“Të deleguarit e politikës në shërbim të mafias”/ Hajrullah Tërnava ka një kërkesë për Qeverinë Kurti

Politika

“Të deleguarit e politikës në shërbim të mafias”/ Hajrullah Tërnava ka një kërkesë për Qeverinë Kurti

Nga: N. Sh. Më: 10 maj 2022 Në ora: 16:10
Hajrullah Tërnava dhe Albin Kurti

Nga Qeveria e Kosovës, po kërkohet që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsionit në nivelin e lartë institucional.

Një kërkesë të tillë, po e bënë ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

Ai thotë se, është tepër e vëshitrë të çrrënjoset kjo dukuri negative, pasi që, njerëzit që ishin deri më tani në poste të larta shtetërore kishin qëllimin vetëm te pasurimi i tyre sa më i madh, sikur që edhe ia arritën atij qëllimi.

Ai shton se, sipas të dhënave zbulohet se si nëpër shtete të ndryshme të BE-së dhe të botës, ku më të mëdhenjtë e shtetit kanë deponuar qindra milionë euro si pasuri të arritur të tyre.

“Ky është pasurim i paligjshëm, sepse ne i njohim ata udhëheqës të këtij vendi që dikur edhe ushqim për t’u ngopur nuk kanë pasur, prandaj tani këto veprime të atyre udhëheqësve po i kontribuojnë degradimit të sistemit të drejtësisë, vazhdimit të bashkëjetesës me krimin e organizuar. Me këtë lidhen edhe rastet e amnistuara për abuzim me ligjin, shkeljet skandaloze disiplinore nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk trajtohen si duhet, por edhe mbahen sekret nga opinioni publik, por edhe kur janë trajtuar në ndonjë rast, vazhdimisht janë mbyllur duke ju shqiptuar qortim me vërejtje, që në kuptimin logjik dhe praktik nënkupton jo ndëshkim por thjeshtë amnistim”, thotë Tërnava.

Ai pohon se, Gjykata Supreme ka guxuar dhe është detyruar që nën presion të opinionit publik, ta konfirmon vendimin e KPK-së për degradimin dhe transferimin e prokurores së Krimeve të rënda Shemsije Asllani lidhur me top aferën e komunikimeve të përgjuara dhe skandalin që kishte implikuar një personel me listë të zgjeruar të të dyshuarve për krim të organizuar.

“Lidhur me këtë aferë, Gjykata Supreme e Kosovës e ka konfirmuar vendimin e nxjerrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), me 12 janar 2022, me të cilin vendim ishte degraduar dhe transferuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, prokurorja Shemsije Asllani. Sipas këtij vendimi të nxjerrë nga Gjykata Supreme më 24 shkurt 2022, rezulton se është refuzuar ankesa e ushtruar nga prokurorja Asllani, ndaj vendimit të KPK-së për degradimin dhe transferim e saj në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës. Prokurorja Asllani ka paraqitur ankesë, për shkak të shkeljeve të supozuara të të drejtave procedurale të subjektit në procedurë, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe cenimit të së drejtës në mbrojtje, duke kërkuar që Gjykata Supreme e Kosovës ta pranojë ankesën, ta anulojë Vendimin e KPK-së dhe ta liroi nga përgjegjësia disiplinore ose lëndën ta kthej në rivendosje në KPK”, shton ai.

Sipas tij, në arsyetimin e Supremes, thuhet se vendimi i KPK-së, është i drejtë dhe i ligjshëm dhe është marrë me zbatimin e drejtë të së drejtës materiale kur është vërtetuar përgjegjësia disiplinore e prokurores Asllani e përfshirë në përgjime dhe marrëveshje për kontak me personin e dyshuar.

“Në vendim të Supremes, thuhet se masa disiplinore e shqiptuar ndaj prokurores Asllani është në proporcion me shkeljen e konsumuar nga prokurorja Asllani. Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se prokurori në të gjitha rrethanat duhet të nxisë besimin e publikut në dinjitet, integritet, t’i respektojë standardet e sjelljes profesionale dhe personale dhe kryej detyrat me paanshmëri dhe profesionalizëm, e që sipas këtij vendimi prokurorja Asllani ka dëmtuar reputacionin e Prokurorit të Shtetit. Në këtë vendim të Supremes, thuhet se prokurorja Asllani ka pas funksion publik dhe nuk ka qenë e ngarkuar me lëndën penale ku ka qenë e përfshirë bashkëbiseduesi. Po ashtu, gjatë bisedës së zhvilluar nuk ka bërë ndonjë shënim zyrtar, prandaj komunikimi i zhvilluar i Prokurores së Shtetit, me personin e panjohur, pa menduar fare për rëndësinë e funksionit që e ushtron ka kontribuar në dështim dhe cenim të integritetit të saj dhe të institucionit që e përfaqëson”, shton tutje Tërnava.

Tërnava tregon se, rasti i Prokurores Asllani ka të bëjë me përgjimet e publikuara në media më 30 korrik, në të cilat përfshihen disa zyrtarë të lartë, në mesin e të cilave, edhe prokuroren e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani.

“Ndër të tjera, në këto incizime, përmendet edhe ish-kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ku thuhet se ka qenë në shtëpinë e prokurores Shemsije Asllani me disa persona të tjerë, për të cilët thuhet se ka foto dhe incizime. Lidhur me këtë rast, KPK në gusht të vitit të kaluar ka themeluar panel hetimor për të zbardhur rastin e përfshirjes së Prokurores Asllani në skandalin e audio-incizimeve të publikuar në media. Mirëpo Panel hetimor lidhur me këtë rast aso kohe nuk ishte themeluar edhe për Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi. Në këto incizime përmendej edhe ish-gjyqtari dhe ish-anëtari i Këshillit Gjyqësor, Driton Muharremi si dhe Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu”, tregon Tërnava.

Ai shton se, pasi ishte degraduar në pozitë, Muharremi ka dhënë dorëheqje nga pozita e gjyqtarit, derisa Nuhiu ishte shkarkuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Pa vonese tani është koha që të hartohet tani një listë unike e të gjithë atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj të cilëve palët kanë parashtruar ankesa për abuzim me detyrën zyrtare shkeljen e ligjit apo shkelje tjetër të natyrës disiplinore, dhe të njëjtit të rijetohen, të ndëshkohen me përjashtim dhe pozitat e tyre të përmbushen me plotësim, punësim të prokurorëve e gjyqtarëve të rinj të pa sprovuar dhe të pa ndikuar nga krimi i organizua”, shprehet ai.

Sipas tij, pastrimi duhet të fillon pa vonesë sepse që nga fillimi i ndërtimit të shtetit të Kosovës, nëpër poste shtetërore janë emëruar njerëz të besueshëm të klaneve, më qëllimin e pasurimit të tyre.

“Aq thellë është ngulitur ndikimi i krimit të organizuar në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet tjera publike, sa që edhe sikur të fillohej tani rrënjësisht të luftohet e pastrohet, do të kalohej një kohë e gjatë që ti spastrojmë ato vende të punës në të cilat dhe nga të cilat është stimuluar krimi. Koha nuk pret por duhet vepruar, sistemi i drejtësisë duhet dekriminalizuar duke u pastruar, dhe për ato vende duhet të gjenden njerëz të shkolluar dhe të aftë, që ti shtyjnë gjërat para, të stimulohen njerëz të ri, që do të dëshmohen dhe do t’i tregojnë aftësitë dhe sukseset e tyre me spastrimin e atyre institucioneve nga e kaluara e lidhur me krim”, përfundon Hajrullah Tërnava.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat