Arben Gashi paralajmëroi rrëzimin e Qeverisë në vjeshtë, deklarohet Haki Abazi

Politika

Arben Gashi paralajmëroi rrëzimin e Qeverisë në vjeshtë, deklarohet Haki Abazi

Nga: A.ZH Më: 29 korrik 2022 Në ora: 18:17
Haki Abazi

Opozita po përgatitet për rrëzimin e Qeverisë Kurti 2. Këtë e ka konfirmuar shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi, i cili ka paralajmëruar se në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2.

Sipas tij, si shenjë e pakënaqësisë, tetë deputetë të koalicionit qeverisës pritet të kalojnë në LDK.

“Në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2”, ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, duke thënë se koha e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për një qeverisje komode ka skaduar.

Atij i është kundërpërgjigjur deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje Haki Abazi.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputeti i partisë që drejton shtetin, ka thënë se deklarimet e Gashit nuk kanë bazë të fortë të realitetit të tanishëm, megjithëse nuk e përjashton mundësinë që të ndodhë një gjë e tillë.

“Deklarimet e opozitës për rrëzimin e qeverisë në vjeshtë janë pjesë e fjalorit opozitar bazuar edhe në praktikat e së kaluarës.

Çdo gjë është e mundur në politikë dhe në rrethana të komplikuara gjeopolitike, por nuk e besoj që deklarimet kanë bazë të fortë të realitetit të tanishëm”, ka deklaruar deputeti i VV-së.

Mbrëmë deputeti i VV-së, Fatmir Humolli ka thënë se nëse varet nga ai, do ta rrëzojë qeverinë, pasi sipas tij, ka deputetë të pakënaqur në të gjitha partitë, madje edhe në Lëvizje.

"Në të gjitha partitë ka deputetë të pakënaqur. Edhe në VV, sepse unë jam në VV dhe jam i pakënaqur. Nëse kjo qeveri nuk ndryshon pozitivisht, unë nuk do të votoj.

U them, udha e mbarë juve, s'kam mundësi me bashkëpunu me juve. Nëse pas dy vitesh, qeveria varet nga vota ime, do të votoj kundër. Pra do ta rrëzojë qeverinë”, ka thënë Humolli.

Ndërkohë, në Partinë Demokratike të Kosovës, e kanë pranuar se nuk i kanë numrat për rrëzimin e Qeverisë Kurti 2.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka deklaruar se PDK-ja është e gatshme për zgjedhjet e reja parlamentare kurdo që mbahen ato, por ka shtuar se ekzekutivin mund ta rrëzojë vetëm shefi i saj, Albin Kurti.

“Aktualisht Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm Albin Kurti. Ne si Parti Demokratike e Kosovës jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje kurdo që mbahen ato. Çfarëdo deklarate tjetër do të ishte ose dëshirë ose spekulim. Opozita tash nuk i ka numrat që ta rrëzojë qeverinë”, theksoi ajo të enjten./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat