Paratë i duan të gjithë, por tërheqja e 30% nga Trusti mund ta shemb sistemin pensional / Beteja për Trustin është kthyer te qytetarët

Politika

Paratë i duan të gjithë, por tërheqja e 30% nga Trusti mund ta shemb sistemin pensional / Beteja për Trustin është kthyer te qytetarët

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 qershor 2022 Në ora: 16:15
Foto ilustrim

Tërheqja e mjeteve nga Trusti është kërkuar nga partitë opozitare me pretekstin se sado pak do t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Kjo çështje ishte pikë e rendit të ditës të enjten që kaloi, mirëpo Projektligji ‘Kamishit” për tërheqjen e parave deri në 30 % nga Trusti nuk kaloi, sepse pozita shumicë ishte kundër, duke thënë se ato mjete nuk duhet të preken, dhe se janë për pleqërinë.

Por, “Kamishi” dhe mbështetësit e tij nuk janë dorëzuar. Po përpiqen që çështjen ta rikthejnë në Kuvend nëpërmjet një peticioni, i cili duhet të përmbajë së paku 10 mijë nënshkrime valide, për të dalur si çështje në Kuvend.

Dhe, për këtë gjatë ditëve të vikendit ka filluar nënshkrimi i peticionit nga qytetarët për tërheqjen e parave nga Trusti. Peticioni i është vënë në dispozicion qytetarëve thuaj në gjithë Kosovën. Organizatorët qëndruan në sheshin e Prishtinës, ku thanë se deri më tani janë mbledhur qindra nënshkrime dhe se presin shumë shpejtë që ky numër të arrijë në 10 mijë për t’u dërguar pastaj në Kuvendin e Kosovës.

Derisa në Prishtinë kishte edhe fluks të qytetarëve për të nënshkruar peticionin.

Mehmeti: Nuk çmohen shumë iniciativat duke dëshmuar mungesë të demokracisë së Kuvendit

Analisti Faton Mehmeti thotë se edhe ky peticion do të dështojë siç kanë dështuar të gjitha tjerat para këtij.

Image
Faton Mehmeti

Edhe pse në vende tjera peticionet bëjnë ndryshimet, tek ne nuk çmohen shumë iniciativat duke dëshmuar mungesë të demokracisë së Kuvendit.

Ka pasur shumë iniciativa dhe asnjëra nga ato s’ka pasur shumë sukses, kështu që edhe kjo iniciativë do të dështojë. Në këtë kuptim 10 mijë nënshkrimet që do të bëhen s’do të prodhojnë rezultat.

Kjo është shumë e pavend duke ditur se në vendet demokratike peticionet merren parasysh dhe bëjnë ndryshimin. Nuk çmohen shumë iniciativat duke dëshmuar mungesë të demokracisë së Kuvendit”, thotë ai.

Kelmendi: Mjetet e siguruara në Trust janë për pension në pleqëri

Juristi Muhamet Kelmendi në një përgjigje me shkrim thotë se në gjithë këtë çështje është përjashtuar mënyra e tretë dhe e katërt e sigurimit, që quhet "gjenerata e ndihmon gjeneratën" sepse këtu as shteti nuk kontribuon me participim për pension.

Image
Muhamet Kelmendi

Trusti si mekanizëm social është krijuar për të punësuarit në të gjithë sektorët, me qëllim që në moshën e pleqërisë, pas 65 vjetësh, të kenë ata një pension. Natyrisht se kjo formë e sigurimit pensional nuk është e mirë, sepse këtu është përjashtuar mënyra e tretë dhe e katërt e sigurimit, që quhet "gjenerata e ndihmon gjeneratën". Këtu as shteti nuk kontribuon me participim për pension. Forma e tashme e Trustit nuk garanton për mbi 90% të siguruarve një pension të pleqërisë adekuate për jetë dhe as pension familjar, sepse mjetet e të punësuarve, me të ardhura të ulëta, nuk japin garanci për pension që siguron jetën në pleqëri. Rreth 90% e kanë nga mjetet e ndara pensionin, edhe më të ultë se 100 euro. Dhe atë për një periudhë kohore rreth 70 muaj”, thotë ai.

Ai tutje, përmend disa forma përmes të cilave do të mund të siguroheshin mjete të mjaftueshme për pension.

Këtë pension lypset që shteti ta riorganizojë nëpërmjet disa formave të garantimit të pensionit konform nevojave për jetë. Këtu bëhet fjalë për:

1. Mjetet e të punësuarit,

2 Mjetet e punëdhënësit,

3. Mjetet nga gjenerata e ndihmon gjeneratën dhe

4. Nga garantimi i pensionit edhe nga shteti.

Forma e tillë siguron mjete të mjaftueshme për pension. Mbështetur në faktin se 90% të të punësuarve kanë të ardhura nën 300 euro, e ku shumë pak sigurohen mjete në Trust. Është ndoshta zgjidhje e mirë që t'u jepen nga Trusti një shumë e mjeteve për të kaluar gjendjen e rëndë që është”, thekson ai.

Juristi thotë se mjetet nuk duhet të preken, duke shtuar se përjashtim bën vetëm shteti, i cili mundet të merr në formë të kredisë ndonjë shumë për të ndihmuar të siguruarit, por ato duhet t’i kthejë përsëri në fondin e Trustit.

Juridikisht dhe në aspektin ekonomik nuk është e drejtë kjo çështje. Nuk duhet të preken mjetet. Vjen shumë shpejt pleqëria dhe në atë kohë çdo euro është ndihmë e madhe. Askund nuk merren mjetet e tilla paraprakisht. Përjashtim bën shteti. Shteti mund të merr në formë të kredisë ndonjë shumë për të ndihmuar të siguruarit, por ato duhet t’i kthejë përsëri në fondin e Trustit. Ndërsa, marrja e mjeteve, pa garanci të shtetit, që i plotëson ato, nuk është zgjidhje e mirë. Duket për momentin, por më vonë, në kohën e pensionimit, do të vërehen pasojat e rënda, sepse nuk ka pension, sadokudo i ultë që është. Tërë barra përsëri bie mbi shtetin”, përfundoi Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat