nuk u sqarua kurrë takimi i Hashim Thaçit me Vladimir Putinin?

Nga: N. Sh. Më: 30 prill 2022 Në ora: 16:06
Vladimir Putin dhe Hashim Thaçi

Kosova në këtë kohë po rrezikohet mjaftë shumë nga argjenturat e ndryshme të shteteve jo mike të vendit tonë.

Shërbimet e fshehta ruse, serbe, kineze e turqe thuhet se po veprojnë në territorin e Kosovës.

Analisti politik, Gani Qarri, duke folur për kërto argjentura të huaja, flet edhe për takimin e Hashim Thaçit me presidentin rus, Vladimir Putinin.

Sipas tij, ky takim nuk është sqaruar kurrë se pse kishte ndodhur.

Qarri thotë se vet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në tetorin e vitit të kaluar pati njoftuar publikisht, për dëbimin e disa oficerëve të padeklaruar, të shërbimeve të fshehta ruse, të cilët, duke u prezantuar si diplomatë, kishin arritur të involvohen në ambasadën ruse edhe në seli të NATO-s në Bruksel, me qëllim që të kryenin “aktivitete të ndaluara spiunazhi”, të pa lejuara me akreditimin zyrtar.

“Brishtësia e shtetit të Kosovës, politikbërësit jo-profesionist e të papërvojë, të shitur e të shantazhur, për ç`gjë edhe janë akuzuar në vazhdimësi, janë faktorët më optimal, që edhe në vendin tonë të kishte dhe të ketë edhe sot, shumë bashkëpunëtorët të Rusisë, por edhe të Kinës, e Turqisë, madje duke pasur parasysh rastin e arrestimit brutal, me metodat e egra klasike të kidnapimit në rrugë, të të ashtuquajturve “gylenist” nga vet AKI-ja duket se në Kosovë, ata edhe veprojnë gati lirshëm dhe pa kamuflime të mëdha, siç janë të detyruar të kamuflohen në vendet tjera me rend dhe ligj”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai përmend se në këtë raport të Frreedom House, Hashim Thaçi e Ramush Haradnaj ishin të lidhur me korrupsion e krim të nivelit të lartë.

“Madje përveçse sistemi politik i Kosovës historikisht është karakterizuar me mosfunksionim dhe jostabilitet të vazhdueshëm edhe pas çlirimit nga Serbia, Freedom House thekson faktin se politikanët kryesor si Thaçi e Haradinaj, ishin të lidhur me korrupsion e krimin e nivelit më të lartë, prandaj edhe Rusia e Kina, mund të kenë ushtruar ndikimin e tyre në Kosove, ashtu siç potencon në raportin e vet edhe Freedom House. Për aq më tepër, megjithëse Qeveria Kurti, e zgjedhur në shkurt 2021, herë pas here, ka bërë përpjekje të zbatonte në mënyrë efektive platformën e saj të orientuar drejt reformave gjatë gjithë vitit, ajo gjithmonë është penguar nga elemente të inkriminuara opozitare, të cilat mund të jenë të lidhura me agjenturat ruse, kineze e turke dhe ndoshta edhe paguhen nga to, që të punojnë kundër shtetit të Kosovës dhe rivendosjes së rendit e të ligjit në vend”, pohon ai.

Qarri shton se, Serbia me Milan Radojçiqin tash e dy dekada kanë ruajtur ndikimin e vet në Kosovë.

“Kështu që me lidhjet që mund të kenë agjenturat e spiunazhit ruso-serb me politikbërësit e shitur e të shantazhuar të Kosovës, të cilët në vijimësi i kemi parë, jo vetëm duke koketuar "formalisht" me bandat kriminale në veri, por edhe duke u organizuar pritje zyrtare në zyrat e Qeverisë së Kosovës, kriminelëve më të përfolur, të sanksionuar edhe nga SHBA-ja, si Milan Radojçiqi, me njerëz të tillë tash e mbi dy dekada Serbia ka arritur të ruaj edhe ndikimin e vet në veri të Kosovës, ku institucionet e shtetit tonë të brishtë, as sot pas 23 vitesh të çlirimit, nuk kanë prezencë të fortë”, pohon ai.

Madje sipas tij, Hashim Thaçi mbante këshilltar spiunin e BIA-së serbe Branislav Nikoliqin.

“Përveç tjerash të gjithë ne jemi dëshmitar po ashtu, se Hashim Thaçi përveç mbajtjes së spiunëve të dëshmuar të BIA-së serbe si Branislav Nikoliq, për këshilltar në pozitën e presidentit të vendit dhe takimeve të pareshtura me kriminelin Aleksandër Vuçiq, ai është parë të takohej edhe me vet Vladimir Putinin, takim ky i pasqaruar kurrë, tash e atëherë, arsyet e të cilit nuk i di kush as sot”, thotë ai.

Këtë takim, të Thaçit dhe Putinit e kishte komentuar gazetari britanik Tim Judah

Duke komentuar takimin Putin-Thaçi gjatë kremtimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore të dielën në Paris, Juda kujton se "në vitin 2014, kur Rusia e mori Krimenë, Putini e përmendi Kosovën si precedent". "Pra, është logjike që në të ardhmen Kosova të përdoret për përfitim rus," shtoi ai.

Ai kishte thënë se Rusia do të përfitonte shumë nëse rezultati i negociatave Beograd-Prishtinë do të ishte njohja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve.

"Rusia mund të përdorë këtë precedent në një përpjekje për të siguruar marrëveshje të ngjashme për territoret shkëputëse nën kontrollin e saj në Moldavi -Transnistria dhe Gjeorgji - Osetia e Jugut dhe Abkhazia," ishte shprehur Judah.

"Putini tha se do të mbështeste gjithçka që Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord ... Nëse do të ishte kundër, unë do ta thosha atë qartë, si kancelarja gjermane Angela Merkel, por ai tha se do të mbështeste çfarëdo marrëveshje që arrijnë Prishtina dhe Beogradi, dhe ky është thelbi i asaj që po diskutohet tani”, tha Juda.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat