Çfarë zbuloi Milo Gjukanoviq? A është ky premtimi i Aleksandër Vuçiqit për Edi Ramën?

Politika

Çfarë zbuloi Milo Gjukanoviq? A është ky premtimi i Aleksandër Vuçiqit për Edi Ramën?

Nga: P.R Më: 30 korrik 2022 Në ora: 19:06
Albin Kurti, Aleksandër Vuçiq dhe Milo Gjukanoviq

Deklarata e presidentit malazez, Milo Gjukanoviq, se “Ballkani i Hapur” i Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit është iniciativë e dyshimtë, e cila do të çojë në fund në zhdukjen e shteteve si Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina e Maqedonia e Veriut, si dhe do të përfundojë me gjenocide tjera në Ballkan, ka nxitur shumë reagime në opinionin publik.

“Është e diskutueshme. Bëhet fjalë për një skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së. Kjo nuk na duhet. Na duhet anëtarësimi në BE. Ata që nuk e shohin rajonin tonë në BE, nuk shohin as demokraci multietnike në Ballkan. Kjo përfundon me zhdukjen e Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Gjukanoviq.

Sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, Gjukanoviq e ka kuptuar qysh në fillim se interesat e kujt i përfaqëson “Ballkani i Hapur”, që në fillim u quajt “Minishengeni Ballkanik”.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi

“Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ishte si vëzhgues në samitin e Tiranës të Minishengenit në dhjetor 2019. Ishte gjithashtu koha e fatkeqësisë së tërmetit të 26 nëntorit të atij viti. Në atë samit Gjukanoviq nuk nguroi të vinte, me qëllim që të shihte se çfarë përfaqëson kjo lëvizje e re e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i mbështetur asokohe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Erdhi Milo në Tiranë, pa, bisedoi, pyeti, hulumtoi, lexoi mendimet e iniciatorëve dhe lexoi nën rreshtat e bisedave që bëri dhe u largua pa thënë që në fillim se çfarë përfaqëson ky Minisgengeni i Novi Sadit. Mesa duket do të duhej të kërkonte më shumë informacion, të lexonte edhe dokumente, të cilat nxirrnin në pah qëllimet dhe impaktin pozitiv apo negative të Minishengenit”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

“Më pas Minishengeni ballkanik i katandisur në gjysmë minishengen, ndërroi emrin me sugjerimin e Aleksandër Soros dhe u pagëzua si Open Balkan. Por nuk është se ndryshuan objektivat, synimet, mjetet, metodat, dhe përpjekjet për të faktorizuar Serbinë dhe për ta bërë atë hegjemone të Ballkanit Perëndimor. Gjukanoviq, ashtu si Kosova kanë përvojë të mjaftueshme me Serbinë, për të kuptuar se çfarë ajo synon me iniciativat e saj serbizuese. Por pas informacionit që grumbulloi presidenti i Malit të Zi vendosi t’i thotë JO! JO, pra Open Balkan”, shton profesor Bytyçi.

Por çka ndikoi që Milan Gjukanoviq t’i thotë jo “Ballkanit të Hapur”? Për këtë, profesor Bytyçi jep tri arsye.

“Tri elemente pra ndikuan për këtë, së pari fakti se ai zbuloi saktësisht se qëllimi i Serbisë është zhbërja e shteteve si Mali i Zi, Kosova, Bosnjë-Hercegovina e Maqedonia e Veriut. Së dyti se ai ka një eksperiencë gati 40 vjeçare në marrëdhëniet me Beogradin dhe kurrë, por ama kurrë nuk ka parë ndonjëherë ndonjë akt politik ose lëvizje serbe që shkon në dobi të Malit të Zi e aq më pak të shqiptarëve në Kosovë. Së treti, sepse ai i njeh personalisht liderët e sotëm të Serbisë. Kur Vuçiq ishte ministër informacioni i Milosheviçit, Gjukanoviq ishte kryeministër i Malit të ZI! Dhe Mali i Zi ishte pjesë e Federatës së Serbisë! Ishte Milo Gjukanoviq ai që e zbriti Malin e Zi nga treni i rrezikshëm i Serbisë naziste!”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas Bytyçit, Edi Rama po e përgatit Shqipërinë të bëhet Republikë e pestë e Jugosllavisë së Re.

“Për të gjitha arsyet që përmenda më lart unë i besoj plotësisht presidentit Gjukanoviq në deklaratën që ai ka thënë. Vetë unë e kam artikuluar këtë fakt që në fillimet të iniciativës së Minishengenit. Por më shumë me intuitën time, sesa me infot që mund të kisha. Ndërsa Gjukanoviq flet me fakte, me përvojën e vet. Edi Rama e kundërshtoi presidentin malazez, pa ia përmendur emrin. Tha se Open Balkan do të sjellë lumturinë ballkanike. Edhe kryeministri Rama niset nga përvoja, por jo nga përvoja e tij. Ai niset nga përvoja e diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha e viteve 1941-1948. Identik po huazon dhe imiton atë periudhë. Edhe asokohe u përgatit Shqipëria të bëhej Republikë e Shtatë e ish-Jugosllavisë. Tani Rama po e përgatit Shqipërinë të bëhet Republikë e pestë e Jugosllavisë së Re”, deklaron profesor Bytyçi.

Por cila do jetë kjo Republika e Re Federative e Jugosllavisë, sipas “Ballkanit të Hapur”, ashtu siç thotë Bytyçi?

“Do të bëjë bashkë Serbinë e Madhe me veriun e Kosovës dhe Republikën Srpska brenda saj. Pastaj do të përfshijë shtetin e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjës Myslimane, si Republika të Federatës. Ndërsa Shqipëria do ta ketë edhe ajo vendin e saj në këtë Federatë. Vuçiq i ka premtuar Ramës një vend nderi të veçantë në këtë Federatë, postin e presidentit, sepse kryeministri do të jetë i Serbisë. I ka premtuar privilegje pa fund. Mjafton që kryeministri i Shqipërisë të angazhohet fuqishëm për këtë Jugosllavi të Re. Kosova nuk do të figurojë fare në hartën politike, sepse do të ndahet midis Serbisë dhe Shqipërisë. Ndërsa tri republikat e tjera do të jenë figurativisht pjesë e federatës. Fatkeqësisht në Maqedoninë e Veriut ka jo pak politikanë pro-serbë që janë pro këtij projekti. Po ashtu në Shqipëri i tillë është Edi Rama. Ndërsa në Mal të Zi ka disa Abazoviq. Megjithatë sa kohë të jetë në pushtet Milo Gjukanoviq, Mali i Zi do të qëndrojë fort kundër këtij projekti. Po ashtu Kosova dhe myslimanët e kroatët e Bosnjë-Hercegovinës”, shpjegon Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Edi Rama duhet të rrezohet me çdo kusht nga pushteti, pasi është rrezik për shqiptarët.

“Është lajm shumë i mirë që tashmë është konsoliduar qëndrimi politik i presidentit të Malit të Zi ndaj iniciativës serbo-shqiptare të Edi Ramës të Open Balkan-it. Është lajm shumë i mirë që edhe Vjosa Osmani dhe Albin Kurti e kundërshtojnë këtë lëvizje asocimi e varësie të Kosovës ndaj Serbisë. Nuk e di si do të shkojnë llogaritë e Maqedonisë së Veriut! Duhet parë pas zgjedhjeve të parakohshme, të cilat janë të paevitueshme. Në Shqipëri duhet të rrëzohet me çdo mjet qeveria e Edi Ramës që shqiptarët të shpëtojnë nga hegjemonia serbe dhe Kosova të shpëtojë nga copëtimi e humbja e shtetësisë së saj!”, thekson Bytyçi.

Për fund, ai thotë se në rast se implementohet “Ballkani i Hapur”, padyshim që do të ketë lufta të reja në Ballkan.

“Të shohim! Forcat kundërshtare të Open Balkan po grupohen dhe do të ketë një rezultat! Por nëse ai implementohet, është krejt e qartë se Ballkani do të ketë një situatë lufte e gjenocidi serb sërishmi në të ardhmen. Popujt e kombet ballkanike do të duan përsëri të çlirohen nga sundimi i Beogradit e kjo do të thotë luftë, krime kundër njerëzimit e gjenocide serb kundër shqiptarëve, myslimanëve e pse jo edhe kundër malazezëve etnikë”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat