Idriz Zeqiraj ia numëron ’fajet’ e Albin Kurtit: "Shko Hashim në Hagë", por a e ndërroi mendjen më pas Kurti?!

Politika

Idriz Zeqiraj ia numëron ’fajet’ e Albin Kurtit: "Shko Hashim në Hagë", por a e ndërroi mendjen më pas Kurti?!

Nga: H.O. Më: 12 gusht 2022 Në ora: 20:04
Arkiv

Sa i përket qeverisjes së Albin Kurtit për këtë kohë sa është në pushtet ka folur për ‘Bota sot’ publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj. Ai thotë se ka besuar shumë në guximin e Albin Kurtit, mirëpo është zgjënjyer për disa arsye.

“Kam besuar shumë në guximin qytetar të Albinit, me djemtë e vajzat aktiviste të Vetëvendosjes. Por, pjesërisht, po zhgënjehem:

Faji i parë: Këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, tha një të vërtetë, se "edhe UÇK-ja ka vrarë një mijë serbë". Dhe, kjo është e vërtetë. Ish-ambasadori shqip-folës në Kosovë, ka deklaruar se "UÇK-ja vrau gjyshërit e bashkëshortës time, për t`ua marrë banesën"! Për këto motive të ulëta kanë ndodhur edhe ato vrasje, që përmend ish-këshilltari i Kurtit. Kriminelët reaguan dhe Kurti u dorëzua, duke shkarkuar, padrejtësisht, këshilltarin Gashi.

Faji i dytë: Albin Kurti kishte vënë pikën mbi "i", kur kishte shkruar letrën profetike dhe proverbiale "Shko Hashim në Hagë"! Ai, tashmë, ishte këndellur dhe kishte hequr dorë nga broçkulla, se "kriminelët i dënojmë ne, këtu, në Kosovë!" Aq më shumë po bindet tani, kur opozita, rrast e inkrimimnuar, po e bllokon Vettingun në sistemin e drejtësisë; në zgjedhjen e Prokurorit të shtetit; si dhe organet tjera gjegjëse, sa të dështuara, aq edhe të korruptuara”, thotë Zeqiraj.

Zeqiraj thotë më tutje se, këndellja e Kurtit se komandantët kriminelë e korruptivë, nuk ka forcë t`i dënojë asnjë gjykatë vendore, i gëzoi shqiptarët dhe të gjitha shpresat i varën tek drejtësia ndërkombëtare. Mbi 85 % e shqiptarëve, aprovuan arrestimin e shtetarëve të Kosovës, me dëshirën e shumëfishimit të këtij numri, në raport me krimet numerike, të ndodhura në Kosovë dhe Shqipëri, kryesisht, për motive politike.

Image
Idriz Zeqiraj

“Sa i befasishëm, aq edhe zhgënjyes, është veprimi i papritur i kryeministrit Kurti, kur shprehë pendesë, për sugjërimin e tij "Shko Hashim në Hagë" dhe kërkon rehabilitimin e të arrestuarëve, me justifikimin se "kanë bërë luftë të fortë", ndërkohë që, nga të katër të akuzuarit, tre syrësh nuk ishin fare pjesë e luftës. Lajthitjet e shefit të Qeverisë, i përsëritën, hipokrizisht, edhe ndoca nga vartësit e tij.  Dhe, premtimi i madh i Kurtit, për luftimin  kundër krimit të organizuar dhe hajnisë zyrtare, u relativizua. Tashmë, kriminelët dhe hajnat janë trimëruar. Andaj, janë shtuar edhe hajnitë me grabitje të bankave; vjedhjeve me thyerje të dyerëve të shtëpive private të qytetarëve. Partitë-banda të PAN-it, me kriminelë e hajna potencialë, u gëzuan shumë”, vlerëson Zeqiraj.

Ai thotë më tutje se ‘LDK-ja është e dyzuar. Klani vajton aleancën me PDK-në. Lidershipi i ri i LDK-së, edhe pse simpatik, flirtet me kryeministrin shqiptar, Edvin Rama, kanë hutuar anëtarësinë e LDK-së’.

“ Sepse ai ka shkatërruar opozitën shqiptare, duke kthyer monizmin drejtues; ka përçarë skajshëm shqiptarët; ka krijuar lidhje konspirative me Serbinë; me "Ballkanin e Hapur", po e amniston dhe rehabiliton Serbinë armike, ende pa kërkuar falje, për krimet makabre, të kryera kundër popullit tonë, duke ia dhënë asaj primatin ekonomik dhe politik në Ballkanin Perëndimor! Deklarimi i "Listës Serbe" se "qëllim të vetëm kemi rrëzimin e Qeverisë Kurti", është në unison me opozitën e Kosovës. Thirrja dëshpëruese e ish-emisarit Grenell: "Ktheni Hashimin në Kosovë", flet mjaftueshëm edhe për dëshirën e Serbisë, për të vazhduar pazaret e pista me "komandantët çlirimtarë", thekson ai.

Publicisti Zeqiraj thotë se megjithë deklaratat e thekshme, të "Listës Serbe", për rrëzimin e Qeverisë Kurti, nuk arrijnë ta sfidojnë Qeverinë e Reciprocitetit; Qeverinë që ka nisma të studjuara e logjike, për shtetin ligjor, zhvillimor dhe social.

“Teorikisht, është i mundshëm edhe rrëzimi i Qeverisë Kurti, me opozitën e bashkuar të Kosovës; "Listën Serbe", Vuçiqët, Grenellët, Humollët dhe ndoca deputetë të mundshëm, mercënarë të blerë. Por, një gjë është e sigurtë, se edhe sot sikur të bëhen zgjedhjet e reja, LVV, sërishmi, do të jetë parti e parë në Kosovë”, vlerëson Idriz Zeqiraj për ‘Bota sot’.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat