“Krerët e Beogradit të cytur nga opozita në Kosovë, nuk duan dialog me Albin Kurtin”

Politika

“Krerët e Beogradit të cytur nga opozita në Kosovë, nuk duan dialog me Albin Kurtin”

Nga: H.O. Më: 11 gusht 2022 Në ora: 18:14
Ilustrim/ Bota sot

Publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim dhënë për ‘Bota sot’ ka thënë se opozit ka ftuar Listën Serbe dhe Shoqatat e dala nga lufta për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Ai thotë se Beogradi përgjonte kujdesshëm opozitën e Kosovës, në raportet e saj acaruese me pozitën Kurti.

"Komandantët çlirimtarë" lidhet konspirative i kanë të gatshme me eksponentët e krimit dhe të korrupsionit, në Veriun e Mitrovicës, Milan Radojçiqin, Veselinoviqin me shokë. Për dy dekada radhazi bënin makro-kontrabandë, me komandantët e Kosovës, duke bartur mallrat e Serbisë, në të gjithë territorin e Kosovës. Këtë të vërtetë e bashkëpunim kriminal, e kanë konfirmuar KFOR-i dhe shërbimet tjera informative prestigjioze botërore. Pikërisht, për këtë kontrabandë drejtuesit kryesorë të "Listës Serbe", me komandantët e Kosovës, SHBA i shpalli "non grata", thekson Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se, të cytur nga opozita në Kosovë, krerët e Beogradit janë deklaruar se nuk bëjnë dialog me Albin Kurtin.

“Të cytur nga opozita e Kosovës, duke caktuar edhe datime, se "kur mund të rrëzohet Qeveria Kurti", krerët udhëheqës të Beogradit: Vuçiq, Bernabiq, Vulin, Daçic, janë deklaruar se "nuk bëjmë dialog me Albin Kurtin"! Edhe Drejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq, cinikisht, ka akuzuar  se "Kosova nuk është e interesuar për dialog, por dëshiron vetëm konflikte"! Duke vazhduar se "Kosova nuk dëshiron të themelojë asociacionin, tregon se nuk interesohet për të drejtat e serbëve"! Në këtë rrjedhë, edhe "Lista Serbe" ka deklaruar se "nuk bashkëpunon me Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb", thekson ai.

Image
Idriz Zeqiraj

Tutje, publicisti Zeqiraj thotë se opozita destruktive aktuale e Kosovës, ka menduar dhe punuar, me kohë, për të futur në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje agjentët e saj, duke u përkujdesur të bëhen edhe deputetë.

“Njëri syrësh është edhe Fatmir Humolli. I dërguar në LVV, nga një parti, fort të përfolur për krime e korrupsion, siç është AAK, fillimisht, nismoi me kritika paushalle, pa asnjë fakt, për deputetët e VV-së, në veçanti, për ata të Listës "GUXO". Por, qysh në start e huqi, ngaqë akuzoi ministrin më të vyeshëm, Faton Pecin, i cili përshkon anepërtej Kosovën, për të kontaktuar bujqit e blegëtorët, për të mësuar për hallet, kërkesat e tyre dhe ndihmën që mund t`u jipet, vartësisht mundësive buxhetore të shtetit. "Për 23 vjetë të pas luftës, i vetmi ministër që na ka vizituar, jashtë fushatës zgjedhore, është Faton Peci. Kemi qenë 72 familje, shtëpi, tani kemi mbetur vetëm 27 banorë në fshatin Cerajë, në veri të Mitrovicës. Pa rrugë, pa shkollë dhe as infrastrukturë elementare, për jetësë normale. Qëndrojmë këtu, vetëm nga inati e dhimbja, për të mos i lëshuar trojet tona stërgjyshore", - u shprehë, përvajshëm, para kamerës, një fshatar fisnik i fshatit Cerajë”, vlerëson ai.

Zeqiraj thotë se deputeti Fatmir Humolli, në vijim të abuzimit, shpërdorimit të votës së marrë  nga VV-ja, shantazhon, burracakërisht e turpshëm, me votën kundër VV-së.

“Përndryshe, "për 700 bajrama", siç thotë populli, nuk do të ishte bërë deputet në partinë nga ku është kontrabanduar. Ai doli hapur në mbrojtje të krimit dhe të kriminelëve, duke akuzuar deputetët tjerë, pse nuk bëjnë të njëtën gjë! Ai kushtëzon qëndrimin në VV, me aprovimin e pagës minimale edhe për 52 mijë "veteranët" e rrejshëm! Mjerim për një deputet, që pretendon se është i përgjegjshëm për hallet e Kosovës. Në një debat të analistëve mercënarë, pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK), folën në supërlativë për deputetin kontravers e provokator Humolli, duke e nxitur atë, për të krijuar grupin parlamentar me 6 deputetët e përfolur, si të pakënaqur  të VV-së, të gatshëm, si bukëshkalë, për të votuar mocionin kundër Qeverisë aktuale. Në llogarinë për rrëzimin e Qeverisë Kurti i futën komplet deputetët e opozitës, të "Listës Serbe". Si logjistikë të rrëmujshme, shantazhuese e kërcënuese, e kanë Organizatën e OVL të UÇK-së, me simotrat e saj, të ashtuquajturat Shoqata të dala nga "lufta", pa hyrë në luftë fare, të prira nga matrapazët horrakë, Faton Klinaku e Xhavit Jashari, nën komandën e PAN-it dhe SHIK-ut të tij criminal”, thotë Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Ai theksoi poashtu se NPK, e emërtuar, saktësisht, nga Prokurori amerikan, i Dhomave të Specializuara, të Gjykatës Speiale të Kosovës, me seli në Hagë, Jack Smith, nuk kufizohet vetëm në hetimin e krimeve vrastare politike të ushtarakëve të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; të veprimtarëve të LDK-së; të gazetarëve markantë të Kosovës; të kuadrove të hershëm të LPK-së.

“Por, kjo Ndërmarrje e strukturuar në SHIK, ka hyrë në të gjitha poret e shoqërisë, të shtetit të Kosovës. Prandaj, opozita PAN, por, edhe garda klanore, që e shpuri LDK-në buzë greminës, rezistojnë turpshëm, për ta ruajtur pushtetin, të humbur në votën zgjedhore, por, i ruajtur, madje, i paprekur në sistemin e drejtësisë dhe segmente të tjera, në emër të pavarësisë të disa organeve, të mbrojtura me kushtetutshmëri. Ende vazhdojnë ta vajtojnë atë "performancën" e leshit të Valdete Dakës! Tani mbrojnë, paradoksalisht, Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor, edhe pse kanë rrënuar, tërësisht, sistemin e drejtësisë”, thotë publicisti.

Ai thotë poashtu se, duke parë burokracinë dhe korrupsionin galopant, ku mijëra dosje presin në stoqe, në pritje të qëllimshme të parashkrimit, skadencës të afatit shqyrtues të lëndëve, pavarësisht përformancës indikviduale, duhej shkarkuar - en bloc -, Këshillin Prokurorial dhe atë Gjyqësor, për fshehjen e krimit me heshtje.

“Barriera e opozitës për Vettingun; për hetimin e pasurisë së pajustifikuar, pa mbulesë ligjore, është kriminale dhe meriton ndëshkim”, thotë Zeqiraj.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat