Kush ishin UDB-ashat që punuan në SHIK dhe u vranë? Ish agjenti tregon me emra...

Politika

Kush ishin UDB-ashat që punuan në SHIK dhe u vranë? Ish agjenti tregon me emra...

Nga: P.R Më: 22 korrik 2022 Në ora: 20:47
Foto ilustrim

Para disa javësh, Fatmir Sheholli, me krenari e ka pranuar se ka punuar për dy organizata famëkeqe, të cilat njihen për tortura, shantazhe e vrasje ndaj shqiptarëve.

Sheholli ka thënë se para luftës ka punuar për UDB-në serbe, ndërsa paslufte për SHIK-un e Kadri Veselit.

“Unë nuk guxoj me hy në Serbi për shkak të deklaratave të mia në emisionin e Adnan Merovcit për shkak se kam treguar që në kohën kur kam punuar në Sigurim Shtetëror. Pas lufte kam punuar për Shërbimin Informativ të Kosovës dhe shefi im ka qenë Kadri Veseli, me mburrje e them këtë sepse e kam thënë kontributin në këto sfera. Bashkëpunëtorë kryesor i kam pasur Elmi Reçicën dhe Latif Gashin”, ka deklaruar Sheholli.

Por deri më tani për deklaratat e Shehollit kanë heshtur dy bashkëpunëtorët e tij, Elmi Reçica dhe Latif Gashi.

Por për Shehollin, ka folur ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Image
Naim Miftari

“Paraqitja e këtij Fatmir Shehollit te Adnan Merovci, i cili nën stop nga vdekja e Ibrahim Rugovës e mitizon Hashim Thaçin deri në qiell, nuk është befasi as deklarata e Shehollit, ish pjesëtar i UDB-së serbe që kinse i paska dhënë informata LDK-së dhe se pas luftës ka punuar për SHIK-un e Kadri Veselit, Latif Gashit e Ilmi Reçicës. Mos të harrojmë se Kadri Veseli kishte deklaruar publikisht se ish UDB-ashat rreth 180-200 pjesëtar janë thesari i Kosovës dhe kinse SHIK-u paska pas marr dokumente me thasë nga Beogradi...”, thotë Miftari për “Bota sot”.

Sipas tij, SHIK-u ishte shndërruar në firmë private të PDK-së.

“E kësi lloj krekosje si të Bibanit janë gënjeshtra të kulluara, pasi SHIK-u pasi u formua pas një kohe është shndërruar në një firmë private e PDK-së, gjegjësisht firmë private e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit dhe Azem Syles... Dhe nga ai çast, SHIK-u i Kosovës kurrë nuk ka paraqit problem apo pengesë për veprimtarinë e UDB-së në Kosovë pas luftës”, shprehet Miftari.

Ai thotë se SHIK-u rehabilitoi ish punëtorët e UDB-së në Kosovë. Miftari përmend me emra personat që u vramë, e të cilët sipas tij ishin punëtorë të UDB-së.

“Krerët e Pronto-s pas luftës i kanë rehabilituar të gjithë pjesëtarët e UDB-së dhe kanë bashkëpunuar me ta edhe dosje kanë bërë bashkë kundër kundërshtarëve të vet në politikë dhe biznes, kurse UDB-ashat që kanë filluar të flasin për informatorët e tyre, kanë paraqit rrezik për të kaluarën e bashkëpunimin me UDB-në serbe para luftës, por edhe gjatë luftës të disa komandantëve e liderëve politikë të pas luftës janë vrarë si Selim Broshi, Ibush Kllokoqi, Kemajl Shabani... Këta tre pjesëtar të UDB-së janë vrarë nga ish INFORMATORËT e tyre që lufta i bëri patriotë, komandantë e liderë të politikes në Kosovë”, thekson Miftari.

“Ndërsa ish pjesëtari i UDB-së Fatmir Sheholli, sipas të cilit, UÇK-ja ia kishte vrarë babanë e tij gjatë luftës, e njëjtë sikur UDB-ashin tjetër Ejup Bajgoren pas luftës, Sheholli kishte bërë kontratë bashkëpunimi së pari me një komandant nga Llapi (komandant i cili njihej edhe vet si mik e jaran shpije i para luftës i Radomirit, komandirit të Milicisë serbe në Kripemeh të Llapit) pastaj ky kishte njoftuar me Veselin e sidomos me PETRITIN e SHIK-ut, njëjtë u rehabilitu sikurse Baton Haxhiu, Negjmedin Ajeti....deri te Fatmir Dermaku, i cili punonte pas luftës edhe në UDB edhe në SHIK, ku ishte arrestuar si i dyshimtë për vrasjen e Xhemail Mustafës, por ishte liruar pas një kohe nga burgu i Bonstillit amerikan”, përfundon për “Bota sot”, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat