Akuzohen për vrasjet në LDK dhe bashkëpunëtorëve të Rugovës/ Shteti të ndalë pagesat për të akuzuarit e Speciales

Politika

Akuzohen për vrasjet në LDK dhe bashkëpunëtorëve të Rugovës/ Shteti të ndalë pagesat për të akuzuarit e Speciales

Nga: P.R Më: 1 korrik 2022 Në ora: 20:19
Thaçi dhe të tjerët në Hagë

Vizitat e shumta që po u bëhen në Hagë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit dhe të tjerëve, të cilët Gjykata Speciale ndër të tjerash i akuzon për vrasjen e anëtarëve të LDK-së dhe bashkëpunëtorëve të presidentit historik, Ibrahim Rugova, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik të Kosovës.

Madje pati thirrje ndaj Qeverisë Kurti që të ndalë edhe përkrahjen financiare ndaj të akuzuarve të Speciales, pasi dihet se shpenzimet e avokatëve dhe vizitat e familjarëve të tyre në Hagë, mbulohen nga buxheti i varfër i shtetit të Kosovës.

Se kjo po ndikon rëndë në buxhetin e shtetit, e thotë edhe analisti politik, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

“Në fakt sa i takon Gjykatës Speciale, që nga fillimi i punës së saj, me kushtet të cilat Kosova i ka marrë vullnetarisht mbi vete, është ditur paraprakisht se procedimi i padive ndaj të akuzuarve, do të peshojë rëndë edhe mbi buxhetin e shtetit të Kosovës. Për dijeninë e lexuesve duhet të cekim me këtë rast, se Ligji për mbrojtjen juridike dhe financiare përveç mbulimit të shpenzimeve të avokatëve dhe mbrojtjes së personave, të akuzuar nga Gjykata Speciale, është miratuar nga ministria e «drejtësisë» e udhëhequr atëbotë nga Abelard Tahiri dhe nga ajo kohë, ky ligj u siguron mbulimin e shpenzimeve edhe familjarëve të tyre gjatë vizitave që u bëjnë personave të arrestuar, të cilët, pritet të përballen me procese të gjata gjyqësore në Hagë”, thotë Qarri.

Edhe pse ndodhën ndryshime politike në Kosovë që nga ajo kohë, një gjë e tillë sipas Qarrit nuk u ndryshua.

“Por duhet theksuar po ashtu fort dhe zëshëm, se sa u takon të burgosurve të Hagës, duket se edhe përkundër ndryshimeve politike, në Kosovë ende vlejnë doktrinat e «drejtësisë» së Klanit PRONTO dhe përkundër padisë së paprecedent që rëndon mbi të akuzuarit, në burgjet e Gjykatës Speciale, dhe pasurisë së pafund milionëshe që përflitet të kenë grumbulluar në mënyrat e tyre mafioze, ata vazhdojnë të mbeten nën mburojën e shtetit, i cili ka marrë përsipër jo vetëm pagesën e shtrenjtë disa dhjetëra milionëshe të avokatëve, por edhe vazhdon edhe me mbulimin e shpenzimeve të vizitave të familjarëve”, shprehet Qarri.

Ai hedh kritika ndaj Kryeparlamentarit, Glauk Konjufca dhe Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu pasi këta dy të fundit vizituan të akuzuarit e Speciales.

“Dhe për habinë e qytetarëve si dhe të mbarë opinionit publik, përkundër peshës së rëndë të aktakuzave që rëndojnë mbi grupin e të ashtuquajturës «Ndërmarrje Kriminale» ata po vizitohen edhe nga vet Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e së fundi edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili, siç dihet për një kohë ishte edhe vet anëtar i SHIK-ut, madje pas vizitës që Konjufca absolvoi në Hagë, ai jo vetëm e atakoi rëndë, por dhe filloi t’i ndaj leksione «juridike» edhe Gjykatës Speciale për mbajtje në mënyrë të padrejtë nën arrest të të akuzuarve, ngadalësi dhe zvarritje të gjykimeve, sikur t’i kishte rregulluar të gjitha punët deri në fund me drejtësinë inkriminuar në Kosovë”, deklaron Qarri.

Më tej, Qarri thekson se të vizitohen dhe të përkrahen financiarisht ata që akuzohen për vrasjen edhe të shqiptarëve, është fyerje për familjarët e viktimave të vrasjeve politike.

“Është po kjo Qeveri dhe Ministria e saj e Drejtësisë, e cila para disa kohësh ka dërguar ligjin për Vetting dhe atë për konfiskimin e pasurive të paligjshme për konsultim në Komisionin e Venecias, por edhe pasi ka marrë pëlqimin e këtij Komisioni, është shumë e habitshme se si, megjithëse të gjithë të akuzuarit, jo vetëm dyshohen, por edhe akuzohen publikisht edhe nga ligjvënësit e vendit se kanë pasuri milioneshe, pse shteti duhet të paguaj, jo vetëm për mbrojtjen e të akuzuarve nga Gjykata Speciale, por t`ua heq shpenzimet edhe për vizitat e familjareve te tyre ne Hagë, gjë që është fryrje dhe persekutim i rëndë psiqik e moral edhe për familjarët e viktimave të vrasjeve politike, aktakuza të cilat me fillimin e procesit të gjykimeve në Hagë, mund të vërtetohen edhe nga Gjykata Speciale, e cila në fakt edhe i akuzon, ata për ndalim të paligjshëm, torturim, detyrim dhe vrasje në vitet 1999 dhe 2000”.

Për fund, analisti Qarri i bën thirrje Qeverisë Kurti që të ndalojë çdo financim nga buxheti i shtetit të Kosovës për të akuzuarit e Speciales.

“Prandaj duke pasur parasysh pasuritë shumë milionëshe, të cilat thuhet publikisht se të akuzuarit e Gjykatës Speciale i posedojnë, shteti tanimë i ka të gjitha mundësitë t’i sqarojë të gjitha këto dhe nëse vërtetohet pasuria e përfolur e tyre shumë milionëshe, duhet të ndërpritet urgjentisht çdo financim i mëtejmë ndaj tyre, në kurriz të shtetit të Kosovës, përndryshe Qeveria dhe ministritë përkatëse, duhet të thirren, nga prokuroria e shtetit, në përgjegjësi penale e në rast nevoje, personat përgjegjës të marrin edhe dënimet e merituara, për dëmtim të qëllimshëm të buxhetit të shtetit dhe mos respektim të ligjeve të vendit”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe njohësi i zhvillimeve me politike, Gani Qarri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat