Kush qëndron pas protestave agresive të veteranëve – analistët tregojnë prapavijën e skandalit të sotëm!

Politika

Kush qëndron pas protestave agresive të veteranëve – analistët tregojnë prapavijën e skandalit të sotëm!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 6 qershor 2022 Në ora: 18:39
Pamje nga protesta

Dita e sotme ka qenë e mbushur me tensione të mëdha për vendin tonë.

Ishte protesta e veteranëve që filloi në orët e para të mëngjesit, e cila solli përplasje me policinë.

Fillimisht protesta nisi qetësisht, mirëpo jo gjithçka përfundoi pastaj si ishte mëparë.

Veteranët ka pasur ditë që e kishin paralajmëruar këtë protestë, për shkak se besojnë se shumica qeverisëse, nuk do t’ua rrit pensionet bashkë me rritjen e pagës minimale.

Qeveria e ka dorëzuar një Projektligj për pagën minimale në Kuvend të Kosovës, i cili sot duhej të shprehej rreth tij, por që seanca dështoi për shkak të mungesës sëkuorimit, të cilit si duket i parapriu protesta e ashpër e invalidëve të luftës.

Të njëjtit nëse nuk po përfshihen në ngritjen e pagës minimale nga 170 euro në 250 euro, sa e ka parashikuar rritjen Qeveria, do të ndiheshin të diskriminuar.

Kush janë organizatorët e vërtetë

Por, numri i madh i protestuesve që ishin prezentë, përveç se ndikuan në ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Kosovës, e cila nuk zgjati më shumë se 45 minuta, dolën edhe me kërkesa politike, duke hedhur edhe shumë parulla provokuese, të cilat çojnë në dyshimin se ata janë të shtyrë dhe ndikuar nga parti politike opozitarë, deputetë tëtë cilave, PDK e AAK ishin në protesta.

Pasi veteranët kanë thyer disa nga rrethojat e Kuvendit, janë ndalur nga forcat e shtuara të policisë, gjatë të cilave përpjekje që të mbajë rendin e oborrit të Kuvendit janë lënduar dy policë dhe një qytetar.

Pas kësaj para Kuvendit të Kosovës kanë arritur edhe njësitë speciale për ta mbajtur gjendjen nën kontroll.

Pati edhe deputetë që në momentin e shpërthimit të dhunës, u dolën përballë protestuesve duke u kërkuar gjakftohtësi, si Hisen Berisha, i cili tha se ‘kush cenon policët apo institucionet, shkel mbi gjakun e luftës.’

E para protestuesve ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, FatonKlinaku u shpreh se tentimet për mohim të sakrificës së luftëtarëve nga institucionet e Kosovës nuk do të kenë sukses.

Ai tha se përmes këtij Projektligji pushteti po dëshiron t’i heq veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale.

Mirëpo, shtrohet pyetje se pse opozita po vazhdon të nxitë këto protesta kinse po mbështet veteranët?

Shahu: Çështja e të bërit veteranë ka qenë një nga bizneset më të ndyra politik në Kosovë

Image
Rexhep Shahu

Në lidhje me këtë temë analisti politik, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se veteranët që janë të vërtetë duhet të distancohen nga ata që u bënë pas luftës në këmbim të votës.

“Veteranët që janë veteranë të distancohen nga ata që nuk janë veteranë. Çështja e të bërit veteranë, e shpalljes veteranë ka qenë një nga bizneset më të ndyra politik në Kosovë, një nga korrupsionet më të fëlliqura.Në këmbim të votave është shitë nga komandantët e nga politikanët kartoni i veteranit, duke e shëmtuar luftën, gjakun e qëndresën e shqiptarëve. Duke shitur certifikata veterani bënë dy UÇK, atë të luftës dhe të pasluftës. Po të kishte Kosova kaq ushtarë të UÇK-së në luftë sa ka veterane në paqe, nuk kishte nevojë për NATO-n”, u shpreh ai.

Më tej, ai shton që fajtorë janë komandantët dhe politikanët që kanë bërë këtë korrupsion të fëlliqtë.

“Janë më shumë veteranë se sa ka pasur edhe ushtri e policë Serbia në Kosovë. Këta që shtojnë veteranë, e fyejnë racën shqiptare. Me kë dhe ku luftuan veteranët. Nuk kanë qenë luftëtarë refugjatët që janë shkruar veteran. Fajtorë janë komandantët dhe politikanët që e kanë bërë këtë korrupsion të fëlliqtë. Serbët bëjnë hajgare me të drejtë kur shohin sa shumë veteranë dhe thonë pastaj veteranët e qebapëve, veteranët e perëndimit”, thotë analisti.

Nga ana tjetër analisti shprehet se nëse Qeveria e Kosovës e pastron këtë bërllok korrupsioni, meriton të gjitha lëvdatat, sepse mbron luftën dhe luftëtarët e vërtetë.

“Ata që kanë qenë në perëndim nuk kanë qenë në luftë në Kosovë, kur kanë hy ne luftë dhe kanë ikur pas një muaji, letë shpallen një muaj veteranë... Nëse Qeveria e Kosovës pastron këtë bërllok korrupsioni, meriton gjithë lëvdatat sepse mbron luftën dhe luftëtarët e vërtetë, dinjitetin e luftëtarëve”, nënvizon Shahu për “Bota sot”.

Mehmeti: Protestat e sotme, vërtetojnë se janë satelitë i PDK-së

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa analisti tjetër politik, Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që këta veteran janë bërë të tillë që nga koha kur PDK ishte në pushtet dhe të njëjtit janë përdorur për qëllimet e tyre politike.

“Fatkeqësisht, veteranët janë kthyer në vegël të PDK-së. Sa ishte në pushtet PDK nuk protestuan asnjëherë, fatkeqësisht e kanë humbur autoritetin dhe respektin ndaj popullit. Të tillët, janë përdorur dhe po përdorën nga PDK për qëllimet e saja politike. Tashmë po shihet, dhe çdo ditë e më shumë do të shihet, sa thellë ka qenë kapja e shtetit nga PDK, nuk ka lënë asnjë vend pa i futur duart”, thotë ai.

Në bisedë e sipër analisti thotë që nëse vazhdojnë kështu, s’do e kenë asnjëherë respektin e populli, të cilin duhet ta kenë për atë çfarë kanë bërë për vendin.

“Veteranët duhet të jenë të popullit, të paanshme dhe mos të bien nën diktatin e politikave ditore. Nëse vazhdojnë kështu, s’do e kenë asnjëherë respektin e populli, të cilin duhet ta kenë për atë çfarë kanë bërë për vendin. Veteranët, nga radhët e veta duhet të pastrohen, të dihet kush është veteranë e kush jo, vetëm kështu mund të rikthejnë besimin,mbështetjen e qytetarëve. Protestat e sotme, vërtetojnë se ata janë satelitë i PDK-së”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat