Kapitulli i ri i Kosovës / Këto janë përfitimet nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës

Politika

Kapitulli i ri i Kosovës / Këto janë përfitimet nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 13 maj 2022 Në ora: 08:06
Këshilli i Evropës

Dje, Kosova ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm duke aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE), pasi ka siguruar paraprakisht mbështetjen e duhur për këtë hap.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë një hap historik, nga më të rëndësishmit në proceset integruese.

Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Nëpërmjet një video-mesazhi, ministrja Gërvalla, konfirmoi se ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke shpresuar për një përgjigje pozitive.

Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Parlamentare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo.

Ky aplikim për anëtarësim në KiE u mirëprit dhe përkrah nga të gjitha partitë politike në vend.

Kësaj radhe, edhe opozita e mbështeti fuqishëm këtë përpjekje të institucioneve të vendit për të bërë një hap të rëndësishëm në fushën e diplomacisë, siç është anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

Mirëpo, patjetër që dikush do të dilte kundër këtij vendimi dhe iniciative të institucioneve të Kosovës, e padyshim që këtë e bën Serbia. I pari reagoi presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Neve na takon të mos hyjmë në urrejtje, konflikt, por të japim një përgjigje në mënyrë racionale. Nesër është seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”.

Kjo ka një efekt shtesë në marrëdhëniet në rajon, kush ka nevojë dhe kush e ka bindur Prishtinën që ta paraqesë këtë iniciativë, përgjigja jonë duhet të jetë e zgjuar dhe paqësore, për të ruajtur stabilitetin”, u shpreh Vuçiqi.

Batusha: Kërkesa jonë do të shqyrtohet në afatet optimale dhe anëtarësimi i Kosovës do jetë më i shpejtë se sa mendohet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane, Agon Batusha në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli në lidhje me aplikimin e Kosovës në Këshillim e Evropës.

Image
Agon Batusha

Fillimisht, ai këtë vendim e cilësoi si një ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën dhe forcimin e shtetësisë së saj.

Sot, është dorëzuar aplikimi zyrtar për anëtarësim në Këshill të Evropës. Është një ngjarje shumë e rëndësishme në diplomaci, në forcim të shtetësisë së Kosovës, por mbi të gjitha ky aplikim ridëshmon që Kosova është e përkushtuar dhe e patundur në avancimin e demokracisë, të drejtave civile, barazisë dhe lirisë”, deklaroi deputeti i LVV-së.

Krahas kësaj, Batusha potencoi se me anëtarësimin në KiE, Kosova dhe qytetarët e saj do të përfitojnë shumë dhe po ashtu, do të përmirësohet sistemi gjyqësor e prokurorial në vend.

Me tu bërë anëtarë, së pari bëjmë edhe një hap gjigand drejt konsolidimit të pranisë e njohjes ndërkombëtare për Kosovën, por mbi gjitha qytetarët tanë do të jenë ata që do përfitojnë më së shumti, përmes të drejtës për t’ju drejtuar Gjykatës së Strasburgut për rastet kur ju shkelen të drejtat dhe liritë që janë mishëruar në Kartën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo më pas do ketë impakt edhe në përmirësimin e sistemit gjyqësor e prokurorial të Kosovës, përmes kërkesës së vazhdueshme që do bëhen për vendime të bazuara dhe cilësore”, theksoi ai.

Në vazhdim, anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane bëri të ditur se aplikimi i Kosovës do të shqyrtohet nga organet e larta të Këshillit të Evropës.

Aplikimi për anëtarësim apo kërkesa, do të shqyrtohen në organet e Këshillit, ku më të rëndësishmit apo ata që vendosin janë përfaqësuesit e shteteve anëtare dhe asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës. Me shtetet që na kanë njohur dhe grupet parlamentare që përfaqësohen në asamble, ne kemi shumicën e nevojshme për anëtarësim”, potencoi ai.

Madje, Batusha paralajmëroi një anëtarësim të shpejtë të Kosovës në KiE, megjithatë ai hodhi dyshime se mos miratimi i Kodit Civil mund të jetë pengesë, pasi është dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës.

Mendoj që kërkesa jonë do të shqyrtohet në afatet optimale dhe anëtarësimi i Kosovës do jetë më i shpejtë se sa mendohet sepse Kosova ka të inkorporuar në Kushtetutën e saj Kartën e të Drejtave të Njeriut si një parakusht që duhet të plotësoj secili shtet. Rrjedhimisht ne kemi transponuar në ligjet tona dhe në këtë pikë nuk presim shqetësime. Po ashtu, sa i përket lirive të pakicave, shteti ynë është model për demokracitë perëndimore sepse kemi marrë dhe kemi zbatuar praktikat më të mira evropiane, madje më shumë e më gjerë se sa vetë shtetet e BE-së. Kam përshtypjen se Kodi Civil mund të jetë një pengesë, për arsye se është dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës dhe ku mishërohen e kodifikohen të gjitha liritë, të drejtat dhe detyrimet e shtetasve, e që fatkeqësisht Kosova mbetet shteti i vetëm demokratik në botë që nuk e ka këtë dokument ligjor”, vlerësoi ai.

Në fund, deputeti i LVV-së tha se nuk kishte moment më të mirë se ky, për të filluar anëtarësimin në KiE.

Pra, nuk ka moment më të mirë se sa tani, që Kosova të filloj procedurën e anëtarësimit dhe këtë po e bëjmë me përkushtim, një koordinim mes institucioneve dhe posaçërisht në dakordancë e mbështetje të aleatëve tanë në Evropë, por edhe me SHBA-të”, përfundoi Agon Batusha për “Bota sot”.

Voca: Gjasat që Kosova të anëtarësohet në KiE janë të mëdha sepse ka përmbushur mjaftueshmërisht të gjitha kriteret

Ndërsa, edhe njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca u shpreh optimist për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Image
Mirsad Voca

Sipas tij, Kosova ka përmbushur kriteret e nevojshme dhe ka dëshmuar se është një shtet stabil dhe luan rol të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit.

Gjasat që Kosova të anëtarësohet në KiE janë të mëdha sepse Kosova ka përmbushur mjaftueshmërisht të gjitha kriteret e nevojshme. Kosova ka treguar mjaft aftësinë e saj për të drejtat e Konventës duke ushtruar juridiksion në tërë territorin e saj dhe duke i përmbushur të gjitha kriteret siç janë, shteti i së drejtës dhe demokracia. Kosova ka dëshmuar se është një shtet stabil dhe luan rol të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, potencoi ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Voca përmendi faktin se nga anëtarësimi në KiE, Kosova do të përfitonte në shumë fusha të ndryshme, ku njëra ndër to është edhe përfaqësimi më i madh në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Anëtarësimi i plotë në KiE ka rëndësi të veçantë sepse qytetarët e Kosovës mund të kenë shumë përfitime nga anëtarësimi i vendit në Këshillin e Evropës, duke përfshirë qasjen në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut ku do të mund të drejtohen nëse të drejtat e tyre janë shkelur nga shteti i Kosovës apo ndonjë shtet tjetër anëtar i KiE-së.

Anëtarësimi si anëtar i plotë në KiE është shumëdimensional, sepse e përforcon afirmimin e Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare, e konfirmon Kosovën si shtet demokratik dhe të së drejtës që përqafon tërë vlerat e shteteve demokratike, e ngrit Kosovën më lart në përfaqësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe doemos kjo do të ndikoj në një dimension tjetër, në atë të krijimit të rrethanave për anëtarësim në organizata tjera ndërkombëtare dhe në rritje të njohjeve nga shtete tjera”, shpjegoi ai.

Më tej, njohësi i integrimeve evropiane deklaroi se nga anëtarësimi i Kosovës do të përfitonte edhe vetë KiE-ja, pasi nuk do të jetë kurrë në gjendje të përmbushë plotësisht misionin e tij pa shtetin tonë.

Përfitimet e anëtarësimit të Kosovës në KiE janë reciproke duke theksuar se anëtarësimi është në interes të qytetarëve të Kosovës por edhe në interes të vetë KiE-së. KiE-ja nuk do të jetë kurrë në gjendje ta përmbushë plotësisht misionin e saj për promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Evropë nëse ekziston një pjesë e kontinentit mbi të cilin Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut nuk ka juridiksion dhe nuk mund të dëgjojë çështjet e ngritura”, konsideroi Voca.

Ndër të tjera, ai paralajmëroi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës mund të realizohet edhe brenda këtij viti.

Po ashtu, beson se Kosova në parim mund të sigurojë votat e nevojshme për pranim.

Anëtarësimi i Kosovës në KiE do të mund të realizohet këtë vit apo në vitin tjetër krahas procesit procedural, administrativ dhe lobues.

Natyrisht, njohja e Kosovës nga më shumë se dy të tretat e shteteve anëtare të Këshillit është një tregues, në parim, Kosova mund të sigurojë votat e nevojshme për pranim. Megjithatë, duhet theksuar se Kosova do të mund të has edhe në disa sfida specifike sidomos administrative dhe lobuese që mund të paraqiten në rrugën e saj drejt anëtarësimit në KiE për shkak të procedurave komplekse të pranimit brenda Komitetit të Ministrave të KiE-së dhe përbërjes së anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të KiE-së”, përmbylli Mirsad Voca për gazetën “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat