Fakte që dëshmojnë se komandantët pranojnë fajësinë për vrasjet politike

Politika

Fakte që dëshmojnë se komandantët pranojnë fajësinë për vrasjet politike

Nga: P.R Më: 17 qershor 2022 Në ora: 22:10
Foto ilustrim "Bota sot"

Publicisti Idriz Zeqiraj në një bisedë për gazetën “Bota sot” ka treguar faktet, që sipas tij dëshmojnë se komandantët pranojnë fajësinë për vrasjet politike .

“Janë, të paktën, tri raste faktike të pranimit të krimeve, kryesisht, të vrasjeve të kundërshtarëve politikë nga disa komandantë banditë: I. Kur Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, po diskutonte afatin e mandatimit të saj, për hetimin e krimeve të luftës dhe të pas luftës, komandantët që "e kishin mizën pas veshit", reaguan ashpër, të mos kalohej tej vitit 2000! Pse? Sepse, luftën e konsideronin si "kohë të rrëmujshme" dhe mund t`ia faturonin vrasjet pushtuesit. Dhe, arritën ta kufizojnë deri në fund-vitin 2000. Kjo është amnistim i krimeve të mëvonshme serike, nga e njëjta strukturë kriminale, e përkufizuar, profesionalisht, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, nga prokurori amerikan Jack Smith”, thotë Zeqiraj.

“II. Reagimi kundërshtues i disa komandantëve kriminelë të PAN-it, për emërimin në poste drejtuese dhe garimin për deputetë, të fëmijëve të vrarëve për motive politike, e quajnë provokim! Kandidatura simpatike e Fetah Rudit, u mirëprit nga populli, por i irritoi fort komandantët. Kjo tregon se kriminelët e PAN-it, nuk janë penduar për krimet e tyre. Dhe, duke e ndjerë vetën, të implikuar në vrasjet politike, nuk e duan ballafaqimin me viktimat apo trashëgimtarët e tyre”, thekson Zeqiraj.

Si fakt të tretë, Zeqiraj përmend intervistën e Rexhep Selimit, të cilit Hashim Thaçi i kishte kërkuar të mbrohet në heshtje.

“III. TV "Dukagjini" ka një reprizë të gjithmonshme: "A është e vërtetë se Hashim Thaçi ju ka kërkuar, qoftë edhe përmes të tjerëve, të mbroheni në heshtje",- i bënë pyetjen publike moderatori Ermal Panduri, ish-ministrit të Brendshëm, në Qeverinë e Përkohshme, Rexhep Selimit? "- Po, si nuk është e vërtetë", - përgjigjet, prerazi, ministri në fjalë. Praktikimi i heshtjes nga komandantët e akuzuar për krimet vrastare, të kundërshtarëve politikë, është bërë e zakonshme. Sepse, sipas një urtësie rumune: "Ata që gënjejnë, duhet të kenë memorie të fortë". Pra, përsëritja e gënjeshtrës, rrezikon t`i tradhtojë memoria!”, thotë Zeqiraj.

Sipas tij, fajësia e pranuar për krimet tashmë të bëra nga disa komandantë me bandat e tyre, është evidente.

Image
Publicisti Idriz Zeqiraj

“Janë të tepërta dhe bjerrje kohe hetimet të stërzgjatura. Elementet e krimit janë konsumuar katërcipërisht. "Më mirë vonë se kurrë", - thotë urtësia. Limaj ka bërë hapin e parë, duke pranuar se vrasjet politike kanë ndodhur, realisht. Dhe, jo si disa kolegë të tij kriminelë, të cilët mohojnë motivet, madje, i quajnë edhe "të vjetërsuara, që duhet harruar"! Nuk është vetëm Baton Haxhiu, i cili apelon për pajtim të brendshëm dhe të jashtëm, duke i amnistuar kriminelët! Janë edhe disa "gjeneralë", eksponentë të krimit, të haraçit dhe të korrupsionit, që duan të harrojnë të kaluarën e zezë të tyre, duke i mbuluar me "tam-temet" e "betejave" të tyre imagjinare”, shprehet Zeqiraj për “Bota sot”.

Ai thotë të gjithë të akuzuarit për vrasjet politike janë fajtor.

“Vërtet, nuk është hera e parë, që Limaj reflekton drejtë, në raport me kolegët e tij: "98 % të ushtarëve na vinin nga radhët e LDK-së", - deklaron, përsëritshëm, Limaj. Por, kur shtrohet pyetja: A duhet të japë përgjegjësi Fatmir Limaj? Mendoj, gjithësesi po, sepse ai ka qenë dhe vazhdon të jetë njëri ndër të akuzuarit kryesor. Mendësia se "kam kaluar në filtrin e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare dhe jam dëshmuar i pafajshëm", siç pretendon Limaj, me sojin e tij, është një "përrallë dimri"! Të gjithë të akuzuarit dhe të arrestuarit, për krime vrastare apo hajnore, përgjatë tej dy dekadave, kanë qenë dhe mbetën të fajshëm. Për disa vrasje faktike, dënimet kanë qenë simbolike, sikur të kenë vjedhur ca pula!”, shpjegon Zeqiraj.

“Avokati i njohur Ben Emerson thotë se "liria e një komandanti ka kushtuar 11 milionë euro", prej tyre ai pranon se ka marrë 5 (pesë) milionë euro. Por, kurrë nuk përmend fjalën "pafajësi"!? Haga ka arrestuar gabimisht vetëm një person dhe brenda 24 orësh e ka liruar, me kërkim falje, e ka kthyer të lirë në Kosovë, me dëmshpërblimin përkatës, ligjor”.

Zeqiraj deklaron se Gjykata Speciale është themeluar për t’i korrigjuar gabimet e bëra nga Gjykata e Hagës.

“Gjykata e Hagës kurrë nuk i ka dënuar të pafajshmit, por, ka liruar të fajshmit. Prandaj, është themeluar Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, për ta korrigjuar, tashmë, fajësinë e bërë nga Gjykata e Hagës, e cila, me vendime arbitrare politike, shkeli mbi gjakun e shumë qindra viktimave të pafajshme, kryesisht, shqiptarë, luftëtarë dhe atdhetarë, të përkushtuar për çlirimin e Kosovës”, nënvizon Zeqiraj.

Idriz Zeqiraj deklaron se njeriu që më në fund duhet të flas për vrasjet politike është Fatmir Limaj.

“Fatmir Limaj, më në fund, duhet të flasë, sepse ai ka qenë pjesë e vendimmarrjes, përkrah Hashimit, me shokë. Janë pazarët tenderuese, që kanë prishur miqësinë e tyre. Përndryshe, ata i lidhin të bëmat e luftës dhe pas saj, madje, pazgjidhshëm, të cilat janë tmerruese. Limaj është bërë yll i mediave vizive. Flet "për Shkup dhe për Shkodër"! Por, tani është radha dhe rasti të flasë për vrasjet politike, rast unik, kur bota demokratike luftonte për shpëtimin e popullit të Kosovës, ndërkohë, disa komandantë bastardë e hafije të Serbisë, vrisnin FARK-istët luftëbërës të Ibrahim Rugovës; luftëtarët dhe veprimtarët e LDK-së; si dhe veprimtarët e hershëm të LPK-së!”.

“E përsërisim, Fatmir Limaj di shumë për vrasjet e kundërshtarëve politikë, sidomos në domenin e sundimit të tij, që përfshinë kogja hapësirë. Nëse nuk i njeh ekzekutorët, urdhërdhënësit i di. Përtej dy dekadave u heshtën, nuk u hetuan, sepse krimi në pushtet dhe shtet, kishte kapur sistemin e drejtësisë. Përmendja e vrasjeve politike, konsiderohej blasfemi! As Limaj kurrë nuk e ngriti zërin për hetimin e tyre. Madje, e bëri namin, për mbojtjen e imunitetit të deputetit, ndërkohë që, sipas shërbimeve informative prestigjioze ndërkombëtare, Parlamenti i Kosovës kishte 27 deputetë kriminelë!”, deklaron Zeqiraj.

Sipas tij, hetimi i vrasjeve politike duhet që të nisë nga Shqipëria, atje ku edhe kanë nisur vrasjet politike.

“Që vrasjet politike, me listimin dhe ekzekutimin e kundërshtarëve politikë kanë ndodhur, realisht. Sikur nuk mjaftuan jetimët numerikë të Kosovës, me prindër të vrarë nga soldateka e Millosheviçit! Numrin e jetimërve e shtuan "komandantët" shqipfolës, që thirreshin në emër të luftës. Kjo nuk ndodhi as në Kroaci dhe as në Bosnje. Por, ka ndodhur dekada më parë në Shqipërinë hoxhiste! Ishte Sigurimi Shqiptar, ai që instruktoi kriminelët e Kosovës, për ta marrë pushtetin me dhunë. Dhe, hetimi i vrasjeve politike, duhej të nismonte, pikërisht në Shqipëri, atje ku është bërë ekzekutimi zyrtar i Ministrit të Luftës, Kolonel Ahmet Krasniqit, në vlugun e luftës. Rast unik!”, shprehet Zeqiraj.

Për tund, Zeqiraj deklaron se vrasjet politike u bënë për pushtet dhe para.

“Kjo, tashmë, është dëshmuar bindshëm. Edhe Fatmir Limaj duhet ta pranojë dhe ta pohojë zëshëm, motivin vrastar të disa komandantëve, si pjesë e Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale”, përfundon për “Bota sot” publicisti Idriz Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat