“Gjendje dëshpëruese”/ Vjen kundërpërgjigjja për Radojçiqin, AKI-ja t’ia zbulojë vendndodhjen e të arrestohet

Politika

“Gjendje dëshpëruese”/ Vjen kundërpërgjigjja për Radojçiqin, AKI-ja t’ia zbulojë vendndodhjen e të arrestohet

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 korrik 2022 Në ora: 15:46
Milan Radojiçiq

Gjatë ditës së djeshme një nga ngjarjet më të përfolura ka qenë lajmërimi i Milan Radojçiqit nga veriu i Kosovës.

Milan Radojçiq, që është në kërkim nga drejtësia si i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, për rastin “Brezovica”, por edhe i shpallur ‘non grata’ nga SHBA-të si njëri nga anëtarët më të fuqishëm të grupit ndërkombëtar të krimit të organizuar me seli në veri të Kosovës.

Ai ka publikuar një video duke dhënë njëkohësisht një mesazh për serbët.

Radojçiqi u shpreh së është kthyer në veri dhe nuk do të zmbrapset, duke kërcënuar institucionet e Kosovës, me një fjalor diskret, ndërsa ka gënjyer duke propaganduar sipas programit shtetëror serb, se po ndodhë ‘terror’ ndaj serbëve, edhe pse institucionet lokale udhëhiqen nga serbët dhe marrin paga po ashtu nga Serbia. Pra, nëse po ushtron dikush terror ndaj serbëve në veri, është vetë Serbia, duke e mashtruar popullatën atje.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, tha Radojçiq nga Leposaviqi.

Ky kthim i Radojçiqit në veri padyshim që ngjalli reagime të mëdha pasi i njëjti në një deklaratë nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, thotë se ai dyshohet për përfshirje në vrasjen e politikanit serb që të dorëzohet në organet e drejtësisë.

Kujtojmë që Milan Radojçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi, krahas gjashtë të dyshuarve të tjerë, janë të dyshuar si urdhërdhënës për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Të dy, Milan Radojçiqi dhe Zvonko Veselinoviq (dhe vëllai i tij), bashkë edhe me disa serbë të tjerë nga Kosova janë pjesë e ‘listës së zezë’ të Departamentit të Thesarit të ShBA-së.

Dugolli: Qytetarët serb e kanë kuptuar tanimë që soji i Radoiqiçit nuk u sjell asgjë të mirë atyre

Image
Enver Dugolli

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, foli deputeti nga radhët e LVV-së, Enver Dugolli, i cili njëkohësisht është pjesë e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Ai u shpreh se hyrja e Radojçiqit ka qenë ilegale pasi kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është i gjatë, mirëpo ai thekson që kjo video tregon se ai është në një gjendje të pashpresë.

“Brezi kufitar i Kosovës me Serbinë është i gjatë dhe kalimi ilegal i Radojqiçit është e vetmja mënyrë e komunikimit. Rrugët legale dhe pikëkalimet kufitare për lëvizjen e njerëzve normal nuk janë opsion për kriminelët sepse ata do të arrestohen në momentin që identifikohen. Manovrat e Radoiqiçit me ato kërcënime dëshpëruese tregojnë gjendjen e tij të pashpresë e jo të popullatës lokale serbe”, u shpreh ai.

Më tej, deputeti thotë që atij dhe sojit të tij nuk u ka mbetur asnjë hapësirë tjetër e veprimit sepse kudo dhe kurdo që të identifikohet vendndodhja e tij, ai do arrestohet dhe do të vihet para drejtësisë.

“Ka mbaruar koha kur Radoiqiçi e grupe tjera kriminale kanë defiluar të lirë e të papenguar, madje edhe në zyrat qeveritare. Atij dhe sojit të tij nuk u ka mbetur asnjë hapësirë tjetër e veprimit sepse kudo dhe kurdo që të identifikohet vendndodhja e tij, ai do arrestohet dhe do të vihet para drejtësisë. Qytetarët serb e kanë kuptuar tanimë që soji i Radoiqiçit nuk u sjell asgjë të mirë atyre. Krimi, korrupsioni dhe kontrabanda do të ndiqen dhe luftohen me forcën e ligjit kudo që ndodhin”, foli Dugolli për “Bota sot”.

Miftaraj: Radojçiq përmes veprimeve të tilla bën përpjekje dëshpëruese për të treguar se mund të vijë në Kosovë përmes rrugëve ilegale

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur rreth ngjarjes së djeshme.

Image
Ehat Miftaraj

Sipas tij, Radojçiq është në një gjendje dëshpëruese për këtë arsye edhe mundohet të dërgojë këso lloj mesazhesh.

Ai gjithashtu cek që ky mesazh i tij tregon që i njëjti ende kontrollon grupe kriminale në veriun e Republikës së Kosovës.

“Millan Radojçiq një person i kërkuar nga drejtësia në Republikën e Kosovës për një varg të veprave penale, dhe subjekt i sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas urdhrit 13818 të presidentit Biden që kryesisht lidhet për personat që dyshohen se janë të përfshirë në veprimtari korruptive dhe shkelje të të drejtave të njeriut, përmes veprimeve të tilla bën përpjekje dëshpëruese për të treguar se mund të vijë në Kosovë përmes rrugëve ilegale dhe përçon mesazhin se Kosova nuk është në gjendje të mbyll të gjitha rrugët ilegale në Kosovë. Si dhe mesazh se i njëjti ende kontrollon grupe kriminale në veriun e Republikës së Kosovës, të cilët mund të luajnë rol destruktiv ndaj rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës”, thotë Miftaraj.

Ndër të tjera, ai thekson që, institucionet përgjegjëse në Kosovë, përfshirë policinë dhe Agjencinë e Inteligjencës do të duhej të jenë më vigjilente dhe përmes rrugëve operative të zbulojnë vendndodhjen.

“Sikurse, institucionet përgjegjëse në Kosovë, përfshirë policinë dhe Agjencinë e Inteligjencës do të duhej të jenë më vigjilente dhe përmes rrugëve operative të zbulojnë vendndodhjen e të njëjtit në mënyrë që i njëjti të arrestohet dhe të vihet para drejtësisë”, u shpreh Ehat Miftaraj për “Bota sot”.

Humolli: Kosova është e fuqishme ndaj Serbisë

Ndërsa, deputeti Fatmir Humolli, i cili është nga radhët e LVV, e që po ashtu bënë pjesë në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për “Bota sot”, thotë që Kosova është e fuqishme ta përballoj çdo sfidë nga Serbia.

Image
Fatmir Humolli

“Institucionet e Kosovës janë të fuqishme me u merr me çdo sfidë që vjen nga Serbia”, potencon ai.

Për fund, sipas deputetit këto kërcënime nga Serbia nuk janë të papritura për Kosovën.

“Retorika e atillë e individëve dhe të institucioneve nga Serbia nuk është risi”, përfundoi Humolli për “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat