Zbulohen planet “sekrete” të Ramës dhe Vuçiqit/ Ky është politikani që do t’i ndalojë ato?!

Politika

Zbulohen planet “sekrete” të Ramës dhe Vuçiqit/ Ky është politikani që do t’i ndalojë ato?!

Nga: M.H. Më: 3 korrik 2022 Në ora: 21:43
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Edhe pse pushteti serb, i përsëriti 5 herë zgjedhjet në Tërnoc, duke manipuluar votimet për të mos zgjedhur Kamberin si deputet, shqiptari sërish u zgjedh deputet. Kamberi është shprehur se Serbia donte që të shuante zërin e shqiptarëve. 

‘Anulimi i disa herë zgjedhjeve, ishte një përpjekje e vazhdueshme. Ishte një përpjekje që shqiptarët të mos kishin zërin e tyre në parlament. Por më në fund, votuesit e zonës 6 në Tërnoc, mbështesin zgjedhjen e tyre, duke kundërshtuar edhe Beogradin.’, u shpreh Kamberi.I pyetur nëse ka marrë mbështetje nga politika shqiptare dhe ajo e Prishtinës, Shaip Kamberi ka treguar se ka marrë urime nga politika. 

Në lidhje me këtë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi. 

Image
Enver Bytyçi

Ai u shpreh se deri më sot asnjë deputet shqiptar nuk i ka mbrojtur të drejtat demokratike dhe të ligjshme të shqiptarëve sa dhe si Shaip Kamberi në Kuvendin e Serbisë 

“Shaip Kamberi ishte deputet I Kuvendit të Serbisë në legjislaturën e kaluar. Ne kemi parë qëndrimin e tij parimor dhe të drejtë në punimet e seancave të kuvendit serb. Kemi ndjekur nga afër deklaratat dhe këshillat që ai i ka dhënë Aleksandër Vuçiq dhe politikanëve serbë lidhur me të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe me dialogun e pranimin e Kosovës shtet sovran e të pavarur. Deri më sot asnjë deputet shqiptar nuk i ka mbrojtur të drejtat demokratike dhe të ligjshme të shqiptarëve sa dhe si Shaip Kamberi në Kuvendin e Serbisë. Asnjë prej tyre nuk e ka ngrit zërin kaq fuqishëm dhe në mënyrë aq të argumentuar për të drejtën e të qenit I lirë në një shoqëri demokratike”, u shpreh ai. 

Kësaj radhe përçarja e shqiptarëve e ka emrin Rama-Vuçiq 

Më tej, ai thekson që arsyeja që u penalizua në këto zgjidhjet e fundit ishte që ka qenë zëri i padëshiruar për Vuçiqin. 

Gjithashtu profesori që dy emrat që dëshirojnë të përçajnë shqiptarët janë Rama dhe Vuçiq. 

“Për këto arsye Shaip Kamberi u penalizua në zgjedhjet e fundit. Si gjithmonë ishte përçarja e shqiptarëve shkaku i këtij penalizimi. Presidenti I Serbisë Aleksandër Vuçiq, nuk e donte dhe nuk e do Shaip Kamberin në Kuvendin e Serbisë. Prandaj ai nxiti dhe inskenoi përçarjen e faktorit politik në Luginë. Serbia nuk e ka pasur asnjëherë të vështirë të përçajë faktorin shqiptar. Ajo ia ka arritur që ta bëjë këtë në çdo kohë e periudhë të historisë sonë të re. Serbia ka gjet gjithmonë aleatë e bashkëpunëtorë të saj në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup apo Tetovë dhe nuk ka pasur asnjë vështirësi që ta bëjë këtë në Preshevë e Bujanovc. 

Por kësaj radhe përçarja e shqiptarëve e ka emrin Rama- Vuçiq. Edhe në rastin e pengesave që iu bënë Shaip Kamberit për të qenë në sallën e parlamentit në Beograd ishin këta të dy që dhanë kontribute të mëdha. Këta të dy gjetën një marionetë në duart e tyre me emrin Shqiprim Arifi. Ky, në vend që të pranonte bashkimin e faktorit politik në zgjedhjet e fundit, bëri të kundërtën. I përçau shqiptarët. Dhe në këtë mënyrë, në vend që shqiptarët e Luginës të kishin së paku dy, por me mundësi edhe tre deputetë në Kuvendin serb, gati-gati ngelën të përfaqësuar. Për herë të parë ndodhi kjo në tridhjetë vitet e fundit”, thotë profesori për gazetën. 

Bytyçi nuk përjashton mundësinë që Vuçiq të sajojë ndonjë reng kundër Kamberit të mos jetë pjesë e parlamentit e që këtë sajim mund ta ndihmoj Shqiprim Arifi. 

“U bënë pesë raunde zgjedhjesh në Tërnovc, derisa Shaip Kamberi mori votat e nevojshme për të qenë deputet i parlamentit serb. Ende nuk dihet saktësisht nëse ai do të jetë pjesë e këtij parlamenti, sepse priten pengesa të tjera artificiale, të cilat i krijon sistemi i regjimit autoritar të Aleksandër Vuçiq. Por së paku numri i votave është dukshëm i qartë dhe që i mundëson atij ulësen në parlament. Ka mundësi që presidenti serb të sajojë ndonjë reng kundër pranisë së Shaip Kamberit në parlament. Ka mundësi që kolaboracionistë pro- serbë, si Shqiprim Arifi, të sajojnë ndonjë artificë në favor të Vuçiq e kundër fituesit Kamberi”, shpjegon tutje ai. 

Në bisedë e sipër profesori thotë që ardhja në pesë raunde ishte si rezultat që ai nuk ishte peng i Beogradit. 

“Ajo që ka ndodhur në rastin e Shaip Kamberit është e paprecedentë. Pesë raunde zgjedhjesh janë bërë. E gjithçka ishte në funksion të ndalimit të së drejtës së shqiptarëve që ata të përfaqësohen nga zoti Kamberi. E gjitha kjo për shkak se ai nuk është peng i Beogradit, nuk ndjek agjendën e Beogradit e të Serbisë kundër shqiptarëve, nuk përkrah iniciativat serbe që çojnë në krijimin e Jugosllavisë së Re ose të Serbisë së Madhe. Shaip Kamberi nuk e përkrah ndarjen e Kosovës, siç bën Shqiprim Arifi. Nuk e përkrah Open Balkan, siç bën Shqiprim Arifi! Nuk përkrah politikat e asimilimit të shqiptarëve në Serbi, siç bën zoti Arifi. Prandaj është I padëshirueshëm në Kuvendin e Serbisë”, potencon Bytyçi. 

Profesori ndër të tjera thotë që duhet një mbështetje më e madhe për Kamberin pasi politikanët kundër shqiptarëve po vazhdojnë të jenë shumë. 

“Rasti i Shaip Kamberit duhet të jetë kambanë alarmi për shqiptarët dhe për faktorin ndërkombëtar të vlerave demokratike. Askush nuk duhet të dyshojë se ky rast na zbulon projektin serb të shpopullimit të Luginës dhe asgjësimit të shqiptarëve që jetojnë atje. Kësaj politike i janë bashkëngjitur jo pak politikanë shqiptarë, prej Edi Ramës e deri te Shqiprim Arifi. Shihni përkrahjen që gjen në mediet shqiptar ky farë Arifi dhe shihni sa përkrahje gjen Shaip Kamberi. Raporti është 1:3 në favor të Shqiprim Arifit e disfavor të Shaip Kamberit. Pse ndodh kjo? Sepse jo vetëm politika shqiptare, por edhe mediet janë vënë në shërbim të politikave serbe për shqiptarët dhe mbi shqiptarët”, shprehet profesori. 

Shaip Kamberi është mësimi i madh për ne se po përballemi me lojë të fëlliqur nga e cila përfiton ekspansioni i Serbisë në Ballkan në dëm të interesave shqiptare, nënvizoi ai. 

“Shaip Kamberi është mësimi i madh për ne se po përballemi me lojë të fëlliqur nga e cila përfiton ekspansioni i Serbisë në Ballkan në dëm të interesave shqiptare. Shaip Kamberi është simboli i përballjes me politikat e mbrapshta të Beogradit për hegjemoni në Ballkan! Prandaj dhe është e domosdoshme që të nxjerrim mësime nga ky rast. Duhet të shohim se si ne shqiptarët jemi aq të aftë të përçahemi mes vete për llogari të Serbisë. Duhet të shohim ne shqiptarët se sa i dëmshëm është bashkëpunimi i kryeministrit të Shqipërisë dhe bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi e Luginën e Preshevës me Beogradin”, përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat