Ballkani i hapur, po ia hap dyert Rusisë / Rama, i hedhur në krah të Serbisë

Politika

Ballkani i hapur, po ia hap dyert Rusisë / Rama, i hedhur në krah të Serbisë

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 18 maj 2022 Në ora: 17:53
Aleksander Vuçiq, Edi Rama, Zoran Zaev

Nisma e Serbisë për të dominuar tregjet shqiptare dhe të Ballkanit Perëndimor, po merr goditjet e fundit. Pavarësisht që u duku sikur, ai po merrë frymë, pasi kryeministri shqiptar i porsazgjedhur i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, kur ai tha se nuk e pengon ajo nismë, dhe la mundësinë e diskutimit dhe mbase që ky vend t’i bashkohet asaj.

Ballkani i hapur merr goditje të re

Por, kjo ka marrë një goditje të re sot, pasi presidentët e dyja shteteve të Kosovës dhe Malit të Zi, u shprehën qartë se Ballkani i hapur, është një proces i gabuar, dhe se të dyja vendet do të vazhdojnë me Procesin e Berlinit, dhe se nuk do të pranojnë t’i hapen rrugët e ndikimit Rusisë.

Iniciativa “Ballkani i hapur”, aktualisht është i përbërë prej tre shteteve, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, madje që të tria këto shtete janë të zëshme se një nismë e tillë është e dobishme për Ballkanin Perëndimor.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama qëndron fuqishëm pas kësaj nisme.

Kosova dhe Mali i Zi nuk janë pjesë e saj, por që kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka shprehur qëndrimin e tij, se nuk është kundër një procesi të tillë.

Derisa, kryetari i Malit të Zi, Milo Gjukanoviqi është kundër kësaj nisme dhe ka deklaruar se “Ballkanin e hapur” e sheh si kopje të Procesit të Berlinit.

“Ne mendojmë që ‘Open Ballkan’ është një iniciativë, e cila ka rrjedhur në një moment lloj depresioni që i ka kapluar vendet e rajonit dhe kanë menduar që ishte i pamundur integrimi evropian dhe se ndoshta me shkuarjen e kancelares Merkel, integrimi evropian për Ballkanin perëndimor është duke u shuar. Por kjo nuk është e saktë dhe kjo që po ndodh ka krijuar një moment të mirë për integrimin e mëtejshëm për Ballkanin Perëndimor”, tha sot në Prishtinë presidenti malazez Gjukanoviç.

Ai kishte thënë se vetëm Procesi i Berlinit i bashkon të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Nuk më shqetësojnë, nuk janë as të reja dhe as të panjohura për mua. Ne kemi qëndrime të ndryshme për këtë iniciativë. Unë kam dëgjuar shumë herë prej tij se si i jep mbështetje të gjitha nismave rajonale, ai gjithashtu e mbështet këtë. Gjithashtu, e kam thënë shumë herë se nuk mendoj se kjo është një nismë optimale. Më tepër e shoh atë si një lloj kopje të Procesit të Berlinit. Dallimi është shumë i dukshëm – Procesi i Berlinit i bashkon të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Ballkani i hapur vetëm tri. Procesi i Berlinit bazohet në standardet evropiane, është komplementar me procesin e anëtarësimit. Ballkani i hapur nuk insiston në standardet evropiane”, ka thënë më parë.

Presidentja Osmani, ka qenë edhe më e qartë dhe më e ashpër me këtë nismë. Kjo nismë sipas saj, përveç se e pengon procesin e Berlinit, e pengon procesin e integrimit në BE, dhe më keq akoma, ai po ia hap dyert ndikimit të Rusisë.

“Ka dëshmuar sidomos muajt e fundit që do të rezultonte me hapjen e rajonit tonë për një ndikim edhe më të madh të Rusisë andaj atë duhet ndalojmë me çdo kusht. Në vend që të përshpejtonte ecjen e shteteve tona drejt BE-së, do t’i vendoste ato në një dhomë pritje dhe rrjedhimisht do të zgjaste edhe më shumë procesin integrues. Prandaj ne si Kosovë vazhdojmë të mbajmë qëndrimin e njëjtë se bashkëpunimin rajonal e shohim si kyç, por atë do të zhvillojmë në kuadër të iniciativave tashmë ekzistuese, ku Kosova është anëtare dhe në veçanti e Procesit të Berlinit. Në anën tjetër, Serbia nuk mund të flasë për bashkëpunim rajonal dhe raporte të mira ndër fqinjësore dhe në anën tjetër të tentojnë të vendosi çdo pengesë të mundshme për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës që është organizatë e të drejtave të njeriut”, theksoi presidentja Osmani.

Ndërkohë, Bashkimi Europian, sërish i ka bërë thirrje Serbisë që t’i vendosë sanksione Rusisë, por ajo po vazhdon tash e tre muaj ta refuzojë Perëndimin, pavarësisht që ka kohë që i ka hapur negociatat e anëtarësimit në BE.

Josip Borrell, madje ishte krejtësisht lucid para dy ditësh, pas takimit me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, kur theksoi “nuk mund të ketë më neutralitet”.

Kosova sapo i ka vënë sanksione të reja Rusisë.

Por, pavarësisht këtyre interesave të Serbisë, qëndrimeve të fqinjëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, Edi Rama, vazhdon jo vetëm ta përkrahë këtë nismë serbe, por edhe të krekoset me të.

Mehmeti: Edi Rama është rreshtuar në krah të Rusisë dhe Serbisë

Image
Faton Mehmeti

 

Në lidhje me këtë temë analisti Faton Mehmeti vlerëson se Edi Rama është rreshtuar në krah të Rusisë dhe Serbisë.

Sipas tij, BE dhe “Open Ballkan” nuk shkojnë bashkë dhe si të tilla ato janë kundër njëra-tjetrës, njëra ide serbe dhe tjetra perëndimore.

“Edi Rama është rreshtuar në krah të Rusisë dhe Serbisë, në rolin e zëdhënësit të Vuçiqit, Edi Rama po vazhdon marrëzisht të del kundër të gjithë të tjerëve. BE dhe "Open Ballkan" nuk shkojnë bashkë dhe si të tilla ato janë kundër njëra-tjetrës; njëra ide serbe dhe tjetra perëndimore. Rama gabimisht është hedhur në krah të Serbisë. Gjithashtu, Rusia po ashtu ka gjetur Edi Ramën si aleat në Ballkan, duke shmangur kështu sanksionet nga Serbia në tentativat për të shkaktuar ndasi në vendet e Ballkanit çka do i shkaktojë kokëçarje BE-së”, thotë ai.

Në fund, Mehmeti thotë se emri i Ramës do të mbetet i shënjuar me shkronja të errëta në historinë e Shqipërisë.

“Serbia ndodhet para zgjedhjes së vështirë, presioni ndaj saj po rritet derisa Edi Rama në vend se të bënte të njëjtën gjë ndaj Serbisë, po e mban anën e saj duke shënjuar emrin e tij me shkronja të errëta në historinë e kombit shqiptar”, përfundon ai.

Dunahaj: “Ballkani i hapur” nuk ka sukses pa SHBA-në dhe BE-në

Image
Leon Duhanaj

 

Analisti Leon Duhanaj për “Bota sot” thotë se këto nisma nuk kanë sukses pa SHBA-në dhe BE-në.

Ai thotë se është e tepruar përpjekja e Ramës dhe Vuçiq, për të bërë protagonizëm me një proces i cili është ide dhe nismë e Berlinit.

“Temat si "Ballkani i hapur, Mini Shengeni", as nuk janë gjë tjetër, por as nuk mund të jenë pos në kuadër të procesit të Berlinit. Terminologjia e përdorur nga liderët ballkanik, nuk është gjë tjetër, pos për protagonizëm rajonal dhe për politika të brendshme të shteteve respektive. Për mendimin tim, asnjëra nga këto nisma as nuk kanë sukses dhe as që do të vazhdojnë pa miratimin e SHBA-së dhe BE-së. Në këtë kontekst, për aq sa e shoh të tepruar përpjekjen e Ramës dhe Vuçiq, për të bërë protagonizëm me një proces, i cili është ide dhe nismë e Berlinit, po aq të tepruar e shoh refuzimin apriori, apo kundërshtimin pa argumente të pjesës tjetër siç është Gjukanovi, por edhe Kurti në Kosovë”, thotë ai.

Tutje, thotë se liderët duhet të ishin të sinqertë në këtë dhe të bisedoni për tema që përmenden në terminologjinë ballkanike.

“Siç e dimë, asnjëri nga liderët ballkanik, nuk e ka problem të takohet me homologët e vetë. Në këtë kontekst, nëse do të kishin qenë të sinqertë që të gjithë në ëtë raport, do të uleshin dhe do t'i analizonin qëllimet e Procesit të Berlinit, dhe temave të cilat përmenden në terminologjinë ballkanike si "Mini Shengen, apo Ballkani i Hapur". Vetëm duke u ulur dhe i analizuar në çdo detaj dhe në çdo hap, mund të konkludohet për mirë apo për të keq. Pra, si njëra, si pala tjetër, nuk e kanë qëllim primar avancimin e çështjeve, sa e kanë interesin elektoral dhe protagonizmin rajonal!”, përfundoi ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat