Bashkëpunëtori i Ahmet Krasniqit i reagon Xhavit Halitit për Tahir Zemajn

Politika

Bashkëpunëtori i Ahmet Krasniqit i reagon Xhavit Halitit për Tahir Zemajn

Nga: P.R Më: 6 korrik 2022 Në ora: 23:56
Kolonel Tahir Zemaj, gjatë dhënies së instruksioneve ushtarëve të brigadës "Mërgimi" për gjuajte me armë antitankë.

Teksa ka shkruar në 24 vjetorin e Betejës së lavdishme të Loxhës, deputeti i PDK-së dhe ish anëtari i Shtabit të “Rognerit”, Xhavit Haliti nuk e ka përmendur njeriun kryesor të kësaj beteje, komandantin kryesor që udhëhoqi Betejën e Loxhës, kolonel Tahir Zemaj.

“Beteja e Loxhës e 6 korrikut 1998 i dha hov luftës çlirimtare e motiv shtesë ushtarëve të UÇK-së. Ushtarët e UÇK-së, të prirë nga Skënder Çeku, i shkaktuan humbje të konsiderueshme forcave serbe. Rol të rëndësishëm në këtë betejë dha edhe veprimtari i hershëm i çështjes kombëtare, Binak Dinaj, si dhe një numër i madh i ushtarëve të UÇK-së, përfshirë edhe banorët e Loxhës, si dhe të fshatrave përreth”, shkoi ish anëtari i Shtabit të “Rognerit”, Xhavit Haliti.

E sipas Sefedin Krasniqit, ish bashkëpunëtor i Ministri të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, Xhavit Haliti dhe Shtabi i “Rognerit” i urrejnë betejat e fituara nga brigadat e FARK-ut.

Image
Sefedin Krasniqi

“Xhaviti dhe të gjithë ata qe kanë mrizuar në hotel Rogner, i kanë mërzi fitoret e brigadave të FARK-ut, si atë të Loxhës apo të Koshares, sepse të vetat nuk kanë. Beteja e Loxhes, e fituar nga komandanti Tahir Zemaj, i ka edhe dëshmorët e vet siç janë: Lumni Surdulli, Rustem Bruçi dhe Enver Alaj. Ndërsa nga të gjallët, nga Shtabi komandues, askush nuk është më kompetent të flas sesa Nazif Ramabaja”, thotë Krasniqi për “Bota sot”.

Sipas tij, anëtarët e LPK-së po mundohen që t’i falsifikojnë të vërteta e betejave në Kosovë.

“Disa vite me radhë, LPK-istat kot po mundohen t’i falsifikojnë këto beteja, pasi e kanë kuptuar se duhet të fshehën pas famës së tyre, të cilat edhe fort i pastrojnë shumë veprime të shëmtuara të LPK-se, siç janë vrasjet politike, që bëheshin në emër të UÇK-së”, thekson Krasniqi.

“Pasi te vdes unë, do të del dikush prej tyre që do të mundohet ta përvetësojë edhe Betimin e ushtarëve dhe oficerëve të FARK-ut, i cili ngërthen në vete frymën e Kushtetutës së Kaçanikut. Betimi ne fjalë daton që nga nëntori i vitit 1996. Në atë kohë UÇK e Xhavitit nuk kishte ende Betim”, shprehet Sefedin Krasniqi.

Për fund, Krasniqi deklaron se e gjithë e vërteta e Betejës së Loxhës gjendet në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”.

“Beteja e Loxhës e ka historinë e vet se si u zhvillua; orë pas ore dhe gjithçka është e faktuar në librin e parë “Kështu foli Tahir Zemaj”. Kjo betejë nuk mund të falsifikohet nga askush, sepse e ka vulën e Tahir Zemajt dhe është për keqardhje që askush nuk e ka realizuar një film për të, sepse është beteja e parë e fituar kundër forcave serbe”, përfundon për “Bota sot”, Sefedin Krasniqi ish bashkëpunëtor i kolonel, Ahmet Krasniqit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat