Kroacia e bllokoi/ Vjen alarmi për Kosovën: Të përgatitet për çdo provokim nga Beogradi – Dy mesazhet e Vuçiqit...

Politika

Kroacia e bllokoi/ Vjen alarmi për Kosovën: Të përgatitet për çdo provokim nga Beogradi – Dy mesazhet e Vuçiqit...

Nga: P.R Më: 19 korrik 2022 Në ora: 22:28
Foto ilustrim - "Bota sot"

Shteti i Kroacisë ditë më parë i ndaloi hyrjen presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte planifikuar të vizitonte privatisht dy qytete kroate, Jasenovac dhe Pakrac.

“Kryeministri Plenkoviq dhe Qeveria thanë qartë jo. Ne jemi një vend i pavarur, anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe ai nuk mund të bëjë çfarë të dojë këtu. Politika e ‘botës gjithëserbe’ nuk do t’i funksionojë në Kroaci”, deklaruan autoritetet kroate, ndërsa nga shteti i Serbisë thanë se të gjithë zyrtarët kroatë do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli përpara se të futen në Serbi.

Për ndalimin e hyrjes së Vuçiqit më Kroaci dhe se a duhet ta ndjekë shembullin e njëjtë edhe Kosova, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sipas Bytyçit, Vuçiq me vizitën në Kroaci dëshironte të dërgonte dy mesazhe.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Kroacia ndaloi hyrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në territorin e saj. Kreu i shtetit serb do të shkonte atje “për të përkujtuar serbët e vrarë në kohën e Luftës së Dytë Botërore nga ushtarët kroatë”, siç thuhet në lajmet që janë dhënë. Lufta e Dytë Botërore në fakt krijoi mundësitë që popujt e dhunuar nga serbët, sidomos shqiptarët dhe kroatët, të merrnin frymë lirisht nga terrori serb. Kjo është një e vërtetë e padiskutueshme, edhe pse komunistët e kanë shfrytëzuar dhe e shfrytëzojnë këtë fakt si kundërvënie të Aleatëve. Por nuk është e vërtetë. Edhe kroatët, edhe shqiptarët nuk ishin gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër aleatëve. Thjesht ishin kundër Serbisë dhe Rusisë. Tani Vuçiq u përpoq që me vizitën e tij në një qytet të vogël në lindje të Kroacisë të japë dy mesazhe: Së pari, t’u thotë serbëve dhe opinionit publik se “kroatët kanë kryer krime kundër serbëve dhe për këtë arsye ata janë armiqtë tanë”! Dhe së dyti, të çojë te SHBA, Britania e Madhe dhe Franca mesazhin se “nuk janë kroatët, përkundrazi janë serbët aleatët tuaj”! Propaganda Vuçiq e tejkalon propagandën e Milosheviç. Në fund të fundit nuk ka si të ndodhë ndryshe. Vuçiq ka qenë shefi i propagandës së regjimit të Sllobodan Milosheviçit”, thotë Bytyçi.

Ai thotë se Vuçiq synoi që të hyjë si kaçak në Kroaci dhe të nxitë edhe më tej urrejtje, ashtu siç ka vepruar në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Por ministria e Jashtme e Kroacisë ia ndaloi presidentit të Serbisë të kryejë këtë lloj rituali në këtë vend. U tha se Vuçiq nuk ka njoftuar zyrtarisht për këtë vizitë. D.m.th ka tentuar të hyjë si kaçak. Një president serb luan rolin e kaçakut, d.m.th të veprimeve të fshehta. Por Kroacia nuk është si Kosova, as si Shqipëria e Bosnja. Kroacia reagoi dhe e ndaloi këtë vizitë. Për hir të së vërtetës edhe qeveria Kurti e ka ndaluar presidentin e Serbisë të hyjë në Kosovë. D.m.th nuk i ka dhënë leje. Sepse Vuçiq i përdor vizitat e tij në vendet fqinjë, sidomos në Kosovë, Bosnjë, Mal të Zi e kësaj here tentoi në Kroaci, që të promovojë e të zgjojë ndjenjat nacionaliste serbe. Pra të nxitë urrejtje midis popujve dhe kombeve. Dhe të nxitësh urrejtje e hakmarrje është e dënueshme me ligje shtetërore e ndërkombëtare”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Profesor Bytyçi thekson se Aleksandër Vuçiq synon që të provokojë luftë ose konflikt në rajon.

“Por Aleksandër Vuçiq nuk ndalet. Kërkon të shfrytëzojë çdo rast që të provokojë luftë ose konflikt në rajon. Këtë e bën çdo vit duke dërguar pelegrinë në Fushë Kosovë, ku në vitin 1389 u zhvillua beteja e famshme midis ushtrisë osmane të Sulltan Muratit dhe forcave mbrojtëse të koalicionit ballkanik të drejtuar nga Car Llazari i Serbisë. Këtë mision përçarës dhe konfliktual ai përpiqet ta ushtrojë në funksion të projekteve ultra-nacionaliste të krijimit të Serbisë së Madhe! Për çfarë i duhet tjetër presidentit të Serbisë një aktivitet përkujtues për ngjarje që kanë ndodhur para më shumë se 80 vite?! Vetëm për të zgjuar nacionalizmin, për të promovuar urrejtje, për të përligjur aleancën strategjike me Rusinë, për t’iu kundërvënë Perëndimit!”, shpjegon Bytyçi.

Shembullin e Kroacisë, sipas Bytycit duhet ta ndjekin edhe Kosova dhe Shqipëria.

“Në këto kuptime vendimi kroat për ta ndaluar këtë vizitë është në pajtim me të drejtën shtetërore dhe me vlerat e Bashkimit Evropian. Ndërkohë Beogradi dëshiron të behet pjesë e këtij bashkimi. Dhe ashtu si Kroacia, edhe Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit duhet t’i tregojnë Serbisë dhe liderëve të saj se nuk pajtohen me këtë lloj politike destructive. Vetëm përkushtimi për paqen dhe respektimi i shteteve të tjera është mënyra e duhur për të fituar besimin e kombeve ballkanike. Çdokush në Ballkan që mbron një Serbi dhe udhëheqësit e saj që përpiqen të ushqejnë mitet e vjetra, nacionalizmin ekstrem, pra urrejtjen etnike, fetare etj në rajon, duhet izoluar”, deklaron Bytyçi.

“Ata që justifikojnë veprimet e Aleksandër Vuçiq janë jo vetëm shërbëtorë të tij, por edhe ndihmës të përhapjes së ekstremizmit serb në funksion të destabilitetit, konfliktit dhe ndoshta edhe luftës në rajon. Nuk ka asnjë rrugë tjetër për ta detyruar Beogradin të respektojë vlerat e Evropës dhe të Perëndimit. Duhet që Serbia dhe presidenti i saj, Vuçiq, të izolohen, të injorohen, të mos lejohen të përhapin urrejtje dhe hakmarrje midis popujve. Këtë ka bërë Kroacia, këtë duhet ta bëjnë të gjitha vendet ballkanike”, shprehet më tej Bytyçi.

Për fund, ai thotë se Kosova duhet të përgatitet që të refuzojë çdo provokim që i vjen nga Beogradi.

“Kjo do të thotë se i duhet dhënë fund asaj që krijoi Aleksandër Vuçiq, e që nisi si minishengen dhe vazhdon të artikulohet si Open Balkan. Kjo do të thotë që presidentit serb i duhet bërë e ditur se sa kohë ai nuk respekton ligjet dhe vlerat perëndimore, nuk do të lejohet të bëjë propagandë armiqësore e luftënxitëse në vendet e rajonit tonë. Në veçanti Kosova duhet të përgatitet që të refuzojë çdo provokim që i vjen nga Beogradi. Edhe ato që ndodhin në veri të Kosovës janë produkt i armiqësive që nxit Aleksandër Vuçiq i mbështetur fatkeqësisht nga kryeministri i Shqipërisë”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat