Këto ndëshkime duhet t’i vendosë shteti i Kosovës për udhëheqësit e komunave me shumicë serbe!

Politika

Këto ndëshkime duhet t’i vendosë shteti i Kosovës për udhëheqësit e komunave me shumicë serbe!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 maj 2022 Në ora: 19:59
Foto ilustrim

Një nga temat, e cila po vazhdon të jetë aktuale në vendin tonë është moszbatimi i ligjit nga komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Komuna e Zveçanit, Mitrovicës së Veriut dhe Shtërpcës, përveç tjerash nuk po zbatojnë ligjin as sa i përket mbledhjes së të hyrave nga tatimi në pronë.

Kjo padyshim që po arrin të sjellë probleme për vendin tonë duke mos arritur tash dhe një kohë të rregullohet ky problem.

Këto sjellje janë dëshmi e gjendjes antikushtetuese në komunat veriore dhe në Shtërpcë. Kjo gjendje nuk është e re, por prej vitesh, në fakt e pakonsoliduar nga fillimi.

Pak kohë më parë Qeveria e Kosovës vendosi t’ua ndërpretë pagat 32 mësimdhënësve serbë, të cilët merrnin paga pa shkuar në punë.

Por, nuk duhet harruar që serbët ende nuk po e paguajnë energjinë elektrike, vendim ky i marr nga qeveritë e kaluara në pushtet

Mirëpo vendimet e serbëve nuk po ndalen vetëm me mos pagim të energjisë elektrike, ato po shtrihen edhe në fushat e tjera, siç është në arsim dhe në shëndetësi.

Të gjitha këto po vazhdojnë ta dëmtojnë Republikën e Kosovës duke vazhduar të mbetet problem I pazgjidhur.

Mirëpo çfarë duhet të bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës?

Kelmendi: Republika e Kosovës kërkohet të zbatojë ligjin në çdo cep të Kosovës

Image
Muhamet Kelmendi

 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet juristi Muhamet Kelmendi.

Ai u shpreh se ka një kohë që në këto komuna nuk zbatohen ligjet e Kosovës mirëpo zbatohen ato të shtetit serb.

“Ka kohë që de - fakto dihet se komunat ku sundojnë minoritet serbe nuk funksionon shteti ligjor dhe nuk respektohen normat ligjore dhe kushtetuese të Republikës. Nëpër komunat serbe në veri të Kosovës, si dhe në Graçanicë, Shtërpcë etj., mohohet shteti i Kosovës. Atje respektohen simbolet e shtetit serb dhe ligjet e Serbisë. Askund nuk gjendet një simbol i Republikës së Kosovës. Komunat e tilla veprojnë nën mbikëqyrjen e shtetit serb dhe të Serbisë, dhe nga atje i marrin urdhrat”, thotë juristi.

Tutje, Kelmendi tregon tri mënyra që Kosova mund të ndikoj në këto komuna, duke filluar nga ana ligjore e deri tek masat juridiko-penale kundër shkelësve të ligjit.

“Kosova i ka disa mënyra intervenuese: 1. Intervenimi me anën e ligjit duke i futur masat juridike në veprim kundër shkelësve, pavarësisht vendit. 2. Dërgimin e organeve mbikëqyrëse nëpër komunat e tilla për të kryer punë në bazë të ligjit. 3. Ndërmarrjen e masave juridiko-penale kundër shkelësve të ligjit, sepse mos zbatimi i ligjit hynë në vepër penale të dënueshme”, shpjegon ai.

Ndër të tjera juristi thotë që dënimet janë sipas neneve 105-121 të Kodit Penal të Kosovës nga 5 vjet deri me burg të përjetshëm.

“Masat e tilla janë të përcaktuara me ligj dhe me Kushtetutë. Republika obligon zbatimin e tyre. Mos përmbajtja e ligjeve të vendit, duke i shkelur dhe injoruar ligjet e Kosovës, në llogari të shtetit tjetër, është vepër penale. Dënimet janë sipas neneve 105-121 të Kodit Penal të Kosovës nga 5 vjet deri me burg të përjetshëm. Në këto vepra penale hyn edhe vepra penale e rrezikimit të tërësisë territoriale të Kosovës. Dënimet janë deri me burg të përjetshëm”, foli Kelmendi për “Bota sot”.

Mehmeti: Qeveria të ngrijë buxhetin në komunën e Zveçanit, Mitrovicës së Veriut dhe Shtërpcës

Image
Faton Mehmeti

 

Analisti politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se Qeveria e Kosovës në këto komuna mund të ketë ndikim, mirëpo mund ta ngrijë buxhetin dhe sipas analistit duhet ta bëjë pasi këto komuna nuk zbatojnë detyrimet për mbledhjen e të hyrave nga pronat.

“Është e vështirë që të ketë ndikim Qeveria e Kosovës në këto komuna, të cilat e kanë të garantuar me Pakon e Ahtisarit lejimin për mbledhjen e të hyrave, ndonëse e kanë obligim që të raportojnë tek qeveria për të gjitha të hyrat, ndonëse qeveria s’ka të drejtë të ketë qasje tek ato para. Qeveria mund ta ngrijë buxhetin për këto komuna, dhe duhet ta bëjë një gjë të tillë, derisa komunat në fjalë nuk i zbatojnë detyrimet ndaj të hyrave nga pronat”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që se është imperativ i kohës që qeveria të ndërhyjë duke bllokuar fondet për komunat në fjalë, dhe këto të fundit duhet të raportojnë në Prishtinë dhe jo në Beograd.

“Në këtë kuptim, besoj se është imperativ i kohës që qeveria të ndërhyjë duke bllokuar fondet për komunat në fjalë, me këto të fundit që duhet të raportojnë në Prishtinë dhe jo në Beograd. Ato janë të hyra të qytetarëve, edhe të shqiptarëve në ato pjesë të Kosovës. Mendoj, se këtë problematik duhet ta shtrojnë edhe shqiptarët në këto komuna, të cilët ndonëse të pakët në numër mjafton sa për tu dëgjuar zëri tyre”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat