“U mashtrua edhe një herë”/ Deklarata ‘bombë’: Kosova në pakon e zgjidhjes së problemit Rusi-Ukrainë

Politika

“U mashtrua edhe një herë”/ Deklarata ‘bombë’: Kosova në pakon e zgjidhjes së problemit Rusi-Ukrainë

Nga: P.R Më: 28 qershor 2022 Në ora: 22:06
Foto ilustrim

Edhe pse kishte sinjale pozitive, Kosovës nuk iu dha liberalizimi i vizave në Samitin që u mbajt në Bruksel.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas këtij Samiti shprehu zhgënjimin e saj, ani pse sipas saj, shumica e vendeve ishin pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Në takimin e përbashkët mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është dhënë një përkrahje deklarative nga një numër natyrisht i madh i liderëve sa i përket Kosovës, në të gjitha aspektet. Në radhë të parë shumica dërmuese janë deklaruar pro sa i përket liberalizimit të vizave. Në radhë të dytë shumica kanë përkrahur në përgjithësi perspektiven evropiane të Kosovës që i jep sinjal të mirë pasi të aplikojmë për statusin e kandidatit do të trajtohet me seriozitet dhe e treta Kosova është falënderuar nga shumica dërmuese aty për vendimin e saj që ti bashkohet Bashkimit Evropian dhe të bashkërendohet me BE sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë”.

“Këtu vetëm janë dhënë deklarata politike dhe dua të them se për here të parë kemi dëgjuar deklarata mbështetëse edhe nga disa shtete që në të kaluarën kanë qenë hezituese dhe janë dhënë sinjale pozitive por vendimi nuk merret në atë format. Nga ajo që dëgjuam kemi shpresa qe liderët që ishin aty do ta shtyjnë përpara sa më pare të jetë e mundur këtë çështje. Asnjë shtet i vetëm nuk u deklarua kundër, kemi nevojë për votim dhe të ecim përpara me një vendim. Ne i kemi dhënë të gjitha argumentet tona, Kosova e ka kryer punën e saj. Tani i takon BE që të veprojë”, deklaroi presidentja Osmani.

E kritika të ashpra në drejtim të Bashkimit Evropian po drejton edhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, sipas të cilit, Kosova u mashtrua edhe njeherë me premtimin për liberalizim vizash.

Image
Gurakuç Kuçi

“Kosova u mashtrua edhe një herë për liberalizimin e vizave. ku në emër të liberalizimit iu kërkua zbatimi i marrëveshjes për shpërndarjen e energjisë në komunat veriore të Kosovës. Kjo ia humb Kosovës një pikë koncensionale në marrëveshjen përfundimtare edhe pse tani në dukje është e mirë pasi do paguajnë të gjithë për atë që shpenzojnë”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Bashkimi Evropian po e përdor Kosovën si një trampolinë për sllavët.

“Kosova në ndërtimin e shtetit është treguar joserioz edhe pse për çështjen e liberalizimit të vizave ka plotësuar kushtet por ka dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor, ekonomik dhe jo-kriminal. Duke qenë në këtë nivel tani edhe BE-ja sillet në mënyrë joserioze ndaj Kosovës dhe e përdor Kosovën si një trampolinë për sllavët”, thekson Kuçi.

“BE-ja përveç që dëshiron Kosovën ta lërë si një projekt që ta fusë në pakon e zgjidhjes së problemit mes Rusisë dhe Ukrainës, BE-ja po ashtu tani nuk dëshiron as zbrazjen e Kosovës më herët se sa parashikimi i indikatorëve”, shpjegon më tej Kuçi.

Ai thotë se aleati mbrojtës i Kosovës janë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“BE-ja ndryshe nga SHBA-ja nuk është ai aleati mbrojtës i Kosovës, por BE-ja është më shumë realisti politik dhe kësaj qasje Kosova mund t’i kundërvihet vetëm me një shtet-ndërtim të fortë dhe një diplomaci të fuqishme”, nënvizon Kuçi.

“Kosova nuk duhet të ofrojë koncensione në emër të liberalizimit të vizave më tutje pasi kjo po e bënë këtë proces më të rëndësishëm se çdo proces tjetër”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat