Vrasja misterioze e Komandant ‘Drinit’/ Ja kush i di vrasësit e tij: Tek këta persona duhet kërkuar përgjigjja!

Politika

Vrasja misterioze e Komandant ‘Drinit’/ Ja kush i di vrasësit e tij: Tek këta persona duhet kërkuar përgjigjja!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 maj 2022 Në ora: 19:54
Komandant ‘Drini’

Me 8 maj, u bënë 22 vjet që nga vrasja e ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha, i njohur me nofkën ‘Drini’.

Komandat ‘Drini' ishte një prej eprorëve më të mirë të UÇK-së.

Ai u vra para shtëpisë së tij, në Prizren, vrasje kjo e cila mbeti akoma mister.

Zbardhja e kësaj vrasje është kërkuar mjaft shpesh e shumë, por që, edhe më shumë se dy dekada pas, institucionet e drejtësisë si vendore ashtu edhe ndërkombëtare dështuan ta bënin një gjë të tillë.

Por, nga themelimi i gjykatës speciale, si për shumicën e vrasjeve politike të kryera deri në fund të vitit, shpresa është të zbardhen nga ky institucion i Kosovës me seli në Hagë.

Autorët të dalin para drejtësisë

Përvjetorin e 22 të vrasjes së heroit Ekrem Rexha e ka kujtuar edhe Presidentja e Republikës Vjosa Osmani.

Osmani tha se Kosova ka humbur një njeri që demonstroi vullnet dhe dashuri për këtë vend.

“Komandant Drini ishte njeriu që kontributin e tij për luftën në radhët e UÇK-së u përpoq ta vazhdojë pas lufte në ndërtimin e paqes. Fatkeqësisht aktiviteti i tij për të mirën e vendit u ndërpre dhunshëm 22-vjet më parë.

Kosova humbi njeriun që demonstroi vullnet dhe dashuri për këtë vend. Figura e tij do të jetë përjetësisht e nderuar. E nderimi më i madh për të do të jetë kur autorët të dalin para drejtësisë”, thuhet në përkujtimin e Presidentes Osmani, përcjell "Bota sot".

Zogaj: Vrasja e komandant ‘Drinit’ ka ndodhur me direktiva nga strukturat e krimit!

Image
Analisti politik, Skënder Zogaj

Ndërsa, analisti politik, Skënder Zogaj në prononcimin e tij për “Bota sot” thotë se vrasjet e pasluftës janë aktet më të shëmtuara, të cilat kanë lënë shumë plagë të thella në lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë.

Sipas tij, vrasjet e pasluftës ishin me motive politike e në interes të krimit dhe korrupsionit të organizuar të individëve dhe grupeve përfituese.

“Vrasjet tinëzare të pasluftës janë akti më i shëmtuar i duarve të zeza të gjakut të shprishur antishqiptar, që i krijoi plagë të thella dhe e damkosi rëndë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! Vrasjet ishin politikë e në interes të krimit dhe korrupsionit të organizuar, të individëve dhe grupeve përfituese që, e vazhduan përgjakjen e shqiptarëve sikurse bëri paraprakisht pushtuesi serb”, deklaroi ai.

Sa i përket vrasjes së komandant Drinit, Zogaj u shpreh se nuk ka ndodhur rastësisht. Ai beson se vrasja e heroit kombëtar ka ndodhur me direktiva nga strukturat e krimit, të cilat i kanë kapur institucionet shtetërore të drejtësisë.

“Kjo është e vërteta e vrasjes së Komandant Drinit, ushtarakut eminent të profesionalizmit, i cili gjatë luftës kishte treguar guxim heroik dhe vlera mburrësie për UÇK-në dhe historinë e re të Kosovës! Këto merita, në vend se të shpërbleheshin, ia morën shpirtin Komandant Drinit! Kanë kaluar 23 vjet dhe kjo vrasje barbare ende mbetet e pazbardhur! Kjo nuk ka ndodhur rastësisht! Përkundrazi, ka ndodhur me direktiva nga strukturat e krimit, të cilat i kanë kapur institucionet shtetërore të drejtësisë, të cilat vazhdojnë të mbahen peng nga nëntoka e krimit, bosët pengmarrës të shtetit të Kosovës, që qe 23 vjet i kanë shkaktuar dëme makabre ekonomisë së Kosovës, pasurisë së Kosovës, politikës së Kosovës, diplomacisë së Kosovës...”, theksoi analisti.

Ndër të tjera, ai thotë se personat e tillë janë ata të cilët kanë fuqi më të madhe se shteti, andaj kërkoi që tek ata të kërkohet vrasja e “Drinit”, Zemajt, Krasniqit, etj.

“Këta janë bosët që janë më të fortë se shteti, prandaj te këta duhet kërkuatr vrasjen e komandant “Drinit”, Tahir Zemajt, kolonel Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit, Sebahate Tolajt, etj.

Këto vrasje janë dhimbje kombëtare, sepse, populli e dinë saktë se ishin bijtë dhe bijat më të mira të atdheut dhe se janë vra nga kriminelët gjak ndyrë”, përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Zëvendëskomandanti befason me deklaratën: Ja kush e di të vërtetën e vrasjes së Komandant “Drinit”

Image
Zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha

Ndërsa, vetëm ditë më parë, në një intervistë për median vendore, zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Pashtrikut, Sadik Halitjaha ka thënë se pas futjes së KFOR-it, EULEX-it dhe UNMIK-ut në Kosovë, UÇK-ja nuk ka pasur asnjë përgjegjësi komanduese.

“Të drejtat tona si UÇK ka qenë shumë të kufizuara. Armë nuk kemi pasur të drejtë të mbajmë. Përgjegjësia për vrasjet në këtë kohë bie mbi ata që e kanë pasur përgjegjësinë e sigurisë. Vrasja e Drinit ka ndodhur në vitin 2000. Kush ka pasur përgjegjësi për sigurinë në atë kohë. Unë jam i bindur se ata e dinë mirë këtë punë çvrasjen], por ju ka shërbyer atyre. Shpresojmë se do të zbardhet tash”, ka deklaruar ai.

I pyetur direkt nga moderatori nëse dikush e dinte të vërtetën e vrasjes së Komandant Drinit, Halitjaha u përgjigj: “EULEX-i e di 200%, e di saktësisht, qysh dhe si (për vrasjen). E di saktësisht. Edhe unë kam qenë i ftuar aty, janë shoshitur gjërat”.

Familja “Drini” e revoltuar me institucionet

Image
Komandant 'Drini'/ Foto arkiv

Familja e komandant “Drinit” ka reaguar pak më parë, duke shprehur indinjatë, se si ka mundësi që një hero si Ekrem Rexha – “Drini” të përkujtohet vetëm nga presidentja Osmani. Madje atë se kujtuan as partitë politike, si LDK-ja, por sipas familjes në mungesë ‘fushate’, nuk janë kujtuar.

“Dje liderët politikë e institucionalë (përveç Presidentes) nuk e thanë asnjë fjalë për ta kujtuar ish komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ekrem Rexhën komandant Drinin!

A ishin shumë të zënë apo nuk kishin informacione se dje ishte përvjetori i 22-të i vrasjes së ish komandantit të zonës Operative të Pashtrikut, komandantit të Brigadës 125, njeriut më meritor që Prizreni ishte pastruar nga okupatori serb, Hartuesit të Operacionit SHIGJETA, Drejtorit të shkollës Ushtarake dhe Doktrinës së UÇK-së, Poliglotit që fliste 7 gjuhë të huaja, drejtorit në Departamentin për mbrojtjen e Ambientit dhe Siguri Civile në Komunën e Prizrenit, themeluesit e Asociacionit e Veteranëve të UÇK-së (që ishte e para në Kosovë)... Ose, nuk ishte viti i zgjedhjeve...?”, shkruan kjo familje në faqen në Fb.

Por, ata janë të bindur se figurat si ai, i kutjon populli. “KOMANDANT, populli të kujton e nuk të harron”, ka shkruar familja Rexha.

Ajo familje, i është kundërpërgjigjur sjelljes së institucioneve dhe partive me një citim të vetë “Drinit”: “Djema mos u ngutni se primitivizmit dhe agresivitetit do ti vije fundi na tha Komandant Drini”!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat